Poezi nga Ugo Foscolo
MBI VETVETEN
S’jam mâ ai q’ishem; humbi nji pjésë e madhe
e ime: kjo qi teproi s’asht veç butësi e flashkët
edhe váj; e u thá myrti, e u zhgatrruen gjetht
e larit, shpresë e kângës s’ime rinore;
Sepse ç’prej ditës qi llasa e mbrapësht e Marti
më veshën me mallotën e përgjakun të tyne,
m’asht vërbue mendja e m’asht prishë zemra
e u bâ mjeshtrí në mue ploja njerzore, mjeshtrí, po, e mburrje.
Edhe po nisa e ushqeva ndonji ndjet deke ia
mbyllín dyert arsyes s’ime të rrebtë lakmija e
lavdís e dashunija birnore.
Kështu rob i vetes, e i të tjerve, e i fatit, të
mirën due por zgjedhi të keqen, edhe dij
t’a thrras dekën, por jo e vras veten.
Myrti: bushi; llasa e mbrapësht – lëvizja e mbrapësht
kryengritse; Marti – hyji i luftës; Ndjet – qëllim;
Përktheu: Ernest Koliqi
S’di kush qeshë, aq shumë prej vetes shkoi n’rrënim
S’di kush qeshë; aq shumë prej vetes shkoi n’rrënim,
E ajo që më mbetet pas është veç vaj e ligështi.
E tharrë është mirta, e gjethet e së blertës dafinë
Janë fishkur, shpresa të këngës sime në rini.
Se që nga ajo ditë kur Marsi e i paudhi guxim,
Për rrobë trupi petkun e tyre t’përgjakur më kanë dhënë,
E verbuar m’është mendja, e shprishur zemra, e arti im,
Këmbyer me krimin njerëzor, në krekosje është shtënë.
E nëse në të vdekjes këshillim ndihem përpirë
Të gjitha portat ia mbyll arsyes sime gjithë kreni
Zjarrmia e lavdisë dhe dashuria e tim bir.
I të tjerëve, i fatit, i vetvetes në skllavëri
Pas së keqes kapem e pse hiret vdekjes ia njoh mirë
Di të lutem e asaj mos i jepem me përulësi.
Përktheu: Dritan Thomollari
Mbrëmjes
Ndoshta vallë pse e fatales qetësi
Ti je imazh, për mua e shtrenjtë vjen,
O mbrëmje! Edhe kur hareshëm në dashuri
me ty, retë verore e t’ëmblit zefir i gjen,
Edhe kur n’ajrin e zallahitur me dëborë,
Errësirën e gjatë t’universit përçan,
Gjithnjë zbret e dëshiruar, e si me dorë,
Fijet sekrete të zemrës ëmbëlsisht m’i mban.
Më bën të bredh në mendime, n’at arrati
drejt Hiçit të përjetshëm; E ndërkaq fluturon
Kjo kohë fajtore, bashkë me atë mori
makthesh me të cilët ajo veten thërrmon,
Po kur unë kundroj paqen tënde, n’qetësi
fle ai shpirti luftëtar që brënda m’rrëmon.
Përktheu: Dritan Thomollari
Net ankthi
Kështu për dit të tana n’gjumë të thellë
Shushatun fshaj! por nata sterrë përmbi
Kur m’i ndez yjt e hanën farfurí,
Dhe ajri i ftohtë ndër hije hesht pështjellë;
At-herë ngadalë unë fushës tui u sjellë
Njanën mbas tjetrës nëpër pyll-shkreti
Prek plagët me të cilat fati i zi
Dashnia e bota zemrën ma banë shpellë.
Herë, lodhë, për nji trung pishe rrij pështetë,
E herë përmbysun ku tallazi rreh
Me shpresa t’mija flas tui kllapuritë.
Por shpesh harroj zemrime e fat të shkretë,
E për ty, vashë, unë rrij tui pëshpëritë:
O drit e syvet mij kush ty të fsheh?
Përktheu: Mark Ndoja
Zacintos
Jo, kurrë më s’do të kthehem brigjeve
të shenjta ku trupi im foshnjëror prehej.
Zacintua im, që shëmbëllehesh dallgëve
të detit grek, ato që të vërgjër panë të ngrihej
Afërditën, e t’i hjeshonte ata ishujt pjellorë
me buzagazin e saj të parë, pa arritur t’i pushtojë
retë e tua të kulluara e atë të pemëve kurorë,
përkulur ndaj atij që atyre ujrave u këndoj
fatin e dreqosur e mërgimin bredharak,
kur prej tyre kthyer, i bukur në famë e fatkeqësi
Uliksi i puthi Itakës truallin e shkëmbuar.
Ti asgjë s’do kesh, veç këngës së gjatë,
O toka ime amnore, nga yt bir, se është i shkruar
Për ne, fati i një të pangashëryeri varr në vetmi.
Përktheu: Dritan Thomollari
Mbarim shekulli
Ç’pret mâ? Se vate shekulli n’mbaresë,
Ku koha sos po shkon ai me u bërskotë,
Dhe merr prej teje njizet vjet të plotë
E i çon në terr, pështjellë në ftomë-harresë.
Jeta në qoftë gabim, zemrim, dënesë,
Tepër e zgjate jetën më të kotë:
Tash rro mâ mirë, dhe së përtarthmes botë
Lodhja për dije shembull le t’i jesë.
Bir i pafat, dashnor i dëshpëruem,
Pa átme, i vrazhdë me vete e me të tjerë,
I ri me vjet, e rrudhash gjithë mbuluem,
Ç’pret mâ? E shkurtë asht jeta e arti i gjatë:
Kur s’ke lavdí me punë trimnije, at-herë
Për famë me kangë lirije dò orvatë.
Përktheu: Mark Ndoja



