Hoxhaj: Lufta speciale kundër Kosovës duhet të marrë fund më 16 shtator
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, ka deklaruar se, sipas tij, lufta speciale kundër Kosovës duhet të përfundojë më 16 shtator me lirimin e plotë të ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe kthimin e tyre në vend.
Në konferencën kombëtare “Lufta për UÇK-në”, të organizuar nga platforma qytetare “Liria ka Emër”, Hoxhaj ka thënë se lufta e armatosur e popullit të Kosovës përfundoi më 12 qershor 1999, ndërsa ajo diplomatike u kurorëzua me shpalljen e pavarësisë në vitin 2008.
“Lufta speciale kundër Kosovës duhet të marrë fund më 16 shtator. Ne nuk presim asnjë alternativë tjetër përveç lirimit të të gjithë udhëheqësve të UÇK-së dhe kthimit të tyre në Kosovë”, ka deklaruar Hoxhaj.
Ai ka theksuar se populli i Kosovës ka luftuar për dekada për liri dhe pavarësi, ndërsa UÇK-në e ka cilësuar si të vetmen ushtri çlirimtare, lufta e së cilës, sipas tij, është certifikuar nga NATO-ja.
“Lufta e UÇK-së është e vetmja luftë çlirimtare e certifikuar nga NATO-ja. Edhe pavarësia e Kosovës ishte rezultat i një sovraniteti të merituar, falë kushteve dhe kritereve që i përmbushëm si popull para dhe pas shpalljes së saj”, ka thënë ai.
Hoxhaj ka kritikuar pretendimet e Prokurorisë së Specializuar në Hagë, duke thënë se përmes teorisë së ndërmarrjes së përbashkët kriminale po bëhet përpjekje të kriminalizohen si ideja e çlirimit, ashtu edhe ajo e pavarësimit të Kosovës.
“Çlirimi dhe pavarësimi i vendit, përtej dallimeve tona politike, kanë qenë projekt kombëtar. Prandaj, e vetmja drejtësi e pranueshme është lirimi i plotë i të gjithë udhëheqësve të UÇK-së dhe kthimi i tyre në Kosovë”, ka përfunduar Hoxhaj.
Konferenca është mbajtur në prag të shpalljes së aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë.



