Valdetja, shembulli i qëndresës dhe pajtimit

04 shtator 2026 | 11:27

Lulëzim ETEMAJ

Sot shënohet 22-vjetori i ndarjes së hershme nga jeta të Valdete Fejzullahit (1972–2004), veprimtares nga Gostivari që jetën e saj të shkurtër e lidhi me idealet e lirisë, pajtimit dhe bashkimit rreth çështjes kombëtare.
Valdetja ishte ndër pjesëtaret e para të grupit të të rinjve nga Tetova dhe Gostivari që në fillimet e saj mbështetën Lëvizjen e Pajtimit të Gjaqeve në Kosovë 1990–1991. Për një brez të tërë shqiptarësh, kjo lëvizje nuk ishte thjesht një përpjekje për t’i dhënë fund hasmërive ndërmjet familjeve, por një përpjekje e gjerë shoqërore për të mbyllur plagët e vjetra dhe për t’i bashkuar njerëzit në një periudhë të rënd të historisë sonë kombëtare, si parakusht i domosdoshëm për të filluar luftën e armatosur çlirimtare.
Në këtë angazhim, Valdetja dha kontributin e saj me një përkushtim që merr edhe më shumë peshë kur kujtohet fakti se sapo kishte dalë nga burgu, ku kishte vuajtur dënimin politik. Ende nuk kishin kaluar mbi dy muaj nga lirimi i saj, por ajo nuk zgjodhi të tërhiqej për t’u marrë me jetën dhe hallet e veta. Përkundrazi, iu kthye menjëherë veprimtarisë.
Një nga ngjarjet më të rëndësishme ku ajo u angazhua ishte tubimi madhështor i 28 korrikut 1990 në “Rudinën e Pajtimit”, pranë Malit të Thatë, në Çegran të Gostivarit. Pavarësisht pengesave dhe ndjekjeve nga policia maqedonase, aty u mblodhën mbi 50 mijë pjesëmarrës. Në këtë tubim u promovua shtrirja e dorës së pajtimit nga nëntë familje: u falën tri gjaqe dhe gjashtë ngatërresa.
Sot, kujtimi për Valdeten nuk duhet të mbetet vetëm një përkujtim i përvjetorit. Ajo meriton më shumë se një emër rruge në Tetovë, Gostivar apo Prishtinë. Historia e saj duhet të ruhet, të dokumentohet dhe t’u përcillet brezave të rinj si pjesë e kujtesës sonë historike.
Valdetja mbetet shembull i një brezi që, edhe pas burgut politik, zgjodhi përkushtimin, pajtimin e bashkimin, luftën çlirimtare dhe sakrificën.
Prehje në paqe, bijë e denjë e Gostivarit!

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
FIFA ka akuzuar UEFA-n për “shpifje” ndaj organizatës dhe presidentit…