Musliu-Shoshi: Moskonstituimi i Kuvendit është skenar i planifikuar nga Kurti

09 shtator 2026 | 23:56

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka deklaruar se ndërprerja e seancës së Kuvendit nuk ishte e rastësishme dhe se, sipas saj, prapa moskonstituimit të Kuvendit qëndron një skenar i planifikuar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

E ftuar në “Edicionin Special” në Klan Kosova, Musliu-Shoshi tha se nuk kishte arsye që seanca të ndërpritej, duke e lidhur situatën me kushtëzimet për zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit dhe presidentit.

“Sinqerisht e mendoj që nuk kishte as arsye, mirëpo nuk kishte as rastësi. Qëllimi ishte moskonstituimi i Kuvendit dhe këtë ia arritën Vetëvendosja. Madje kishte edhe diskutime të tilla që ‘ju si parti opozitare nuk i keni votat. Ne i kemi votat. Ju s’i keni votat për nënkryetarë. Na jep votat e juaja që ne të zgjedhim presidentin në mënyrë që ne t’i votojmë nënkryetarët’. Pra është një çështje që asnjëherë nuk ka ndodhur më herët.”

Sipas saj, një shkëmbim i tillë mes pozitave institucionale nuk ka ndodhur në rastet e mëparshme të zgjedhjes së drejtuesve të Kuvendit.

“Asnjëherë nënkryetarët nuk janë zgjedhur në shkëmbim të votës për president. Pra është hera e parë që ke kushtëzime të tilla e që faktikisht janë dy çështje krejtësisht jo të ndërlidhura me njëra-tjetrën. Është krejt skenari i tij”, deklaroi ajo.

E pyetur se pse, sipas saj, Albin Kurti po e zvarrit procesin e konstituimit të institucioneve, deputetja e PDK-së e cilësoi situatën si një skenar të qëllimshëm.

“Për Partinë Demokratike, snjëherë nuk ka qenë rastësi pse Albin Kurti zvarrit. Është krejt skenari i tij sepse Albin Kurti do një shtet që nuk funksionon ku vetë është ai i cili merr të gjitha vendimet. Është ai i cili nuk jep llogari në Kuvend për asnjë vendim që e merr. Është ai i cili merr vendime të njëpasnjëshme, qofshin në kundërshtim me Kushtetutën, qofshin në kundërshtim me vendimet e Gjykatës Supreme. Pra nuk e ka asnjë, nëse mund të them, trup ku shkon edhe jep llogari për të gjitha veprimet që po i merr, qoftë ai si kryeministër, qofshin ministrat e tij”, tha Musliu-Shoshi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tre aktorët e njohur të “Logjikonomisë”, Granit Uka, Agan Asllani…