Prebreza liron nga detyra drejtorin e arrestuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare
Kryetari i Komunës së Fushë-Kosovës, Valon Prebreza, ka njoftuar se ka liruar nga detyra drejtorin e Pronës, Gëzim Zogiani.
Prebreza ka thënë se vendimi është marrë në përputhje me zotimin e tij për një qeverisje transparente dhe të përgjegjshme, si dhe ndaj çdo dyshimi për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Zogiani ishte arrestuar javën e kaluar nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Në njoftimin e tij, Prebreza ka theksuar se vendimi për lirimin nga detyra nuk paragjykon përgjegjësinë penale të Zogianit, duke shtuar se përcaktimi i fajësisë u takon organeve të drejtësisë.
“Ky veprim nuk paragjykon përgjegjësinë penale të askujt. Përcaktimi i fajësisë u takon vetëm organeve kompetente të drejtësisë, punën e të cilave e respektojmë plotësisht”, ka deklaruar Prebreza.
Ai ka thënë se Komuna e Fushë-Kosovës do të vazhdojë të bashkëpunojë me Prokurorinë dhe institucionet e tjera përgjegjëse për zbardhjen e plotë të rastit.
“Qëndrimi ynë mbetet i qartë: në Komunën e Fushë-Kosovës nuk do të ketë mbrojtje politike për asnjë emër, pozitë apo interes. Asgjë nuk do të vendoset mbi ligjin dhe besimin e qytetarëve. Llogaridhënia fillon me veprime konkrete. Fjala e dhënë qytetarëve do të mbahet”, ka thënë Prebreza.



