Cila është e vërteta?

09 shtator 2026 | 08:33

Kam njohur dikur një farë Benedikta, që e mbushte atmo­sferën me përsosmëri. Sytë e saj përhapnin dëshirën e madhë­shtisë, bukurisë, lavdisë dhe të gjithçkaje që të bën të besosh te pavdekësia.

Por kjo vajzë e mrekullueshme ishte shumë e bukur për të jetuar gjatë. Ajo vdiq pak ditë më vonë pasi isha njohur me të, dhe unë e varrosa vetë, një ditë kur pran­vera tundte kemtarin e saj deri te varrezat. E varrosa të mbyllur në një arkivol druri të parfumuar dhe të pakalbshëm si ai i sëndukëve të Indisë.

Dhe ndërsa sytë e mi qëndronin të ngulur mbi vendin ku ishte groposur visari im, pashë papritmas një qenie të shkurtër që ngjante çuditërisht me të ndjerën, dhe që duke shkelur me këmbë në mënyrë histerike dhe të çuditshme mbi baltën e freskët, thoshte duke u shqyer së qeshuri: “Jam unë, Benedikta e vërtetë! Jam unë, fundërrina me nam! Dhe si dënim për çmendurinë dhe kokëfortësinë tënde, ti do të më duash kështu siç jam!”

Por unë i tërbuar iu përgjigja: “Jo! Jo! Jo!” Për ta theksuar më mirë mospranimin tim, godita me shputën e këmbës aq fort mbi tokë saqë këmba u zhyt deri në gju në varrin e freskët dhe si një ujk që ka rënë në grackë, po qëndroj i ngulur ndoshta për gjithmonë, te gropa e idealit[1].

[1] Autori këtu bën një lojë fjalësh me fjalën “fosse”, që do të thotë gropë e cila shqiptohet njësoj si fjala “fausse”, që do të thotë fals.

Përktheu nga frëngjishtja: Roland Çipa. Marrë nga numri 27 i revistës “Akademia”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka njoftuar se…