Elseid Hysaj refuzon 500 mijë euro për një sezon në Shqipëri
Ish-mbrojtësi, njëherazi trajneri shqiptar, Ditmar Bicaj ka treguar prapaskenën në lidhje me mbrojtësin e Kombëtares, Elseid Hysaj. Sipas Bicaj, një klub i Superiores i ka ofruar 500 mijë euro pagë për një sezon Hysajt, po që është refuzuar nga 32-vjeçari.
“Hysaj momentalisht po stërvitet te ekipi i Vllaznisë së Shkodrës. Po stërvitet shumë mirë. Uroj që të gjej sa më parë ekip, sepse kjo gjë do i mundësojë të jetë sa më i qetë.
Di që i ka ardhur një ofertë shumë e mirë nga Superiorja. Me shifër shumë të majme, por që e ka refuzuar. Janë shifra që nuk i kemi dëgjuar ndonjëherë në Shqipëri.
500 mijë euro për një sezon. Por e ka refuzuar, sepse është i interesuar të jetë sërish pjesë e një kampionati shumë më të fortë”, ishin fjalët e Bicajt, i ftuar në “Klan News”.



