Vajzat e kolonelit të ndjerë

09 shtator 2026 | 08:36

KATHERINE MANSFIELD

I

Java që pasoi ishte një nga javët më të ngarkuara të jetës së tyre. Edhe kur shkonin në shtrat ishin vetëm trupat e tyre ata që shtriheshin dhe pushonin, kurse mendjet e tyre vazhdonin të punonin, duke menduar për gjëra, duke diskutuar për to, duke pyetur veten, duke marrë vendime, duke u përpjekur të kujtonin se ku…

Constantia rrinte shtrirë si një statujë, me duart anash, këmbët vetëm pak të kryqëzuara mbi njëra-tjetrën, çarçafi deri te mjekra. Ajo vështronte tavanin.

“A mendon se babai do të mërzitej po t’ia jepnim kapelën e tij cilindrike portierit?”

“Portierit?” ia ktheu me vrull Josephine. “Pse vallë portierit? Ç’ide jashtëzakonisht e çuditshme!”

“Sepse”, tha Constantia ngadalë, “atij do t’i duhet shpesh të shkojë në varrime. Dhe vura re atje – atje te varrezat, se ai kishte vetëm një kapele bowler”. Ajo heshti pak. “Atëherë mendova se sa shumë do ta çmonte një kapele cilindrike. Duhet t’i japim edhe një dhuratë. Ai ka qenë gjithmonë shumë i sjellshëm me babanë”.

“Por”, thirri Josephine, duke u përpëlitur mbi jastëk dhe duke vështruar përtej errësirës drejt Constantias, “koka e babait!”

Dhe papritur, për një çast, asaj gati sa nuk i doli një e qeshur jo e natyrshme, se nuk ndihej aspak për të qeshur. Duhet të ishte thjesht një zakon. Vite më parë, kur rrinin zgjuar natën duke biseduar, shtretërit e tyre thjesht tundeshin nga të qeshurat. Dhe tani koka e portierit, që zhdukej, dilte përsëri si një qiri nën kapelën e babait…

E qeshura u ngrit. Ajo shtrëngoi duart, luftoi me të, e mposhti, vrenjti fytyrën me forcë në errësirë dhe tha me një ton tmerrësisht të rreptë:

“Kujtoje!”

“Mund të vendosim nesër”, tha ajo.

Constantia nuk kishte vënë re asgjë. Ajo psherëtiu.

“A mendon se duhet t’i ngjyrosim edhe rrobat tona të gjumit?”

“Të zeza?” pothuajse ulëriti Josephine.

“Epo, çfarë tjetër?” tha Constantia. “Po mendoja – në një farë mënyre nuk duket krejt e sinqertë të veshësh të zeza jashtë dhe kur jemi të veshura plotësisht, dhe pastaj, kur jemi në shtëpi”.

“Por askush nuk na sheh”, tha Josephine.

Ajo i tërhoqi mbulesat e shtratit aq fort sa të dyja këmbët iu zbuluan dhe iu desh të ngjitej lart mbi jastëkë që t’i fuste përsëri mirë nën mbulesa.

“Kate-i na sheh”, tha Constantia. “Dhe postieri fare mirë mund të na shohë”.

Josephine mendoi për shapkat e saj të kuqe të errëta, që përputheshin me rrobën e saj të gjumit, dhe për ato të Constantias, të preferuarat e saj, me një ngjyrë të papërcaktuar të gjelbër, që përputheshin me rrobën e saj.

Të zeza! Dy rroba të zeza gjumi dhe dy palë shapka leshi të zeza, që do të zvarriteshin drejt banjës si dy mace të zeza.

“Nuk mendoj se është absolutisht e domosdoshme”, tha ajo.

Një copë herë heshtje.

Pastaj Constantia tha: “Nesër do të na duhet t’ua dërgojmë gazetave njoftimin, që të kapim postën për në Cejlon… Sa letra kemi marrë deri tani?”

“Njëzet e tri”.

Josephine u ishte përgjigjur të gjithave dhe njëzet e tri herë, kur arrinte te fjalët “Na mungon aq shumë babai ynë i dashur”, ishte përlotur dhe i ishte dashur ta përdorte shaminë e saj, madje në disa prej tyre edhe të thithte një pikë loti fare të lehtë në ngjyrë blu me një cep letre thithëse.

E çuditshme!

Nuk mund ta kishte bërë me qëllim, se njëzet e tri herë.

Edhe tani, kur i përsëriste me trishtim me vete: “Na mungon aq shumë babai ynë i dashur”, mund të kishte qarë po të kishte dashur.

“A ke mjaft pulla?” erdhi pyetja nga Constantia.

“Oh, si mund ta di?” tha Josephine me nervozizëm. “Ç’të duhet të më pyesësh për këtë tani?”

“Thjesht po pyesja”, tha Constantia me qetësi.

Përsëri heshtje e shkurtër.

U dëgjua një fëshfërimë e vogël, një vrapim i shpejtë, një kërcim.

“Një mi”, tha Constantia.

“Nuk mund të jetë mi, sepse nuk ka asnjë thërrime”, tha Josephine.

“Por ai nuk e di që nuk ka”, tha Constantia.

Një ngërç mëshire ia shtrëngoi zemrën.

I shkreti i vogël!

U pendua që nuk kishte lënë një copëz fare të vogël biskote mbi tryezën e tualetit. Ishte e tmerrshme të mendoje se mund të mos gjente asgjë.

Çfarë do të bënte?

“Nuk mund ta kuptoj si arrijnë të jetojnë”, tha ajo ngadalë.

“Kush?” pyeti Josephine.

Dhe Constantia tha, më me zë nga ç’kishte ndër mend:

“Minjtë”.

Josephine u tërbua.

“Oh, ç’budallallëqe, Con!” tha ajo. “Çfarë lidhjeje kanë minjtë me këtë? Je në gjumë”.

“Nuk mendoj se jam”, tha Constantia.

Ajo mbylli sytë për t’u siguruar.

Ishte në gjumë.

Josephine harkoi shpinën, tërhoqi gjunjët lart, kryqëzoi krahët në mënyrë që grushtet t’i mbështeteshin nën veshë dhe e shtypi faqen fort pas jastëkut.

 

II

Një tjetër gjë që i ndërlikonte punët ishte se infermierja Andrews po qëndronte ende me to atë javë. Ishte faji i tyre; ato vetë e kishin ftuar. Ishte ideja e Josephines.

Atë mëngjes epo, mëngjesin e fundit, pasi kishte ikur doktori – Josephine i kishte thënë Constantias: “A nuk mendon se do të ishte mjaft bukur sikur t’i kërkonim infermieres Andrews të qëndronte edhe një javë si mysafire e jona?”

“Shumë bukur”, tha Constantia.

“Mendova”, vazhdoi shpejt Josephine, “që këtë pasdite, pasi ta kem paguar, t’i them: ‘Unë dhe motra ime do të ishim shumë të kënaqura, pas gjithë asaj që keni bërë për ne, infermiere Andrews, nëse do të qëndronit edhe një javë si mysafire e jona’. Do të më duhej patjetër të përmendja se do të ishte mysafire, për çdo rast”.

“Oh, por ajo vështirë se do të priste të paguhej!” thirri Constantia.

“Nuk i dihet kurrë”, tha Josephine me urtësi.

Natyrisht, infermierja Andrews e kishte pritur me shumë entuziazëm idenë, por ishte një bezdi. Kjo do të thoshte se ato duhej të hanin vakte të rregullta, ulur në tavolinë dhe në oraret e duhura ndërsa, po të kishin qenë vetëm, thjesht mund t’i kishin kërkuar Kateit nëse nuk do ta kishte bezdi t’ua sillte një tabaka kudo që ndodheshin.

Dhe oraret e vakteve, tani që tensioni kishte kaluar, ishin disi një sprovë.

Infermierja Andrews ishte thjesht e tmerrshme kur bëhej fjalë për gjalpin. Në të vërtetë, ato nuk mund të mos ndienin se, të paktën për sa i përkiste gjalpit, ajo po përfitonte nga mirësia e tyre.

Dhe kishte atë zakonin e tmerrshëm të kërkonte edhe vetëm një centimetër bukë më shumë për të mbaruar atë që kishte në pjatë, e pastaj, në kafshatën e fundit, krejt pa mendje, natyrisht, nuk ishte aspak pa mendje, të merrte edhe një racion tjetër.

Josephine skuqej shumë kur ndodhte kjo dhe ngulte sytë e saj të vegjël, si rruaza, mbi mbulesën e tavolinës, sikur të shihte një insekt të vogël e të çuditshëm që zvarritej nëpër fijet e saj.

Por fytyra e gjatë dhe e zbehtë e Constantias zgjatej edhe më shumë dhe ngurtësohej, ndërsa ajo vështronte tutje-tutje, përtej shkretëtirës, atje ku ajo varg deveje shtrihej e dredhërohej si një fije leshi….

“Kur isha me Lady Tukes”, tha infermierja Andrews, “ajo kishte një pajisje kaq të vogël dhe elegante për gjalpin. Ishte një Kupid i argjendtë, i ekuilibruar mbi buzën e një pjate qelqi, që mbante një pirun të vogël. Dhe kur doje pak gjalpë, thjesht i shtypje këmbën dhe ai përkulej e të shponte një copë gjalpë me pirun. Ishte krejt një lojë”.

Josephine mezi e përballoi.

Por e vetmja gjë që tha ishte: “Mendoj se gjëra të tilla janë shumë të kushtueshme”.

“Po pse?” pyeti infermierja Andrews, duke buzëqeshur përmes syzeve. “Askush, me siguri, nuk do të merrte më shumë gjalpë sesa i duhej, apo jo?”

“Bjeri ziles, Con”, thirri Josephine.

Ajo nuk i besonte vetes se mund t’i përgjigjej.

Dhe Katei i ri e krenar, princesha e magjepsur, hyri për të parë se çfarë donin tani këto dy plaka të vjetra.

Ajo ua rrëmbeu pjatat me atë lloj gjelle të dyshimtë që kishin përpara dhe e përplasi mbi tavolinë një blancmange të bardhë e të frikësuar.

“Reçel, të lutem, Kate”, tha Josephine me mirësi.

Katei u gjunjëzua dhe hapi me forcë derën anësore të bufesë, ngriti kapakun e kavanozit të reçelit, pa se ishte bosh, e vendosi mbi tavolinë dhe u largua me hapa të rëndë.

“Kam frikë”, tha infermierja Andrews pak më vonë, “se nuk ka”.

“Oh, çfarë bezdie!” tha Josephine.

Ajo kafshoi buzën.

“Çfarë duhet të bëjmë?”

Constantia dukej e pasigurt.

“Nuk mund ta shqetësojmë përsëri Katein”, tha ajo butë.

Infermierja Andrews priti, duke u buzëqeshur të dyjave. Sytë i endeshin andej-këndej duke vëzhguar gjithçka.

Constantia, në dëshpërim, u kthye përsëri te devetë.

Josephine vrenjti rëndë vetullat dhe u përqendrua.

Po të mos kishte qenë kjo grua idiote, ajo dhe Con, do ta kishin ngrënë blancmangein e tyre edhe pa reçel.

Papritur i erdhi ideja.

“E di”, tha ajo. “Marmelatë. Ka pak marmelatë në bufe. Merre, Con”.

“Shpresoj”, qeshi infermierja Andrews, dhe e qeshura e saj ishte si tingëllima e një luge që përplaset me një gotë ilaçi, “shpresoj të mos jetë marmelatë shumë e hidhur”.

 

III

Por, në fund të fundit, nuk kishte mbetur edhe aq shumë kohë dhe pastaj ajo do të largohej përgjithmonë.

Dhe nuk mund të mohohej fakti se ajo kishte qenë shumë e sjellshme me babanë. Ajo ishte kujdesur për të ditë e natë.

Në të vërtetë, si Constantia, ashtu edhe Josephine, mendo­nin fshehurazi se ajo e kishte tepruar disi me këmbënguljen për të mos e lënë atë vetëm në çastet e fundit.

Sepse, kur ato kishin hyrë për t’i dhënë lamtumirën, infer­mierja Andrews kishte qëndruar pranë shtratit të tij gjatë gjithë kohës, duke i mbajtur kyçin e dorës dhe duke bërë sikur shikonte orën.

Kjo nuk mund të kishte qenë e nevojshme.

Ishte edhe kaq pa takt.

Po sikur babai të kishte dashur t’u thoshte diçka private vetëm atyre?

Jo se kishte thënë ndonjë gjë të tillë.

Oh, aspak!

Ai ishte shtrirë aty, me fytyrën ngjyrë vjollcë, një vjollcë të errët dhe të zemëruar, dhe as nuk i kishte parë kur ato kishin hyrë.

Pastaj, ndërsa ato qëndronin aty, duke pyetur veten se çfarë duhej të bënin, ai kishte hapur papritur njërin sy.

Oh, çfarë ndryshimi do të kishte bërë kjo, çfarë ndryshimi do të kishte sjellë në kujtimin që do të kishin për të, sa më e lehtë do të ishte t’u tregonin të tjerëve për atë çast, sikur ai të kishte hapur të dy sytë.

Por jo, vetëm njërin sy.

Ai i vështroi me një vështrim të egër për një çast dhe pastaj… u fik.

 

IV

Kjo ua kishte bërë situatën mjaft të sikletshme kur zoti Farolles, nga St. John’s, erdhi për vizitë po atë pasdite.

“Fundi ishte krejt i qetë, besoj?” ishin fjalët e para që tha ai, ndërsa u afrua drejt tyre duke rrëshqitur përmes dhomës së errët të pritjes.

“Krejt”, tha Josephine me zë të mekur. Të dyja ulën kokën. Të dyja ishin të bindura se ai sy nuk kishte qenë aspak sy i qetë.

“Nuk do të uleni?” tha Josephine.

“Faleminderit, zonjusha Pinner!”, tha zoti Farolles me mirënjohje. Ai mblodhi cepat e pasmë të palltos dhe nisi të ulej në kolltukun e të atit, por sapo e preku, pothuajse kërceu përsëri në këmbë dhe rrëshqiti në kolltukun tjetër.

Ai u kollit. Josephine shtrëngoi duart, kurse Constantia dukej e hutuar.

“Dua që ju të ndieni, zonjusha Pinner”, tha zoti Farolles, “dhe edhe ju, zonjusha Constantia, se po përpiqem t’ju ndih­moj. Dua t’ju ndihmoj të dyjave, nëse ma lejoni. Këto janë ato kohë”, tha zoti Farolles, shumë thjesht dhe me gjithë zemër, “kur Zoti dëshiron që ne të ndihmojmë njëri-tjetrin”.

“Ju falënderojmë shumë, zoti Farolles!”, thanë Josephine dhe Constantia.

“Mos e përmendni”, tha zoti Farolles butësisht. Ai kaloi dorezat prej lëkure të hollë mes gishtërinjve dhe u përkul përpara. “Dhe nëse ndonjëra prej jush do të donte të merrte pak Kungim, njëra ose të dyja, këtu dhe tani, mjafton të ma thoni. Pak Kungim shpesh është shumë ndihmues – një ngushëllim i madh”, shtoi ai me butësi.

Por ideja e një Kungimi të vogël i tmerroi. Çfarë?! Në dhomën e pritjes, vetëm me të, pa altar apo ndonjë gjë të tillë. Pianoja do të ishte shumë e lartë, mendoi Constantia, dhe zoti Farolles nuk do të mundej kurrsesi të përkulej mbi të me kupën e Kungimit. Dhe Kate me siguri do të hynte vrullshëm dhe do t’i ndërpriste, mendoi Josephine. Po sikur të binte zilja në mes të ceremonisë? Mund të ishte dikush i rëndësishëm për çështjen e zisë së tyre. A do të duhej të ngriheshin me nderim dhe të dilnin, apo do të duhej të prisnin… në torturë?

“Ndoshta mund të më dërgoni një shënim me Katen tuaj të mirë, nëse do ta dëshironit më vonë”, tha zoti Farolles.

“Oh, po, ju falënderojmë shumë!” thanë të dyja.

Zoti Farolles u ngrit dhe mori kapelën e tij të zezë prej kashte nga tavolina e rrumbullakët.

“Dhe për varrimin”, tha ai butësisht. “Mund ta rregulloj unë si miku i vjetër i të atit tuaj dhe i juaji, zonjusha Pinner dhe ju, zonjusha Constantia?”

Josephine dhe Constantia u ngritën gjithashtu.

“Do të doja të ishte krejt i thjeshtë”, tha Josephine me vendosmëri, “dhe jo shumë i shtrenjtë. Në të njëjtën kohë, do të doja…”

“Një të mirë që të zgjasë”, mendoi Constantia e përhumbur, sikur Josephine të ishte duke blerë një këmishë nate. Por, sigurisht, Josephine nuk e tha këtë. “Një që t’i përshtatet pozitës së babait tonë”.

“Do të kaloj te miku ynë i mirë, zoti Knight”, tha zoti Farolles për ta qetësuar. “Do t’i kërkoj të vijë t’ju takojë. Jam i sigurt se do ta gjeni vërtet shumë të dobishëm”.

 

V

Epo, sidoqoftë, e gjithë ajo pjesë kishte përfunduar, ndonëse asnjëra prej tyre nuk mund ta besonte dot se babai nuk do të kthehej më kurrë. Josephine kishte përjetuar një çast tmerri të plotë në varreza, ndërsa arkivoli po ulej në tokë, kur mendoi se ajo dhe Constantia e kishin bërë këtë gjë pa i kërkuar lejen atij. Çfarë do të thoshte babai kur ta merrte vesh? Sepse herët a vonë, ai patjetër do ta merrte vesh. Ai e merrte vesh gjithmonë.

“Varrosur. Ju të dyja vajzat më keni varrosur!”

Ajo dëgjoi shkopin e tij duke goditur dyshemenë. Oh, çfarë do t’i thoshin? Çfarë justifikimi të mundshëm mund të gjenin? Tingëllonte si një veprim tmerrësisht i pashpirt. Si një përfitim i lig që i bëhej dikujt vetëm sepse, për momentin, ai ndodhej i pafuqishëm. Njerëzit e tjerë dukej se e trajtonin të gjithë këtë si diçka krejt të zakonshme. Ata ishin të huaj; nuk mund të pritej që ta kuptonin se babai ishte personi i fundit të cilit duhej t’i ndodhte një gjë e tillë. Jo, e gjithë faji për këtë do të binte mbi të dhe Constantian.

Dhe shpenzimi, mendoi ajo, ndërsa hipte në karrocën me kuaj, me ulëset e ngushta e të mbërthyera fort. Kur të duhej t’i tregonte atij faturat. Çfarë do të thoshte atëherë?

E dëgjoi atë duke ulëritur me të madhe:

“Dhe prisni që unë të paguaj për këtë ekskursionin tuaj prej hiçgjëje?”

“Oh”, rënkoi me zë të lartë e gjora Josephine, “nuk duhej ta kishim bërë, Con!”

Dhe Constantia, e zbehtë si një limon mes gjithë asaj të zeze, tha me një pëshpërimë të frikësuar: “Çfarë kemi bërë, Jug?”

“Të lejojmë ta varrosin babanë ashtu”, tha Josephine, duke shpërthyer në vaj dhe duke qarë në shaminë e saj të re të zisë, që mbante një erë të çuditshme.

“Po çfarë tjetër mund të kishim bërë?” pyeti Constantia e habitur. “Nuk mund ta mbanim, Jug – nuk mund ta mbanim pa e varrosur. Sidoqoftë, jo në një apartament të asaj madhësie”.

Josephine fshiu hundët. Karroca ishte tmerrësisht e mbytur.

“Nuk e di”, tha ajo e dëshpëruar. “E gjithë kjo është kaq e tmerrshme. Mendoj se duhej të kishim provuar, të paktën për ca kohë. Për t’u siguruar plotësisht, një gjë është e sigurt”, dhe lotët i shpërthyen përsëri, “babai s’do të na e falë kurrë këtë, kurrë!”

 

VI

Babai nuk do t’ua falte kurrë. Kjo ishte ajo që ndienin më shumë se kurrë kur, dy mëngjese më vonë, hynë në dhomën e tij për të kaluar nëpër sendet e tij. E kishin diskutuar këtë gjë fare qetësisht. Madje ishte shënuar në listën e gjërave që duhe­shin bërë nga Josephine:

Të kalojmë nëpër sendet e babait dhe të vendosim çfarë do të bëjmë me to”.

Por kjo ishte një çështje krejt tjetër nga të thënat pas mëngje­sit:

“Epo, a je gati, Con?”

“Po, Jug, kur të jesh edhe ti”.

“Atëherë mendoj se më mirë ta kryejmë”.

Korridori ishte i errët. Për vite me radhë kishte qenë rregull që të mos e shqetësonin babanë në mëngjes, çfarëdo që të ndodhte. Dhe tani ato do ta hapnin derën pa trokitur madje…

Sytë e Constantias u bënë të stërmëdhenj vetëm nga men­dimi. Josephine ndjeu dobësi në gjunjë.

“Ti hyr e para”, gulçoi ajo, duke e shtyrë Constantian.

Por Constantia tha, siç kishte thënë gjithmonë në raste të tilla: “Jo, Jug, nuk është e drejtë. Ti je më e madhja”.

Josephine sapo po bëhej gati të thoshte diçka që në rrethana të tjera nuk do ta pranonte për asgjë në botë, diçka që e ruante si armën e saj të fundit: “Por ti je më e gjata”, kur vunë re se dera e kuzhinës ishte e hapur dhe aty qëndronte Kate…

“Shumë e fortë”, tha Josephine, duke kapur dorezën e derës dhe duke bërë çmos ta kthente.

Pastaj dera u mbyll pas tyre, por ato nuk ndodheshin aspak në dhomën e babait. Mund të kishin kaluar papritur përmes murit, gabimisht, dhe të kishin hyrë në një apartament krejt tjetër. A ishte dera pas tyre? Ishin tepër të frikësuara për të parë. Josephine e dinte se, nëse ishte aty, ajo po mbahej e mbyllur fort. Constantia ndiente se, si dyert në ëndrra, ajo nuk kishte fare dorezë.

Ishte ftohtësia ajo që e bënte gjithçka kaq të tmerrshme. Apo bardhësia, cila?

Gjithçka ishte e mbuluar. Grilat ishin ulur, një pëlhurë mbulonte pasqyrën, një çarçaf fshihte shtratin; një erashkë e madhe prej letre të bardhë mbushte oxhakun.

Constantia zgjati me druajtje dorën; pothuajse priste që të binte një flokë dëbore. Josephine ndjeu një therje të çuditshme në hundë, sikur hunda po i ngrinte.

Pastaj një karrocë kaloi poshtë mbi kalldrëm, duke bërë klop-klop, dhe qetësia dukej sikur u drodh e u bë copë-copë.

“Duhet të ngre një nga grilat”, tha Josephine me guxim.

“Po, ndoshta, do të ishte mirë”, pëshpëriti Constantia.

Ato vetëm sa e prekën grilën, por ajo u ngrit me vrull dhe kordoni u tërhoq pas saj, duke u mbështjellë rreth shkopit të grilës, ndërsa thekët e vegjël trokitën sikur po përpiqeshin të çliroheshin.

Kjo ishte tepër për Constantian.

“Nuk mendon se mund ta shtynim për një ditë tjetër?” pëshpëriti ajo.

“Pse?” ia ktheu me nervozë Josephine, e cila, si zakonisht, ndihej shumë më mirë tani që e dinte me siguri se Constantia ishte e tmerruar. “Duhet bërë. Por do të doja shumë të mos pëshpëritje, Con”.

“Nuk e dija që po pëshpëritja”, pëshpëriti Constantia.

“Dhe pse vazhdon të ngulësh sytë te shtrati?” tha Josephine, duke ngritur zërin pothuajse me sfidë. “Nuk ka asgjë mbi shtrat”.

“Oh, Jug, mos e thuaj këtë!” tha e gjora Connie. “Të paktën jo kaq me zë të lartë”.

Vetë Josephine e ndjeu se kishte shkuar shumë larg. Ajo bëri një hark të gjerë drejt komodinës, zgjati dorën, por e tërhoqi menjëherë.

“Connie!” gulçoi ajo dhe u kthye me vrull, duke u mbësh­tetur me shpinë pas komodinës.

“Oh, Jug, çfarë?”

Josephine vetëm mund ta shikonte me ngulm.

Kishte ndjesinë më të jashtëzakonshme se sapo kishte shpëtuar nga diçka krejtësisht e tmerrshme.

Por si mund t’ia shpjegonte Constantias se babai ishte brenda komodinës?

Ai ishte në sirtarin e sipërm, me shamitë dhe kravatat e tij, ose në sirtarin tjetër me këmishët dhe pizhamet, ose në sirtarin më të poshtëm nga të gjithë, me kostumet e tij.

Ai po rrinte aty, i fshehur, fare pranë dorezës së derës, gati të hidhej jashtë.

Ajo i bëri Constantias një fytyrë të çuditshme, të modës së vjetër, pikërisht siç bënte dikur, në kohët e vjetra, kur ishte gati të qante.

“Nuk mund ta hap”, tha dhe gati sa nuk vajtoi.

“Jo, mos e bëj, Jug”, pëshpëriti Constantia me seriozitet. “Është shumë më mirë të mos e hapësh. Të mos hapim asgjë. Të paktën, jo për një kohë të gjatë”.

“Por duket kaq e dobët”, tha Josephine, duke u dorëzuar.

“Po pse të mos jemi të dobëta për një herë, Jug?” argumentoi Constantia, duke pëshpëritur pothuajse me egërsi. “Nëse kjo është dobësi”.

Dhe vështrimi i saj i zbehtë fluturoi nga tavolina e shkrimit e kyçur, aq e sigurt,. te gardëroba e madhe që shkëlqente, dhe ajo filloi të merrte frymë në mënyrë të çuditshme, me gulçime të shkurtra.

“Pse të mos jemi të dobëta për një herë në jetën tonë, Jug? Është krejt e falshme. Le të jemi të dobëta, bëhu e dobët, Jug. Është shumë më bukur të jesh e dobët sesa e fortë”.

Pastaj bëri një nga ato gjërat jashtëzakonisht të guximshme që kishte bërë vetëm rreth dy herë më parë gjatë jetës së tyre:

Ajo marshoi drejt gardërobës, ktheu çelësin dhe e nxori nga brava.

E nxori nga brava dhe ia ngriti Josephines, duke i treguar Josephines me buzëqeshjen e saj të jashtëzakonshme se e dinte se çfarë kishte bërë, kishte rrezikuar me vetëdije mundësinë që babai të ndodhej aty brenda, mes palltove.

Nëse gardëroba e madhe do të ishte lëkundur përpara, do të ishte rrëzuar mbi Constantian dhe do ta kishte shtypur, Josephine nuk do të ishte habitur. Përkundrazi, do ta kishte menduar se kjo ishte e vetmja gjë e përshtatshme që mund të ndodhte. Por nuk ndodhi asgjë. Vetëm se dhoma dukej më e heshtur se kurrë, ndërsa flokët më të mëdhenj të ajrit të ftohtë binin mbi shpatullat dhe gjunjët e Josephines.

Ajo filloi të dridhej.

“Eja, Jug”, tha Constantia, ende me atë buzëqeshje të tmerrshme, të pashpirt, dhe Josephine e ndoqi, ashtu siç kishte bërë herën e fundit, kur Constantia e kishte shtyrë Bennyn në pellgun e rrumbullakët.

 

VII

Por sforcimi u bëri efekt kur u kthyen në dhomën e ngrënies. U ulën, krejt të drobitura, dhe vështruan njëra-tjetrën.

– Nuk ndiej se mund t’i hyj ndonjë pune si duhet, – tha Josephine, – pa marrë diçka. A mendon se mund t’i kërkojmë Kateit të na sjellë dy filxhanë me ujë të nxehtë?

– Vërtet nuk shoh përse të mos mundemi, – tha Constantia me kujdes. Tani ishte krejt normale përsëri. – Nuk do t’i bie ziles. Do të shkoj te dera e kuzhinës dhe do t’ia kërkoj.

– Po, shko, – tha Josephine, duke u fundosur në një karrige. – Thuaji, vetëm dy filxhanë, Con, asgjë tjetër – në një tabaka.

– As nuk ka nevojë ta vërë ibrikun në tabaka, apo jo? – tha Constantia, sikur Kate fare mirë mund të ankohej nëse ibriku do të ishte aty.

– Oh, jo, sigurisht që jo! Ibriku nuk është aspak i nevojshëm. Mund ta derdhë ujin drejtpërdrejt nga çajniku, – thirri Josephine, duke ndier se kjo do të ishte vërtet një kursim pune.

Buzët e tyre të ftohta dridheshin mbi buzët e gjelbra të filxhanëve. Josephine i mbështolli duart e saj të vogla e të kuqe rreth filxhanit; Constantia u drejtua dhe fryu mbi avullin e valëzuar, duke e bërë atë të lëkundej nga njëra anë në tjetrën.

– Meqë ra fjala për Bennyn, – tha Josephine.

Dhe megjithëse Benny nuk ishte përmendur më parë, Constantia menjëherë mori pamjen sikur ai të ishte përmendur.

– Ai do të presë që t’i dërgojmë diçka të babait, sigurisht. Por është kaq e vështirë të dish se çfarë mund t’i dërgosh në Cejlon.

– Do të thuash se gjërat shkëputen gjatë udhëtimit, -murmuriti Constantia.

– Jo, humbasin, – tha Josephine prerë. – E di që nuk ka postë. Vetëm korrierë.

Të dyja pushuan së foluri sapo panë një burrë të zi, me të brendshme prej liri të bardhë, duke vrapuar me të katra nëpër fushat e zbehta, me një pako të madhe prej letre të kaftë në duar. Burri i zi në përfytyrimin e Josephineit ishte i vogël; vraponte me hapa të shpejtë, duke shkëlqyer si një milingonë. Por te burri i gjatë e i hollë që përfytyronte Constantia kishte diçka të verbër dhe të palodhur, gjë që e bëri të vendoste se ai ishte, në të vërtetë, një njeri mjaft i pakëndshëm….

Në verandë, i veshur tërësisht me të bardha dhe me një helmetë prej tape në kokë, qëndronte Benny. Dora e tij e djathtë lëvizte lart e poshtë, ashtu siç bënte dora e babait kur ai bëhej i paduruar. Dhe pas tij, krejtësisht e painteresuar, rrinte Hilda, kunata e panjohur. Ajo lëkundej në një karrige prej kallami dhe shfletonte faqet e Tatler-it.

– Mendoj se ora e tij do të ishte dhurata më e përshtatshme, – tha Josephine.

Constantia ngriti kokën. Dukej e befasuar.

– Oh, do t’ia besoje një ore floriri një vendasi?

– Por sigurisht, do ta maskoja, -tha Josephine. – Askush nuk do ta dinte se ishte orë.

I pëlqente ideja që duhej të përgatiste një pako me një formë aq të çuditshme, sa askush të mos mund ta merrte me mend se çfarë kishte brenda. Madje, për një çast, mendoi ta fshihte orën në një kuti të ngushtë kartoni për korse, të cilën e kishte ruajtur prej kohësh, duke pritur që një ditë t’i hynte në punë për diçka. Ishte karton aq i bukur dhe i fortë. Por jo, nuk do të ishte e përshtatshme për këtë rast. Mbi të kishte shkrimin: Medium Women’s 28. Extra Firm Busks. Do të ishte pothuajse tepër e madhe befasia për Bennyn nëse do ta hapte atë kuti dhe do të gjente brenda orën e babait.

– Dhe, sigurisht, nuk është se do të shkonte duke… takuar, dua të them, – tha Constantia, e cila ende po mendonte për dashurinë e vendasve për bizhuteritë. – Të paktën, – shtoi ajo, – do të ishte shumë e çuditshme nëse do të bënte ende tik-tak pas gjithë asaj kohe.

 

VIII

Josephine nuk u përgjigj. Ajo papritur kishte menduar për Cyrilin. A nuk ishte më e zakonshme që ora t’i takonte nipit të vetëm? Dhe pastaj, i dashuri Cyril ishte aq mirënjohës, dhe një orë floriri do të kishte shumë rëndësi për një djalë të ri. Benny, me shumë gjasë, e kishte hequr fare zakonin e mbajtjes së orës; burrat rrallëherë mbanin jelek në ato klima të nxehta. Ndërsa Cyrili në Londër i vishte jelekët gjatë gjithë vitit. Dhe do të ishte aq bukur për të dhe Constantian kur ai të vinte për çaj, ta dinin se ora ishte aty.

– Shoh që e ke vënë orën e gjyshit, Cyril.

Do të ishte, në një farë mënyre, kaq e kënaqshme.

I dashuri djalë, çfarë goditjeje kishte qenë letra e tij e vogël, e ëmbël dhe plot mirëkuptim! Sigurisht, ato e kuptonin plotë­sisht; por ishte vërtet shumë për të ardhur keq.

– Do të kishte qenë një kënaqësi e madhe ta kishim këtu, -tha Josephine.

– Dhe ai do ta kishte shijuar aq shumë, – tha Constantia, pa e menduar se çfarë po thoshte.

Gjithsesi, sapo të kthehej, ai do të vinte për çaj te hallat e tij. Çaji ishte një nga kënaqësitë e tyre të rralla.

– Tani, Cyril, nuk duhet të trembesh nga ëmbëlsirat tona. Halla Con dhe unë i blemë te Buszard’s këtë mëngjes. E dimë se çfarë oreksi ka një burrë. Prandaj mos ki turp të pish një çaj të bollshëm.

Josephine e preu pa kursim tortën e pasur e të errët, e cila përfaqësonte për të një palë doreza dimri ose shollimin dhe riparimin e thembrave të këpucëve të vetme të denja që kishte Constantia. Por Cyrili ishte krejt i pamaskulshëm për sa i përket oreksit.

– Po të them, Halla Josephine, thjesht nuk mundem. Sapo kam ngrënë drekë, e dini.

– Oh, Cyril, kjo nuk mund të jetë e vërtetë. Është pas orës katër, – thirri Josephine.

Constantia rrinte me thikën pezull mbi rrotullën me çoko­llatë.

– Është, sidoqoftë…, – tha Cyril. – Duhej të takoja një njeri në Victoria dhe prita derisa hëngra drekë. Dhe ai më dha – uf – Cyril vuri dorën në ballë -një drekë të jashtëzakonshme, – tha ai.

– Por do të hash një beze, apo jo, Cyril? – tha halla Josephine. – Këto beza u blenë posaçërisht për ty. Babai yt i dashur i kishte shumë qejf. Ishim të sigurta se edhe ti i pëlqen.

– Më pëlqejnë, halla Josephine, – tha Cyril me zjarr. – A të pengon nëse marr gjysmën për fillim?

– Aspak, djalë i dashur; por nuk duhet të të lëmë të shpëtosh vetëm me aq.

– Babai yt i dashur ende i ka kaq shumë qejf bezat? – pyeti halla Con butë. Ajo u step lehtë ndërsa çante lëvozhgën e bezes së saj.

– Epo, nuk e di tamam, halla Con, – tha Cyril me shkujdesje.

Në atë çast të dyja ngritën kokën.

– Nuk e di? – pyeti habitshëm Josephine.

– Nuk di një gjë të tillë për babanë tënd, Cyril? – tha halla Con butë.

Cyril u përpoq ta kalonte me të qeshur.

– Oh, mirë, – tha ai, – ka kaq shumë kohë që…

Ai u hutua. Fytyrat e tyre ishin tepër të rënda për të.

– Edhe kështu, – tha Josephine.

Dhe Halla Con e vështroi.

Cyril e la filxhanin e çajit.

– Pritni pak, – thirri ai. – Prisni pak, halla Josephine. Çfarë po mendoj unë?

Ai ngriti kokën. Ato kishin filluar të ndriçonin në fytyrë.

Cyril i ra gjurit me pëllëmbë.

– Sigurisht, – tha ai, – ishin bezat. Si mund ta kisha harruar? Po, halla Josephine, ke plotësisht të drejtë. Babai është jashtë­zakonisht i dhënë pas bezave.

Halla Josephine u bë flakë e kuqe nga kënaqësia. Halla Con lëshoi një psherëtimë shumë të thellë.

– Dhe tani, Cyril, duhet të shkosh ta shohësh babanë, – tha Josephine. – Ai e di që ti do të vije sot?

– Patjetër, – tha Cyril, shumë vendosmërisht dhe me gjithë zemër.

U ngrit nga karrigia; papritur hodhi sytë nga ora.

– Meqë ra fjala, halla Con, a nuk është ora juaj pak mbrapa? Duhet të takoj një njeri në… në Paddington, pak pas orës pesë. Kam frikë se nuk do të mund të rri shumë gjatë me gjyshin.

– Oh, ai nuk do të presë që të rrish shumë gjatë! – tha halla Josephine.

Constantia ende po vështronte orën. Nuk po arrinte të vendoste nëse ishte përpara apo prapa. Ishte njëra ose tjetra, për këtë ndihej pothuajse e sigurt. Gjithsesi, kishte qenë.

Cyril ende qëndronte aty.

– A nuk po vjen edhe ti, halla Con?

– Sigurisht, – tha Josephine, – do të shkojmë të gjithë. Eja, Con!

 

IX

Trokitën në derë dhe Cyrili i ndoqi hallat e tij brenda në dhomën e nxehtë, me një erë të ëmbël të rëndë, të gjyshit.

– Hajde, – tha Gjyshi Pinner. – Mos rri aty. Çfarë ka? Çfarë keni bërë?

Ai ishte ulur përpara një zjarri që flakëronte furishëm, duke shtrënguar bastunin. Mbi gjunjë kishte një qilim të trashë. Në prehrin e tij qëndronte një shami e bukur prej mëndafshi, me ngjyrë të verdhë të zbehtë.

– Është Cyrili, baba, – tha Josephine me ndrojtje.

Dhe e kapi Cyrilin për dore dhe e drejtoi përpara.

– Mirëdita, gjysh, – tha Cyrili, duke u përpjekur ta lironte dorën nga dora e hallës Josephine.

Gjyshi Pinner i hodhi sytë Cyrilit në atë mënyrën për të cilën ishte i famshëm.

Ku ishte halla Con?

Ajo qëndronte në anën tjetër të hallës Josephine. Krahët e saj të gjatë i vareshin përpara; duart i kishte të mbledhura. Nuk i largonte sytë nga gjyshi.

– Epo, – tha – gjyshi Pinner, duke filluar të rrihte dyshemenë me bastun, – çfarë ke për të më thënë?

Çfarë kishte ai, çfarë kishte për t’i thënë?

Cyrili e ndjeu veten duke buzëqeshur si një idiot i përsosur.

Edhe dhoma ishte mbytëse nga nxehtësia.

Por halla Josephine i erdhi në ndihmë.

Ajo tha me gjallëri:

– Cyrili thotë se babai i tij ende i ka shumë qejf bezat, baba i dashur.

– Hë? – tha gjyshi Pinner, duke e harkuar dorën si një guaskë vjollcë bezeje mbi njërin vesh.

Josephine përsëriti:

– Cyrili thotë se babai i tij ende i ka shumë qejf bezat.

– Nuk dëgjoj, – tha plaku kolonel Pinner.

Dhe e largoi Josephinein me një lëvizje të bastunit, pastaj tregoi me bastun nga Cyrili.

– Më thuaj ti çfarë po përpiqet të thotë ajo, – tha.

O Zot! Duhet ta them unë? – tha Cyrili duke u skuqur dhe duke parë hallën Josephine.

– Thuaje, djalë i dashur, – buzëqeshi ajo. – Do ta gëzojë shumë.

– Hajde, nxirre nga goja! – thirri Kolonel Pinneri me padurim, duke filluar përsëri të rrihte me bastun.

Dhe Cyrili u përkul përpara dhe bërtiti:

– Babai ende i ka shumë qejf bezat!

Atëherë Gjyshi Pinner kërceu sikur ta kishin qëlluar.

– Mos bërtit! – thirri ai. – Çfarë ka ky djalë? Beza! Çfarë ka me to?

– Oh, halla Josephine, a duhet të vazhdojmë? -rënkoi Cyrili i dëshpëruar.

– Është krejt në rregull, djalë i dashur, – tha halla Josephine, sikur ai dhe ajo të ishin bashkë te dentisti. – Do ta kuptojë për një minutë.

Dhe i pëshpëriti Cyrilit:

– E di, ai po bëhet pak i shurdhër.

Pastaj u përkul përpara dhe i bërtiti me të madhe gjyshit Pinner:

– Cyrili vetëm donte të të thoshte, baba i dashur, se babai i tij ende i ka shumë qejf bezat.

Këtë herë Koloneli Pinner e dëgjoi dhe u zhyt në mendime, duke e vështruar Cyrilin nga koka te këmbët.

– Çfarë gjëje e çuditshme! – tha gjyshi Pinner. – Çfarë gjëje e çuditshme të vish gjithë këtë rrugë deri këtu vetëm për të më thënë këtë.

Dhe Cyrili ndjeu se vërtet ishte e çuditshme.

– Po, do t’ia dërgoj Cyrilit orën, – tha Josephine.

– Kjo do të ishte shumë bukur, – tha Constantia. – Më duket se më kujtohet që herën e fundit kur erdhi, pati një problem të vogël me orën.

 

X

Ato u ndanë nga Kate, e cila shpërtheu brenda përmes derës në mënyrën e saj të zakonshme, sikur të kishte zbuluar ndonjë panel të fshehtë në mur.

– E skuqur apo e zier? – pyeti me guxim.

E skuqur apo e zier? Josephine dhe Constantia mbetën krejt të hutuara për një çast. Mezi po e kuptonin se çfarë po ndodhte.

– E skuqur apo e zier çfarë, Kate? – pyeti Josephine, duke u përpjekur të fillonte të përqendrohej.

Kate lëshoi një gërhitje të fortë.

– Peshk.

– Epo, pse nuk e the menjëherë? – e qortoi Josephine me butësi. – Si prisje që ta kuptonim, Kate? Ka shumë gjëra në këtë botë, e di, që mund të jenë të skuqura ose të ziera.

Dhe, pas një shfaqjeje të tillë guximi, i tha mjaft gjallërisht Constantias:

– Cilën pëlqen, Con?

– Mendoj se do të ishte mirë ta kishim të skuqur, – tha Constantia. -Nga ana tjetër, sigurisht, peshku i zier është shumë i mirë. Mendoj se i pëlqej të dyja njësoj…. Përveçse nëse ti…. Në atë rast…

– Do ta skuq, – tha Kate, dhe u kthye me hov, duke ua lënë derën e dhomës hapur dhe duke përplasur derën e kuzhinës së saj.

Josephine vështroi Constantian, ngriti vetullat e të zbehta aq lart, sa ato u valëzuan e u zhdukën në flokët e saj të zbehtë.

U ngrit.

Me një mënyrë shumë madhështore dhe imponuese tha: – A ke problem të më ndjekësh në dhomën e pritjes, Constantia? Kam diçka me rëndësi të madhe për të diskutuar me ty.

Gjithmonë në dhomën e pritjes tërhiqeshin kur donin të diskutonin për Katein.

Josephine e mbylli derën me qëllim.

– Ulu, Constantia, – tha ajo.

Mund të ishte duke pritur Constantian për herë të parë.

Dhe Con vështroi përreth, në mënyrë të turbullt, për të gjetur një karrige, sikur vërtet të ndihej krejt e huaj aty.

– Tani çështja është, – tha Josephine, duke u përkulur për­para, – nëse do ta mbajmë apo jo.

– Kjo është çështja, – pranoi Constantia.

– Dhe këtë herë, – tha Josephine me vendosmëri, – duhet të marrim një vendim përfundimtar.

Constantia për një çast dukej sikur mund të fillonte të rikuj­tonte të gjitha herët e tjera, por u mblodh dhe tha:

– Po, Jug.

– E sheh, Con, – shpjegoi Josephine, – gjithçka tani ka ndry­shuar.

Constantia ngriti shpejt kokën.

– Dua të them, – vazhdoi Josephine, – se ne nuk jemi më të varura nga Kate siç ishim më parë.

Dhe u skuq lehtë.

– Nuk është më babai për të cilin duhet të gatuajmë.

– Kjo është krejt e vërtetë, – pranoi Constantia. – Babai sigurisht që tani nuk ka nevojë për ndonjë gatim, sido që…

Josephine e ndërpreu prerë:

– Nuk je e përgjumur, apo jo, Con?

– E përgjumur, Jug? – Constantia i kishte sytë krejt të hapur.

– Epo, përqendrohu më shumë, – tha Josephine me mpreh­tësi, dhe iu kthye përsëri çështjes. – Në fund të fundit, nëse ne do të….

Dhe këtë pjesë mezi e pëshpëriti, duke hedhur sytë nga dera.

– Do të mund ta menaxhonim vetë ushqimin tonë.

– Pse jo? – tha Constantia.

Nuk mundi të mos buzëqeshte. Ideja ishte kaq emocionuese. I mblodhi duart.

– Me çfarë do të jetonim, Jug?

– Oh, me vezë të përgatitura në forma të ndryshme! – tha Jug, përsëri madhështore. – Dhe, përveç kësaj, ka të gjitha ushqimet e gatuara.

– Por unë gjithmonë kam dëgjuar, – tha Constantia, – se ato konsiderohen shumë të shtrenjta.

– Jo nëse blihen me masë, – tha Josephine.

Por ajo u shkëput nga kjo degëz magjepsëse e bisedës dhe e tërhoqi Constantian pas vetes.

– Megjithatë, ajo që duhet të vendosim tani është nëse vërtet i besojmë Kateit apo jo.

Constantia u mbështet pas.

E qeshura e saj e sheshtë i fluturoi nga buzët.

– A nuk është e çuditshme, Jug, – tha ajo, – që pikërisht për këtë çështje të vetme s’kam mundur kurrë ta vendos plotësisht mendjen?

 

XI

Ajo kurrë s’kishte mundur ta vendoste. E gjithë vështirësia qëndronte te fakti se ishte e pamundur të provoje diçka. Si mund të provoheshin gjërat, si mundej vallë?

Ta zëmë se Kate do të qëndronte përballë saj dhe, me qëllim, do të bënte një fytyrë të çuditshme. A nuk mund të ishte fare mirë duke ndier dhimbje? A nuk ishte, sidoqoftë, e pamundur ta pyeste Katein nëse po bënte një fytyrë të tillë ndaj saj? Nëse Kate do të përgjigjej: “Jo” dhe, sigurisht, do të thoshte “Jo”, çfarë situate do të krijohej? Sa e pahijshme do të ishte.

Pastaj Constantia dyshonte, madje ishte pothuajse e sigurt se Kate shkonte te komodina e saj kur ajo dhe Josephine nuk ishin aty, jo për të marrë gjëra, por për të përgjuar.

Shumë herë kishte ardhur dhe kishte gjetur kryqin e saj prej ametisti në vendet më të pamundshme, poshtë shiritave të saj prej dantelle ose sipër Bertha-s së saj të mbrëmjes.

Më shumë se një herë kishte ngritur një kurth për Katein.

Kishte vendosur gjërat në një rend të veçantë dhe pastaj kishte thirrur Josephinen që të ishte dëshmitare.

– E sheh, Jug?

– Po, Con.

– Tani do të mund ta kuptojmë.

Por, oh, e dashur, kur shkonte për ta kontrolluar, ishte po aq larg një prove sa edhe më parë.

Nëse ndonjë gjë ishte zhvendosur, mund të kishte ndodhur fare mirë kur ajo po e mbyllte sirtarin; një lëkundje fare lehtë mund ta kishte bërë këtë.

– Eja, Jug, dhe vendose ti. Unë vërtet nuk mundem. Është tepër e vështirë.

Por pas një pauze dhe një vështrimi të gjatë, Josephine do të psherëtinte:

– Tani ma ke futur dyshimin në mendje, Con, dhe jam e sigurt se as unë nuk mund ta them.

– Epo, nuk mund ta shtyjmë përsëri, – tha Josephine. – Nëse e shtyjmë edhe këtë herë.

 

XII

Por në atë çast, poshtë, në rrugë, nisi të luante një organo me cilindër. Zhozefina dhe Konstantia u ngritën njëherësh në këmbë.

– Vrapo, Kon, – tha Zhozefina. – Vrapo shpejt. Janë gjashtë pensë mbi…

Pastaj u kujtuan. Nuk kishte rëndësi. Nuk do t’u duhej më kurrë ta ndalonin organistin. Kurrë më nuk do t’u thuhej asaj dhe Konstantias ta çonin atë majmun diku tjetër me zhurmën e tij. Kurrë më nuk do të dëgjonin atë gjëmim të fortë e të çuditshëm, kur babai mendonte se ato nuk po nxitonin sa duhej. Organoja mund të luante aty gjithë ditën dhe shkopi nuk do të godiste më.

Nuk do të godasë më kurrë,

Nuk do të godasë më kurrë,

luante organoja me cilindër.

Çfarë po mendonte Konstantia? Kishte një buzëqeshje aq të çuditshme. Dukej ndryshe. Nuk mund të ishte duke qarë.

– Xhug, Xhug, – tha Konstantia butë, duke shtrënguar duart. – A e di çfarë dite është? Është e shtunë. Sot bëhet një javë, një javë e tërë.

Një javë që kur vdiq babai,

Një javë që kur vdiq babai,

thirri organoja me cilindër.

Edhe Zhozefina harroi të ishte praktike dhe e arsyeshme; buzëqeshi lehtë, çuditshëm. Mbi qilimin indian ra një katror drite dielli, i kuqërremtë e i zbehtë; ai shfaqej e zhdukej, shfaqej përsëri – dhe mbeti aty, u thellua – derisa ndriçoi pothuajse si ar.

– Doli dielli, – tha Zhozefina, sikur kjo të kishte vërtet rëndësi.

Një burim i përsosur notash gurgulluese u derdh nga orga­noja me cilindër, nota të rrumbullakëta, të shndritshme, të shpërndara shkujdesur.

Konstantia ngriti duart e saj të mëdha, të ftohta, sikur të donte t’i kapte, pastaj duart i ranë përsëri. Ajo shkoi drejt oxhakut, te Budaja i saj i parapëlqyer. Dhe figura prej guri e praruar, buzëqeshja e së cilës i shkaktonte gjithmonë një ndjesi të çuditshme, pothuajse një dhimbje e megjithatë një dhimbje të këndshme, sot dukej sikur po buzëqeshte më shumë se zakonisht. Ai dinte diçka; kishte një sekret.

“Unë di diçka që ti nuk e di”, i tha Budaja i saj.

Oh, çfarë ishte ajo? Çfarë mund të ishte? E megjithatë, ajo gjithmonë kishte ndier se kishte… diçka.

Drita e diellit depërtoi përmes dritareve, u fut fshehurazi brenda, përshkoi me vezullimin e saj mobiliet dhe fotografitë. Zhozefina e vështroi. Kur mbërriti te fotografia e nënës, zmadhimi mbi piano, u ndal aty, sikur të ishte hutuar nga fakti se sa pak kishte mbetur prej nënës, përveç vathëve në formë pagodash të vogla dhe një boa-je të zezë me pupla.

Pse fotografitë e njerëzve të vdekur zbeheshin gjithmonë kështu? – pyeti veten Zhozefina. Sapo një njeri vdiste, edhe fotografia e tij vdiste. Por, sigurisht, kjo e nënës ishte shumë e vjetër. Ishte tridhjetë e pesë vjeç. Zhozefina kujtoi se si kishte qëndruar mbi një karrige, i kishte treguar Konstantias atë boa me pupla dhe i kishte thënë se ishte një gjarpër që e kishte vrarë nënën e tyre në Cejlon….

A do të kishte qenë gjithçka ndryshe sikur nëna të mos kishte vdekur? Nuk e kuptonte pse. Tezja Florence kishte jetuar me to derisa ato kishin mbaruar shkollën, dhe ishin shpërngulur tri herë dhe kishin bërë pushimet e tyre vjetore dhe… dhe, sigurisht, kishte pasur ndryshime shërbëtorësh.

Disa harabela të vegjël, që dukej se ishin harabela të rinj, cicëruan mbi parvazin e dritares.

Jip-ijip-jip.

Por Zhozefina ndiente se nuk ishin harabela, as nuk ishin mbi parvazin e dritares. Ai zë i vogël, i çuditshëm vajtimi, ishte brenda saj.

Jip-ijip-jip.

Ah, për çfarë po qante, aq e dobët dhe e braktisur?

Sikur nëna të kishte jetuar, a do të ishin martuar? Por nuk kishte pasur askënd me të cilin të martoheshin. Dikur kishin qenë miqtë anglo-indianë të babait, para se ai të grindej me ta. Por pas kësaj, ajo dhe Konstantia nuk kishin takuar asnjë burrë të vetëm, përveç klerikëve.

Si njiheshin burrat? Ose, edhe nëse do t’i kishin takuar, si mund të arrinin t’i njihnin aq mirë sa të mos ishin më të huaj? Në libra lexoje për njerëz që përjetonin aventura, që ndiqeshin e të tjera si këto. Por askush nuk e kishte ndjekur ndonjëherë Konstantian apo atë.

Oh, po, kishte qenë një vit në Eastbourne, kur në shtëpinë e pushimit ku qëndronin ishte një burrë misterioz, i cili kishte lënë një shënim mbi ibrikun me ujë të nxehtë, jashtë derës së dhomës së tyre të gjumit. Por, kur Connie e kishte gjetur, avulli e kishte bërë shkrimin tepër të zbehtë për t’u lexuar; nuk mund të kuptonin as se cilës prej tyre i drejtohej. Dhe ai ishte larguar të nesërmen. Dhe kaq kishte qenë.

Pjesa tjetër kishte qenë kujdesi për babanë dhe, njëkohësisht, përpjekja për t’i qëndruar larg babait.

Por tani? Por tani?

Dielli që hynte fshehurazi e preku butësisht Zhozefinën. Ajo ngriti fytyrën. Rrezet e buta e tërhoqën drejt dritares….

Derisa organoja me cilindër pushoi së luajturi, Konstantia qëndroi përpara Budasë, duke menduar, por jo si zakonisht, jo në mënyrë të vagullt. Këtë herë mendimi i saj ishte si një dëshirë e zjarrtë.

Ajo kujtoi herët kur kishte ardhur këtu, ishte ngritur tinëz nga shtrati me këmishën e natës veshur, kur hëna ishte e plotë, dhe ishte shtrirë në dysheme me krahët e zgjatur, sikur të ishte kryqëzuar.

Pse?

Hëna e madhe, e zbehtë, e kishte joshur ta bënte këtë. Figurat e tmerrshme që vallëzonin mbi paravanin e gdhendur e kishin vështruar me një buzëqeshje të keqe, dhe asaj nuk i kishte bërë përshtypje.

Ajo kujtoi gjithashtu se si, sa herë që ndodheshin buzë detit, largohej vetëm dhe shkonte sa më pranë detit që mundej, dhe këndonte diçka, diçka që e kishte sajuar vetë, ndërsa vështronte atë sipërfaqe të shqetësuar të ujit.

Kishte ekzistuar kjo jetë tjetër, që rridhte jashtë, duke sjellë sende në shtëpi nëpër çanta, duke marrë sende për t’i provuar, duke i diskutuar me Xhugin, pastaj duke i kthyer për të marrë të tjera për t’i provuar, duke rregulluar tabakatë e babait dhe duke u përpjekur të mos e bezdiste babanë.

Por e gjithë kjo dukej sikur kishte ndodhur brenda një lloj tuneli. Nuk ishte reale. Vetëm kur dilte nga tuneli, nën dritën e hënës, ose pranë detit, ose në një stuhi, ajo e ndiente vërtet veten.

Çfarë kuptimi kishte kjo?

Çfarë ishte ajo që gjithmonë dëshironte?

Ku të çonte e gjithë kjo?

Tani?

Ajo u largua nga Budaja me një nga ato gjestet e saj të vagullta. Shkoi atje ku po qëndronte Zhozefina. Donte t’i thoshte diçka Zhozefinës, diçka tmerrësisht të rëndësishme, për… për të ardhmen dhe për atë që….

– A nuk mendon se ndoshta… – filloi ajo.

Por Zhozefina e ndërpreu.

– Po mendoja nëse tani… – murmuriti ajo.

Ato heshtën. Pritën njëra-tjetrën.

– Vazhdo, Kon, – tha Zhozefina.

– Jo, jo, Xhug; ti më parë, – tha Konstantia.

– Jo, thuaj atë që doje të thoshe. Ti fillove, – tha Zhozefina.

– Unë… unë do të doja të dëgjoja më parë atë që doje të thoshe ti, – tha Konstantia.

– Mos u bëj absurde, Kon.

– Vërtet, Xhug.

– Connie!

– Oh, Xhug!

Një heshtje.

Pastaj Konstantia tha me zë të zbehtë:

– Nuk mund të them atë që doja të thosha, Xhug, sepse kam harruar se çfarë ishte… ajo që doja të thosha.

Zhozefina heshti për një çast. Ajo vështroi një re të madhe, atje ku kishte qenë dielli. Pastaj u përgjigj shkurt: – Edhe unë e kam harruar.

 

Përktheu nga anglishtja: Shqipdona Kryeziu. Marrë nga numri 27 i revistës “Akademia”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kam njohur dikur një farë Benedikta, që e mbushte atmo­sferën…