REPUBLIKA E TRETË, nga “serbët e këqij” te “serbët e mirë”, drejt një Kosove pa kontroll kushtetues

13 shtator 2026 | 19:48

Shkruan: Hisen Berisha 

(Shqiptarët kanë pasur më shumë fat gjeografik e gjeopolitik sesa aftësi shtetformuese. ah)

Më në fund, LVV-ja e gjeti një “serb/e të mirë” – “pošteni Srbin / Srpkinja”, një serb/e të ndershme, për ta konstituuar Kuvendin.

Kohë më parë, kjo parti socialiste – LVV-ja, e pati cilësuar Listën Serbe si terroriste, nacionaliste dhe të instrumentalizuar nga Beogradi (ps. ashtu siç edhe eshtë). Por, për çudi, nga radhët e tyre LVV-ja e gjeti një “serb/e të mirë”, në mesin e dhjetë deputetëve të “këqij” serbë.

Kjo është metodologji tipike e shkollës së vjetër të kohës së Millosheviqit, kur baballarët e përqindjes dermuese të strukturës drejtuese e qeverisëse të LVV-së ishin “poshteni Albanci / shqiptarë të ndershëm” të regjimit millisheviçjan serb.

Ju mjaftoi kësaj strukture të sojit politik të “Republikës së Tretë” ta ketë një serb/e të mirë dhe, edhe pa nënkryetarin e partisë më të madhe opozitare, PDK-së, të konsiderojnë të konstituuar kuvendin dhe të vazhdojë me formimin e Qeverisë sipas formulës që kisha paralajmëruar, pra, lojës së grupit Soros, Kurti, Abdixhiku, Osmani &Co, me kandidaturën për president të z. Bekim Sejdiu.

Ishte evidente se LDK-ja ia krijoi urën e tejkalimit të situatës Albin Kurtit, me marrëveshjen për presidentin, për të mundësuar zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit. Dhe pastaj, hyri apo jo në garë kandidati, emri që u kërkohej partive opozitare për president, ai nuk do të votohej për atë post.

Ndaj ishte e sigurt se formula kushtetuese do të funksionojë, pra, Kryetari i Kuvendit, me automatizem, ushtron detyrën e Presidentit për gjashtë muaj.

Kështu që, e pritshme me probabilitet të ndodhë sot, nominohet kandidati për kryeministër nga UD e Presidentit dhe mund të votohet Qeveria.

Kjo formulë antishtetërore e drejtuesve themelues të “Republikës së Tretë” (oferta e Millosheviqit për statusin e Kosovës, “më shumë se autonomi e më pak se pavarësi”), po arrin të vazhdojë qeverisjen pa kontroll parlamentar, pa llogaridhënie, me Gjykatë Kushtetuese të hendikepuar dhe me sistem drejtësie të kapur në çdo segment.

Dhe, për aq sa nuk vepron as opozita dhe, në veçanti, qytetarët me vetorganizim, ngase shoqëria civile praktikisht nuk ekziston, dhe as forca motorike e shqiptarëve gjatë historisë – studentët – nuk e kanë ADN-në e patriotizmit kushtetues dhe të mbrojtjes së shtetit të Kosovës, ky vend po shkon drejt dezorganizimit kushtetues dhe po e përmbush doktrinën akademike serbe se “shqiptarët nuk dinë të mbajnë shtet”.

Këta janë soji politik i “Republikës së Tretë” që në Kosovë e interpreton politikisht kryekëshilltari i Albin Kurtit për negociatat me Serbinë, Veton Surroi, ndërsa administrativisht e politikisht e zbaton Albin Kurti dhe “Partia Socialiste” e Kosovës, alias LVV.

Millosheviqi, në bisedimet e Rambujesë, e preferonte një formulë ku Kosova do të kishte një status autonomie brenda RFJ-së dhe Serbisë, me një kryetar qeverie të kësaj Kosove autonome dhe i apostrofuari i preferuar nga Millisheviçi ishte Veton Surroi. Kjo ide u artikulua politikisht si “Republika e Tretë”.

Sipas kësaj teze politike, LVV-ja, Kurti dhe Surroi e kishin “Republikën e tretë”, ofertë politike elektorale në zgjedhjet e shkurtit 2021, ndërsa në vazhdimësi po punohet për ta shndërruar atë, në realitet institucional.

Prandaj, ajo që po shohim sot nuk duhet të trajtohet vetëm si një lojë numrash në Kuvend, as vetëm si një konflikt rreth zgjedhjes së Kryetarit të Kuvendit apo formimit të Qeverisë.

Është një betejë për modelin e shtetit.

Sepse kur një shumicë politike mund të qeverisë pa kontroll parlamentar, kur llogaridhënia zëvendësohet me arsyetimin procedural, kur institucionet kushtetuese dobësohen dhe kur opozita e shoqëria civile nuk arrijnë të prodhojnë rezistencën institucionale të nevojshme, atëherë kriza nuk është më vetëm politike. Ajo bëhet krizë e Republikës.

Dhe nëse kjo vazhdon, pyetja nuk do të jetë më kush e fitoi një votim në Kuvend.

Pyetja do të jetë se, a po ndërtojmë një Republikë që funksionon mbi Kushtetutën e Kosovës, apo po e normalizojmë gradualisht një model tjetër shtetëror – “Republikën e Tretë”?

Kosova nuk është krijuar që të qeveriset pa kontroll, pa llogaridhënie dhe pa patriotizëm kushtetues.

Shteti nuk mbahet me slogane. Shteti mbahet me institucione.

Dhe Republika nuk mbrohet duke e interpretuar Kushtetutën sipas interesit të ditës, por duke e mbrojtur atë edhe atëherë kur pushteti e ka më të lehtë ta anashkalojë.

Nëse heshtin institucionet, opozita dhe qytetarët, atëherë nuk kemi më vetëm një krizë qeverisëse. Kemi fillimin e një normalizimi të rrezikshëm të “Republikës së Tretë”.

Dhe historia do të na gjykojë jo vetëm për atë që bëmë për ta krijuar Republikën e Kosovës, por edhe për atë që nuk bëmë për ta mbrojtur atë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-deputetja e PDK-së, Besa Ismaili-Ahmeti, ka kritikuar ashpër kryeministrin Albin…