Gjykata e Apelit e liron nga akuzat, ish-ministri Bajram Hasani: Sot drejtësia foli

04 shtator 2026 | 18:17

Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, ka bërë të ditur se Gjykata e Apelit ka vendosur ta lirojë nga akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare, duke rrëzuar aktgjykimin e mëparshëm.

Përmes një postimi në ‘Facebook’, Hasani ka thënë se pas një procesi të gjatë dhe të vështirë, vendimi i Apelit, sipas tij, e ka konfirmuar të vërtetën në të cilën kishte besuar gjatë gjithë procesit.

“Gjatë gjithë rrugëtimit tim në shërbim publik, përfshirë edhe kohën që kam qenë Ministër, kam punuar me përkushtim për të mirën e vendit dhe qytetarëve. Kam ushtruar detyrën me përgjegjësi, ndershmëri dhe ndërgjegje të pastër. Nuk kam keqpërdorur as më të voglën gjë”, ka shkruar Hasani.

Ai ka falënderuar avokatin e tij, Ymer Huruglica, për profesionalizmin dhe përkushtimin gjatë procesit, si dhe familjen, miqtë dhe bashkëpunëtorët që, sipas tij, i kanë qëndruar pranë.

“Kam besuar në drejtësi edhe atëherë kur rruga ishte e vështirë. Sot, ai besim u shpërblye me drejtësi. E vërteta mund të vonojë, por nuk humbet kurrë!”, ka përfunduar Hasani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Rahovec është hapur zyrtarisht Festa e Vjeljes së Rrushit…