Durmishi: UÇK-ja është vlera më e lartë kombëtare, thirrje për pjesëmarrje në “Marshin për Liri”

12 shtator 2026 | 12:22

Ish ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka bërë thirrje për pjesëmarrje në “Marshin për Liri”, që mbahet sot në Prishtinë.

Durmishi ka vlerësuar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës përfaqëson një nga vlerat më të larta kombëtare dhe ka kërkuar drejtësi dhe liri për ish-pjesëtarët e saj që po përballen me proceset gjyqësore në Hagë.

“UÇK-ja është vlera më e lartë kombëtare që nga koha e Skënderbeut. Lufta jonë ishte e drejtë. Ishte luftë për liri. Prandaj presim drejtësi dhe liri për çlirimtarët!”, ka shkruar Durmishi në rrjetet sociale.

Ai ka kritikuar Gjykatën Speciale, duke e cilësuar si “monstrum juridik” dhe ka akuzuar deputetët që kanë votuar për themelimin e saj.

“Dëmi tashmë është bërë i pariparueshëm, sepse nga kjo gjykatë kemi edhe dënime. Më e pakta që duhet të ndiejnë sot deputetët që e votuan këtë gjykatë, është turpi për dëmin që ia kanë shkaktuar historisë sonë të lavdishme”, ka deklaruar Durmishi.

Në fund, ai u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen tubimit në sheshin “Skënderbeu”.

“Ejani të gjithë në Sheshin ‘Skënderbeu’, në mbështetje të çlirimtarëve! Liri për çlirimtarët!”, ka shkruar ai.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Ish kryeministri, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti…