Osmani pas tërheqjes së Sejdiut: Humbëm një mundësi për konsensus rreth njerëzve me dije e integritet
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas tërheqjes së Bekim Sejdiut nga kandidatura për president të Republikës së Kosovës.
Osmani ka thënë se Sejdiu meriton falënderim jo vetëm për gatishmërinë për t’i shërbyer vendit, por edhe për mënyrën se si e përballoi procesin.
“Ndoshta pikërisht këtu qëndron humbja jonë më e madhe: jo vetëm që nuk arritëm të zgjedhim Presidentin, por humbëm edhe një tjetër mundësi për të treguar se në Kosovë mund të ndërtojmë konsensus rreth njerëzve me dije, integritet dhe dinjitet”, ka shkruar Osmani.
Ajo ka vlerësuar edhe mënyrën se si Sejdiu është sjellë gjatë procesit, duke theksuar se karakteri i tij mbetet pavarësisht rezultatit politik.
“Prandaj, faleminderit Bekim, për gatishmërinë për t’i shërbyer Republikës dhe për dinjitetin që tregove deri në fund”, ka përfunduar Osmani.



