Abdixhiku iu përgjigjet Hotit dhe Bajramit: Mendoja se e kanë për parime e për Kosovë, por beteja qenka për kryetar
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, u është përgjigjur deklaratave të mbrëmshme të Avdullah Hotit dhe Hykmete Bajramit, të cilët, në dy intervista televizive, folën për nevojën e ndryshimit të lidershipit në LDK.
Hykmete Bajrami shprehu ambicien e saj për të kandiduar për kryetare të LDK-së në zgjedhjet e brendshme të vitit të ardhshëm, ndërsa Avdullah Hoti tha se Kujtim Shala duhet të jetë kryetar i partisë dhe se kandidate për kryeministre në zgjedhjet e ardhshme parlamentare duhet të jetë Hykmete Bajrami.
Abdixhiku, përmes një postimi në Facebook, ka reaguar ndaj këtyre deklaratave, duke thënë se “nuk rrotullohet shteti për një ambicie”.
“Mendoja se e kanë për parime e për Kosovë; por beteja qenka për kryetar të LDK-së për njëri-tjetrin. Për keqardhje! LDK njihet ndryshe. Me klasë politike që dikur jepte gjithçka për shtetin, jo me të atillë që do ta japë shtetin për vete. Zot, fali, kaq dinë; se populli s’ka për t’i falur!”, ka shkruar Abdixhiku.



