Mesia i rremë

03 shtator 2026 | 08:27

MUSA RAMADANI

Në verën e vonë të çerekut të fundit të shekullit 17, në bregdetin e Ulqinit ia behu një njeri i huaj për të parën herë dhe pa iu trembur as bebja e syrit – krejt gjakftohtësisht tha:

këtu dua të vdes!

Vendësit kishin zgurdulluar sytë me të dëgjuar këtë vendim të fortë e të prerë të të panjohurit. Në qytet kthenin prej kohësh gjithfarë njerëzish: pasanikë, tregtarë, detarë, artistë, magji­starë, aventurierë e deri fukarenj që, edhe po të mos arrinin asgjë tjetër, të paktën i mbante shpresa se do të bëheshin kusarë të mirë. Deti i gjerë, erërat e forta dhe tallazet e mëdha bartnin lloj-lloj anijesh me ëndrra, dëshira e ambicie njerëzore nga më të ndryshmet. Kishin dëgjuar për të atillë që vinin rrëzë Kalasë zulmmadhe vetëm për një orë, për një pasdite apo për një natë e nguleshin aty duke lëshuar rrënjë përgjithmonë. Por për të jetuar. E për të vdekur sa mbanin mend ulqinakët më të moçëm – ky ish rasti i parë, dhe nuk kishte bërë vaki deri më atëherë. Një gjë e tillë mund të ndodhte me detarët vendës, të cilët, pasi shtegtonin një jetë të tërë ujërave të pasosura të deteve e oqeaneve, me t’u mplakur, u kujtohej vendlindja e fëmijërisë e kthenin për t’i prehur kokat një ditë në gjirin e ngrohtë të tokës së saj. Mirëpo, meqë fjala ishte për një të huaj, një kuriozitet i këtillë nuk ishte shënuar në kronikat gojore, pale në ato të shkruara të Ulqinit.

I huaji vinte nga Izmiri i largët. Anija kishte pas marrë hov qysh në Egje, kishte çarë ujërat e Mesdheut, ishte shpëlarë nëpër Detin Jon dhe, me t’u përbiruar nëpër Adriatik, kishte zënë më thua jorastësisht në portin e Ulqinit. Ditët e netët tek lind e perëndon, lundrimi i gjatë, i mundimshëm e i pareha­tshëm, si dhe një ndjesi fatale se ky qenkësh itinerari i fundit në jetën e tij, kishin lënë gjurmë tek ardhacaku. Me të zbritur shkallaren e kuvertës së anijes, ai i hodhi një vështrim të gjatë detit të hapur, pastaj Kalasë që i lëvarej përmbi kokë dhe, fjala me të cilën i ishte drejtuar turmës, ishte pyetja:

a ka ndonjë hebre në këtë qytet?

Thonë se këtë e kishte shqiptuar, duke e përsëritur në disa gjuhë evropiane, bile edhe shqip, jo aq për t’u bërë të ditur të pranishmëve se kishin të bënin me një poliglot, sa nga para­gjykimet e një aziatiku për Ballkanin e popujt e tij në përgji­thësi. Ulqinakët kishin rrudhur supet, habia u ishte vizatuar dendur në fytyra, megjithëse shikimet e tyre të buta i premtonin se përgjigjen do ta gjurmonin më vonë, qoftë ajo edhe qind për qind mohuese. Bashkëqytetarin e tyre të ri dikush nga suita e kishte paraqitur me dy emra: botës së krishterë – Sabatai Cevi, ndërsa asaj myslimane – Mehmed efendiu. Të parin ia kishin vënë prindërit nga dashuria, kurse të dytin e kishte marrë vetë nga frika. Ishte një mesoburrë: me kokë të gjerë, fytyrë esmere e hundë të madhe. Në tepe të kresë mbante sheshir kashte, trupin ia mbështillte xhybja e zezë e në dorë i ishte ngjitur Libri i Verdhë, ku qe palosur krejt shenjtëria shumëshekullore e traditës hebraike që nga zanafilla. Gjysma e turmës, ata përcjellës përkrah e pas tij i kishin marrë për truprojë, ndërkaq gjysma tjetër – për roje të thjeshta; po sido që ishte puna, ardhacaku ishte në qendër të vëmendjes. Dalëngadalë po binte muzgu i parë kur Sabatai Cevin alias Mehmed-efendiun një pajton i madh e shpuri rrugicave lakadredhake atje lart në Kala. Ulqinakët nuk e kishin pritur një njeri të tillë, prandaj as e kishin për detyrë ta përcillnin deri në zemër të qytetit. Ata, si rëndom, po shëtisnin bregut të detit asaj parambrëmjeje të ngrohtë, të këndshme e të qetë, por, me të mësyrë disa sish te porti ku ndaloi anija, turma u vu në lëvizje thuaja sipas inercionit. E nëse dikush ka vendosur të vdesë, pse dëshiron këtu apo s’ka ku tjetër, është e drejtë e tij. Një vdekje më pak a më shumë, s’u prish aq punë ulqinakëve dhe nuk heq në kandar për qytetin. Meqë mysafiri i largët ishte ende enigmë për ta, vdekja e tij as i nderonte e i ofendonte. Mjaftonte të ishte njeri i mirë, të mos sillte më vete ndonjë lëngatë dhe, brenda mundësive e dëshirave, të mos ishte profet. Sidomos i dronin sojit të këtij të fundit, pasi aq shumë qe shtuar, përhapur e shumëzuar e nuk ishte në gjendje të parashihte një tërmet të thjeshtë. Gjërat e tjera, ndërkaq, do të merreshin vesh brenda tri ditësh për fije. Të paktën, për të vdekur kurrë s’është vonë, po për të jetuar se! Kështu, çfarëdo që t’i përgjigjej turma, s’ishte veçse provokim i ndërgjegjes.

Dita e ardhjes së Sabatait në Ulqin ishte e shtunë, muaji gusht, viti 167…, që vështirë është të përkufizohet saktësisht. Disa thonë se ishte kohë lufte, disa të tjerë se ishte kohë paqeje, e disa të tretë – jo po – kohë armëpushimi i shkurtër. Një gjë ish e sigurt: bënte mot tejet i nxehtë, nëpër oborre ishte pjekur fiku e njerëzia më tepër qëndronin në plazh sesa nën shtëpia. Deti sillte në breg anije, peshk e kripë. Po qe se kronikanët e Ulqinit janë treguar përtacë ta regjistronin ardhjen, qëndrimin dhe vdekjen e Sabatait në qytetin e tyre, leksikonet, enciklopeditë dhe historia e popujve më të civilizuar i kanë dhënë vend të merituar.

Biografia e Sabatai Cevit, ajo e shkruar, është tejet modeste, bile mund të thuhet dhe e varfër. Ajo mbeti enigmë po aq sa jeta, e sidomos vdekja e tij. Rreth vitit të lindjes ka dhe pasa­ktësi. Derisa në disa burime figuron se ai erdhi në këtë botë në vitin 1625, në të tjerat ky moment lëviz për një vit më vonë. Vendi i lindjes, për çudi, nuk është shënuar në asnjë enciklo­pedi. Vetë e dhëna se që nga fillimi i shekullit 17 hebrenjtë e Evropës Lindore u ishin ekspozuar përndjekjeve të pareshtura, nuk është larg mendjes që Sabatai të ketë lindur në ikje e sipër, në rrugë, në ndonjë han ose dhe në farë vendbanimi të vogël, të panjohur, të parëndësishëm, të cilin nuk e kanë zënë as hartat më të mëdha (të botës. Mungojnë shënimet edhe për prindërit e tij, origjinën familjare, drurin gjenealogjik, sado që nuk ka dyshim se Sabatai ishte qind për qind hebre. Këtë e dëshmon emri i tij, që rrjedh nga fjala e lashtë hebraike shabbat (në origjinal: scna bbath), do të thotë pushim, ditë pushimi ose festë pushimi. Ndalohej çdo punë, udhëtim, madje dhe duhani. (Tek hebrenjtë ajo ishte dita e shtatë e javës e, sipas Librit të Verdhë, lidhej drejtpërdrejti me ditën e shfaqjes biblike të kriji­mit të botës). Me ndryshime të vogla a më të mëdha tingullore, fjala hebraike s a b a t u shumëzua, u përhap dhe u bart ndër gjuhë të ndryshme evropiane, si: italisht (sabato), greqisht (sabaton), rumanisht (simbata), slavisht (subota), frëngjisht (samedi), gjermanisht (samtag), hungarisht (szombat), shqip (shtun/ë,-a). (Pas shumë e shumë vjetësh, ose më drejt: me të vdekur Sabatai, ulqinakët ishin kujtuar se ai nuk ia paska behur në qytetin e tyre rastësisht gjatë verës, në muajin gusht, dhe pikërisht ditën e shtunë!). Ajo që dihet pa fije dyshimi është se pjesën më të madhe të jetës e kish kaluar në Izmir, në qytetin aziatik buzë bregut të Egjeut. Ka të ngjarë se pas arrestimeve, ndjekjeve e persekutimeve masive të bashkatdhetarëve, vrasjes së dhjetëra mijëra njerëzve, plaçkitjes së pasurive dhe rrënimit të shtëpive të tyre, Sabatai kishte gjetur vend të sigurt përnën diell në atë liman shpëtimi. Rreth shkollimit të tij nuk mund të gjenden kurrfarë të dhënash autentike. Supozohet se ishte poliglot, duke i mësuar disa gjuhë të botës, sa nga prirja naty­rore, inteligjenca e zotësia, aq edhe nga nevojat praktike, droja e pasiguria. Studionte pandërprerë Librin e Verdhë, Talmundin, Zoharin dhe dorëshkrimet e tjera të shenjta hebraike për ta mbajtur gjallë shpirtin, identitetin dhe traditën e popullit të vet të lashtë. Mirëpo, mbi të gjitha i interesonte kabala (në origjinal: Kabbalah), nocion, domethënia e të cilit ka kuptimin e devo­tshmërisë, traditës, mistikës. Moshën më të mirë të rinisë ia kushtoi përvetësimit të këtij mësimi origjinal për emanacionin, duke ndrydhur kështu pothuaj të gjitha epshet, pasionet e dashuritë e veta. E tërë intimja e tij përbëhej në të thelluarit e gjithanshëm gjatë studimit të mendimit religjioz e filozofik të trashëgimisë hebraike. Me t’u mishëruar krejtësisht me k a b a 1 ë n, e konsideronte këtë me tamam shkencë mesjetare hebra­ike, e cila kishte për detyrë të merrej me interpretime mistike, madje alegorike të vendeve të caktuara tekstore në pergamenat, librat e dorëshkrimet e vjetra. T’i thuhej Sabatait se ishte i ditur, i zgjuar a i mençur, ekzistonte frika, dyshimi e rreziku se do të ishte e paktë e gjithë kjo. (Se mos ju ka rënë të takoni gjithandej nëpër botë ndonjë hebre budalla ndonjëherë? Nuk e besoj. Po edhe sikur të dëgjohej rastësisht për një njeri të tillë, do ta vrisnin aty për aty vetë hebrenjtë!). E kishte pushtuar deri në atë masë kabala, i kishte hyrë në palcë mistikës dhe ishte marro­sur nga magjia, saqë botën, jetën dhe njerëzit rreth e qark vetes i shihte në një dritë të re, të panjohur, të harruar. Gjurmonte zbulonte e interpretonte shkrime të braktisura, duke nxjerrë, si specialist e shkuar specialisti, kuptime të fshehta, alegorike e simbolike nga shenjat, numrat e germat. Besonte që në këtë mënyrë aftësia e tij shprehej veçanërisht në vënien e lidhjeve, krijimin e marrëdhënieve dhe shoqërimin me fantazmat, luge­tërit e shpirtrat e të vdekurve. Rrallë e tek, pohonte dhe publi­kisht se deri tek e pakuptueshmja, e errëta dhe enigma mund të depërtohet vetëm e vetëm me përqendrimin, përsiatjen e dritësimin e mendjes. Njerëzia zunë të pëshpëritnin se e tërë kjo magjepsje s’ishte veçse një shoqëri e fshehtë, dredhi prapa­skene, intrigë e kulluar, që kanosej të shndërrohej në një lëvizje marramendëse, histerike dhe, në instancën e fundit, tejet absurde. Mirëpo, Sabatai Cevit, si kabalist maestral, njerëzit, ujërat dhe erërat ia kishin shpurë emrin gati anembanë rruzullit tokësor. Ai tashmë hynte në përrallë, bëhej legjendë, shndërrohej në mit, sepse ia kishte dalë të mblidhte rreth lartmadhërisë së vet një armatë ithtarësh të kabalës ndër hebrenjtë evropianë, aziatikë e afrikanë. Caku i tij i fundit kishte të bënte me kthimin e fëmijëve të gjallë, të zhuritur dhe të humbur të Moisiut biblik (në origj.: Mojshes) në atdheun e braktisur, Erec Jisroel.

Një ditë, përfundimisht, e shpalli vetveten thjesht: Mesi (në origjinal: Meshijah, ose Maschiach). Ky akt solemn besohet të ketë ndodhur në Ditën e pajtimit (Jom kipur), të kremten më të madhe fetare të hebrenjve, kur gjithë ditën e lume rrihet në sinagogë, duke u lutur për faljen e mëkateve. Inaugurimi i këtij shëlbuesi në Izmir bëri jehonë të madhe jo vetëm ndër hebrenj, po dhe ndër të krishterë e myslimanë. Data, muaji e viti mund të merren me hamendje. Me rëndësi është se Sabatai premtonte shpëtimin e hebrenjve, fundin definitiv të përndjekjeve, bashki­min e popullit. Do të krijonte një “mbretëri qiellore”, pa të këqija, pa anarki dhe të mbështetur në drejtësi të plotë. Thoshte se qe zgjedhur nga vetë perëndia për ta kryer këtë “mision hyjnor” për të mirën e bashkatdhetarëve të vet dhe të mbarë njerëzimit. Pas gjithë atyre hidhërimeve, vuajtjeve e mundi­meve do ta ngrehte mbi tokë flamurin e një paqeje të paparë, të përsosur, të papërsëritshme. Kështu e donte fati, kështu premtonte dhe kështu besonte Mesia. Me të dëgjuar për të gjitha këto, Bashkësia hebraike e përjashtoi Sabatai Cevin nga radhët e veta. Megjithatë, ai u tregua militant, i vendosur e këmbëngulës, kështu që, veç sa shkeli në truallin e Palestinës, në të gjitha komunat hebraike të botës mori dhenë lajmi se ishte shfaqur Mesia. Rrethanat historike, situata hamletiane, si dhe atmosfera specifike, bënë që, qoftë dhe një legjendë e tillë, të mbijë në tokën e pëlleshme, ngaherë të premtuar, hebraike. Po ç’e do! Këshilli hebraik i rabinëve zyrtarë përkujdesej t’ia mbyllte të gjitha udhët gjithandej nga përhapej fama e mesia­nistit Sabatai Cevi. Shpjegonin se miti mbi Mesinë ishte ëndërr, dëshirë e gjakim qyshkur mbahet mend soji njerëzor. Bënin me dije se figura e heroit shëlbues, që do të shpëtonte një ditë botën, ka të bëjë me një fanitje të popujve të vegjël, të pafuqishëm, të cilëve historia ua falte pësimin. E akuzonin Sabatain se kishte marrë “kompleksin e Mesisë”, gjë e njohur shumë më vonë në literaturën psikologjike. Ia shpifnin se vuante tej mase nga vetë­besimi, se gjakonte suksesin e të gjithëfuqishmit, se ishte dehur nga ndjenja e pazëvendësueshmërisë… dhe kësisoj do të për­hapë tek epideminë e mesianizmit! Krejt çfarë u kishte ardhur në gojë i kishin thënë rabinët, te gjithat. Më 1665, kur u mbushën plot shtatëmbëdhjetë vjet, Sabatai përsëri u kthye në Izmir, ku e pritën si Mesi, duke e nderuar në mënyrë madhë­shtore. Fjalime, brohoritje, përgëzime. Lule, dafina, kurora. Përdëllime, lutje, bekime. Por ky idil mesian zgjati shkurt. Namin që e kish fituar për plot 17 vjet, ia morën nëpër këmbë për 17 ditë, 17 orë e kushedi sa minuta. Së shpejti u arrestua si kabalist, mistik, mbase dhe heretik. Askund nuk ka njoftime se sa kohë qëndroi në burg. Ndoshta ndodhej në izolim të plotë. Apo i ishin ngrehur të katër muret e shurdhra të vetmisë. Më 1666, për ta shpëtuar lëkurën e vet, kalon në islam dhe Sabatai Cevi bëhet Mehmed-efendiu, me ç’rast ngulet me vendbanim në Edrene. Përkundër peripecive të shumta, Mesia nuk i kishte humbur ithtarët ndër hebrenjtë polakë. Atëherë pushteti turk e identifikon Mesinë në Edrene dhe, përfundimisht, vendos ta syrgjynosë larg e më larg. Kurrsesi s’mund t’i biesh në fije pse Ulqini ishte zgjedhur si vend ku do të mbyllej kaptina e fundit e jetës së tij. Në moshën pesëdhjetëvjeçare bota mestane e Sabatait, alias Mehmed-efendiut, shndërrohet në varr, në dhe, në hiç. Është vështirë të pohohet nëse kish vdekur vetë, kish bërë vetëvrasje ose e kishin mbytur. Edhe data e vde­kjes së tij, sikundër ajo e lindjes, nuk përputhet tamam: diku shkruan se akti i fundit i jetës së tij ndodhi më 1675 e diku më 1676. Sidoqoftë, koha është e pakup­timtë për dikë që pushon në varr, thotë shkrimtari i madhe iranian, Sadek Hedajati. Kështu ishte dhe me datën e vdekjes së Mesisë.

Fill pas vdekjes së Sabatait, në Ulqin, ia kish behur një grua, moshën e së cilës nuk do të dilte t’ia përcaktonte njeri. Ishte verë, muaji gusht, ndoshta pikërisht e shtunë. Muzgu ishte më të rënë dhe bregut të detit shëtisnin kalimtarë të shumtë. Askush nuk dinte se nga vinte gruaja e panjohur për ulqinakët. Teksa zbriste nga kuverta e anijes, që nga shkallarja, ajo zu t’i fliste turmës së mbledhur. Në qytetin tuaj, tha, ka vdekur Sabatai Cevi, alias Mehmed-efendlu. Atje lart, në Kala, u shua jeta e atij njeriu të madh, të njohur, me nam. Ishte magjistar, mistik, kabalist. E kish shpallur veten shpëtimtar të hebrenjve, por rabinët zyrtarë e trajtuan Mesi të rremë. Ai besonte se ishte dërguar nga perëndia, ndërkaq njerëzia e katandisën në zindan. Vdiq i pafajshëm, po nuk vdes shpirti i tij. Botës i nevojitet Mesia, mirëpo ai shfaqet në tokë njëherë në pesëqind vjet… Gruaja e huaj tha se quhej Saloma. Sakaq vajti të lutej mbi varrin e Sabatait. Në dorë mbante Librin e Verdhë. Disa nga turma thanë se Saloma duhej të ishte nëna e tij. Disa – motra e tij. Disa të tretë jo po – gruaja e tij. Kishte edhe të atillë që nuk ngurruan të shprehnin mendimin se ajo s’ishte veçse njëra nga dashnoret e tij. Libri i Verdhë i Salomës ua rikujtoi disa ulqi­nakëve nga turma se aty e ndonjë dhjetë vjet më parë, mu gjatë ditëve të verës, ia kishte pasë behur një i huaj, që tashti e përfytyronin me sheshir kashte në kokë e xhybe të zezë në trup dhe, me të zbritur nga anija, kish thënë: këtu dua të vdes!

Ata mësynë te varri i Sabatait, me qëllim që t’ia gërmonin për ta kënaqur kërshërinë e vet, por u frikësuan se në mos nga zgorka e thellë e tokës do t’i sulmonte mizëria e shenjave, numrave dhe e germave.

Që nga ajo kohë e deri në ditët e sotme vendosën t’ia ruanin varrin për hir të Sabatait, për hir të Salomës, mbase dhe për hir të Mesisë.

Në Ulqin ende piqet fiku.

Marrë nga numri 27 i revistës “Akademia”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
CHARLES BAUDELAIRE Sa fatkeq është ndoshta njeriu, por sa i…