Hoti propozon lidership të ri në LDK: Kujtim Shala kryetar, Hykmete Bajrami kandidate për kryeministre
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe ish-kryeministri Avdullah Hoti ka folur për nevojën e një lidershipi të ri brenda partisë, duke propozuar një formulë që, sipas tij, nuk nënkupton largimin e kryetarit aktual, Lumir Abdixhiku.
Në një intervistë në RTV Dukagjini, Hoti ka thënë se një mundësi do të ishte që Kujtim Shala të marrë drejtimin e LDK-së, ndërsa Hykmete Bajrami të jetë kandidate për kryeministre.
“Kujtim Shala kryetar i LDK-së dhe Hykmete Bajrami kandidate për kryeministre”, ka deklaruar Hoti, duke shtuar se kjo do të përbënte një lidership të ri, pa e larguar Lumir Abdixhikun nga struktura e partisë.
Deklarata e Hotit vjen në një kohë kur LDK-ja po përballet me zhvillime dhe përplasje të brendshme politike, veçanërisht pas qëndrimeve të gjashtë deputetëve të saj lidhur me kandidaturën e Bekim Sejdiut për president.



