IA-ja shtrenjton smartfonët, konsolat dhe pajisje të tjera

03 shtator 2026 | 09:02

Inteligjenca Artificiale po shtrenjton produktet teknologjike si telefonat inteligjentë, notebookët dhe konsolat e lojërave. Arsyeja: një pjesë e madhe e çipave përdoret për qendrat e të dhënave për IA.

Nëse po mendon të blesh pajisje të reja teknologjike këtë vit, duhet të llogarisësh me rritje çmimesh dhe një zgjedhje më të kufizuar për shumë pajisje elektronike të njohura. Arsyeja është bumi mbarbotëror i Inteligjencës Artificiale(IA), i cili po e transformon rrënjësisht industrinë e gjysmëpërçuesve.

Pas zhvillimit dhe funksionimit të Inteligjencës Artificiale qëndrojnë qendra të fuqishme të përpunimit të të dhënave, të cilat janë shndërruar në konsumatorë të mëdhenj të çipave me performancë të lartë. Për këtë arsye gjithnjë e më shumë kapacitete prodhuese po orientohen drejt këtij sektori. Si pasojë procesorët modernë dhe modulet e memories me shpejtësi të lartë, që përdoren në pajisjet elektronike për konsumatorët, po bëhen gjithnjë e më të vështira për t’u siguruar në treg.

Mesatarisht mbi 600 euro për një telefon inteligjent

Mungesa e komponentëve elektronikë në treg po ndihet gjithnjë e më shumë nga konsumatorët, veçanërisht tek pajisjet që kërkojnë fuqi të madhe përpunuese, si smartfonët, laptopët, kompjuterët, si edhe pajisjet dhe konsolat e video-lojërave. Këtë e tregon një analizë e kompanisë së kërkimeve të tregut NIQ, e publikuar me rastin e hapjes së panairit ndërkombëtar të teknologjisë IFA.

Në qershor gjiganti amerikan Apple njoftoi për një rritje çmimesh për shkak të kostove në rritje të çipave. Drejtori i sapolarguar i kompanisë, Tim Cook, i cilësoi këto rritje si “të pashmangshme”. Se sa shumë do të preken konsumatorët kjo pritet të bëhet e qartë ditët e ardhshme, kur kompania pritet të prezantojë modelet e reja iPhone 18 Pro dhe iPhone 18 Pro Max.

Edhe prodhues të tjerë të njohur të elektronikës, si HP, Dell dhe Nintendo, i kanë rritur tashmë çmimet e produkteve të tyre, njoftoi Wall Street Journal. Shoqata gjermane e industrisë digjitale Bitkom parashikon që çmimi mesatar i një smartfoni gjatë këtij viti të arrijë në 646 euro.

Modelet e lira pritet të bëhen më të rralla

Prodhuesit po e përshtatin strategjinë e tyre ndaj mungesës së komponentëve duke u fokusuar kryesisht te konfigurimet më të kërkuara, si ato me memorie 256 ose 512 gigabajt. Ata po zvogëlojnë larmishmërinë e modeleve të ofruara ose po rrisin çmimet. Si pasojë pajisjet me çmime më të lira po bëhen gjithnjë e më të pakta në treg.

Eksperti i industrisë nga kompania e kërkimeve të tregut NIQ, Alexander Dehmel, thotë se nuk pritet ndnjë krizë e përgjithshme si ajo e vitit 2020. Sidoqoftë ai paralajmëron se blerësit duhet të llogarisin me një ngritje të ndjeshme të çmimeve. Sipas tij nuk pritet një ndërprerje e përgjithshme e furnizimeve, por konfigurime të caktuara me fuqi të lartë llogaritëse dhe kapacitete të mëdha memorieje do të bëhen më të shtrenjta ose do të jenë të disponueshme vetëm pas periudhash më të gjata pritjeje. /DW

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, ka kritikuar gjendjen aktuale institucionale…