AKB pas rezultateve të PISA-s: Dështim i sistemit, jo i nxënësve

08 shtator 2026 | 20:43

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka reaguar pas publikimit të rezultateve të PISA-s, duke i cilësuar ato si dështim të sistemit arsimor dhe jo të nxënësve.

Nënkryetari i AKB-së, Suat Berisha, ka thënë se për gati dy dekada Kosova vazhdon të renditet ndër vendet me rezultatet më të dobëta në arsim, duke theksuar se problemi nuk mund të arsyetohet më vetëm me mungesë reformash.

“Kosovës nuk i duhet edhe një reformë në letër. I duhet një revolucion në mënyrën se si menaxhohet arsimi në Kosovë”, ka deklaruar Berisha.

Sipas tij, shkollat dhe universitetet duhet të kenë autonomi të plotë menaxhuese dhe financiare, ndërsa MASHT-i duhet të përcaktojë standardet dhe politikat kombëtare, pa ndërhyrë në çdo hallkë të sistemit.

Berisha ka kërkuar që drejtorët dhe rektorët të kenë liri në vendimmarrje, por edhe përgjegjësi të drejtpërdrejtë për rezultatet.

“Nëse sjell rezultate – shpërblehesh. Nëse dështon – përgjigjesh. Performanca, jo politika, duhet të vendosë për karrierën”, ka thënë ai.

Ai ka vlerësuar se mësimdhënësit e suksesshëm duhet të shpërblehen më shumë, ndërsa shkollat që arrijnë rezultate duhet të kenë më shumë autonomi dhe mundësi për zhvillim. Sipas tij, universitetet duhet të konkurrojnë, të krijojnë të ardhura dhe të investojnë në dije, teknologji dhe inovacion.

“Nuk mund të kërkojmë rezultate evropiane me një sistem të centralizuar, të politizuar dhe burokratik”, ka theksuar Berisha.

Ai ka kundërshtuar gjithashtu fajësimin e mësimdhënësve për rezultatet e dobëta.

“Nuk ka mësimdhënës të këqij – ka një sistem që nuk po i lejon të japin maksimumin”, është shprehur ai.

Berisha ka kritikuar politikat e ndjekura gjatë dy dekadave të fundit, duke thënë se Kosova ka “eksperimentuar me gjeneratat” dhe se kjo duhet të marrë fund.

AKB kërkon një reformë të thellë të sistemit arsimor, autonomi institucionale, llogaridhënie dhe matje reale të performancës.

“Nëse e humbim arsimin, e humbim të ardhmen e Kosovës”, ka përfunduar Berisha.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Edhe në Podujevë ka nisur “Ora e Pritjes”, e cila…