Rama: Nënë Tereza, simbol i dashurisë, paqes dhe shërbimit ndaj njerëzimit
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka shënuar Ditën e Nënë Terezës me një mesazh kushtuar jetës dhe trashëgimisë së humanistes shqiptare.
Në një reagim në Facebook, Rama e ka cilësuar Nënë Terezën si një nga figurat më të fuqishme shqiptare që mishëron dashurinë, paqen dhe përkushtimin ndaj njerëzve.
Ai bëri të ditur se përkujtimi u zhvillua në Katedralen “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë, duke vënë në pah ndikimin që ajo pati në mbarë botën përmes veprës së saj humanitare.
“Në Katedralen “Shën Nënë Tereza”, përkujtuam jetën dhe veprën e saj të jashtëzakonshme, përmes së cilës preku ndërgjegjen e mbarë botës dhe u dha zë, shpresë e dinjitet atyre që ishin harruar. Trashëgimia e saj na kujton se madhështia e vërtetë qëndron në mirësi, përkushtim dhe dashuri ndaj tjetrit”, ka shkruar ai.



