Aeroporti i Tiranës lë pas Beogradin dhe Zagrebin, Rama: 6 milionë udhëtarë në vetëm 6 muaj

04 shtator 2026 | 11:32

Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka shënuar një tjetër rritje të fuqishme të numrit të udhëtarëve, duke kryesuar aeroportet e rajonit gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026.

Sipas të dhënave të publikuara nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, rreth 6 milionë pasagjerë kanë kaluar përmes aeroportit të Tiranës gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti.

Kjo shifër paraqet një rritje prej 17 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Tirana ka lënë pas aeroportet e tjera kryesore të Ballkanit. Në vendin e dytë renditet Beogradi me 4.2 milionë pasagjerë, ndërsa Zagrebi ka regjistruar 2.2 milionë.

Aeroporti i Prishtinës renditet më poshtë me 2.1 milionë udhëtarë, i ndjekur nga Shkupi me 1.8 milion.

Në listë më pas janë Spliti me 1.3 milionë pasagjerë, Dubrovniku me 1.2 milionë, Podgorica me 900 mijë, ndërsa Sarajeva dhe Ljubljana kanë regjistruar nga rreth 800 mijë pasagjerë.

Duke publikuar të dhënat, kryeministri Rama e ka vlerësuar këtë rezultat si një tjetër dëshmi të rritjes së fluksit të udhëtarëve në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës.

“Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës kryeson aeroportet e rajonit për numrin e pasagjerëve në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026. 6 milionë pasagjerë në vetëm 6 muaj, me një rritje prej 17% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025”, ka shkruar Rama.

Rritja e numrit të pasagjerëve e konsolidon Tiranën si një nga nyjet kryesore të transportit ajror në rajon, ndërsa diferenca me aeroportet e tjera të Ballkanit është zgjeruar ndjeshëm.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një aksion ka nisur në orët e para të mëngjesit…