Veteranët paralajmërojnë protesta nëse dënohen liderët e UÇK-së

03 shtator 2026 | 12:09

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVLUÇK) ka paralajmëruar protesta të mëdha dhe vazhdimin e aktiviteteve kundërshtuese nëse ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë shpallen fajtorë.

Nënkryetari i OVLUÇK-së, Gazmend Syla, ka thënë se organizata pret që ish-krerët e UÇK-së të kthehen të pafajshëm në Kosovë, por ka paralajmëruar se nuk do të qëndrojnë duarkryq në rast të një vendimi dënues.

“Sido që të jetë, ne nuk do të ndalemi asnjëherë duke protestuar e avokuar për të drejtat tona, që ne i kemi fituar në vitin 1999. Është e pakontestueshme, prandaj aktiviteti ynë nuk do të ndalet asnjëherë. Dëmi veçse është shkaktuar”, ka deklaruar Syla për “Kosovapress”.

Ai është shprehur i bindur se, nëse vendimi bazohet në prova, ish-krerët e UÇK-së do të shpallen të pafajshëm. Megjithatë, Syla ka ngritur shqetësimin për mundësinë e ndikimit politik në proces.

“Ne si organizatë e veteranëve të luftës, prej ditës që është pritur të themelohet kjo gjykatë, e kemi kuptuar që është gjykatë e padrejtë dhe presim që bashkëluftëtarët tanë të kthehen të pafajshëm në shtëpitë e tyre. Në qoftë se ky vendim do të bazohet në prova, jemi të bindur se do të shpallen të pafajshëm”, ka thënë ai.

Syla ka pretenduar se Gjykata Speciale ka devijuar nga misioni për të cilin është themeluar dhe ka shprehur shqetësimin për ndikime politike në vendimmarrje.

Ai ka thënë gjithashtu se OVLUÇK gjatë gjithë procesit ka ngritur shqetësime para përfaqësuesve ndërkombëtarë lidhur me, siç pretendon, shkeljen e të drejtave të të akuzuarve.

Sipas tij, protestat dhe aktivitetet e organizuara nga veteranët në Kosovë dhe jashtë saj kanë ndikuar në rritjen e ndërgjegjësimit për procesin gjyqësor në Hagë.

Syla ka kritikuar edhe institucionet e Kosovës për mungesë të veprimeve në mbrojtje të të drejtave të ish-krerëve të UÇK-së, duke thënë se barra kryesore i ka mbetur OVLUÇK-së.

OVLUÇK-ja gjatë vitit ka mbajtur protesta në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni të Veriut, në Hagë dhe Strasburg, duke kërkuar drejtësi nga Gjykata Speciale.

Ndërkohë, më 12 shtator është paralajmëruar një protestë para vendimit përfundimtar, ndërsa në ditën e vendimit qytetarë të shumtë pritet të mblidhen para objektit të Gjykatës Speciale në Hagë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka…