Avokati optimist për verdiktin në Hagë: ZPS-ja nuk arriti t’i argumentojë akuzat ndaj katërshes së UÇK-së
Avokati Ardian Bajraktari ka shprehur optimizëm lidhur me verdiktin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, i cili pritet të shpallet më 16 shtator në Hagë.
Në emisionin “Kosova Today”, Bajraktari ka deklaruar se, sipas vlerësimit të tij, gjatë procesit gjyqësor nuk janë argumentuar mjaftueshëm tezat e aktakuzës, ndërsa mbrojtja ka ofruar prova të besueshme.
“Me aq sa kemi arritur ta përcjellim, në bindjen time nuk kanë arritur të argumentohen tezat e akuzës së Prokurorisë. Në këtë drejtim vlerësoj që, në rast se verdikti do të jetë i bazuar ekskluzivisht në ligj, në prova e aq më tepër në prova të besueshme të cilat i kanë ofruar pala mbrojtëse, unë jam optimist dhe i bindur që verdikti do të jetë lirues”, ka deklaruar Bajraktari.
Ai ka thënë gjithashtu se provat e siguruara nga Serbia duhet të trajtohen me kujdes, duke marrë parasysh rolin e regjimit serb gjatë luftës në Kosovë.
“Jam i bindur që së paku trupi gjykues nuk do t’ia falë besimin provave të tilla, sepse vërtet do ta komprometonte jashtëzakonisht shumë këtë proces”, është shprehur Bajraktari.



