Kolegjiumi i zyrtarëve ligjorë, diskutoi projekt-udhëzimet që ndërlidhen me kompetencat, përgjegjësitë dhe obligimet e komunave
Asociacioni i Komunave të Kosovës, me mbështetjen e OSBE-së, mbajti takim me Kolegjiumin e Zyrtarëve Ligjorë, ku temë e diskutimit ishin Projekt-Udhëzimet Administrative për banim social dhe të përballueshëm.
Gjatë takimit u diskutuan në mënyrë të veçantë dispozitat e këtyre Projekt-Udhëzimeve që ndërlidhen me kompetencat, përgjegjësitë dhe obligimet e komunave, me qëllim të identifikimit të çështjeve që mund të paraqesin vështirësi në zbatimin e tyre në nivelin lokal.
Fokusi i diskutimit ishte në nenet përkatëse të Projekt-Udhëzimeve Administrative, të cilat përcaktojnë detyrimet e komunave në fushën e banimit social dhe të përballueshëm.
Në këtë kuadër, u shqyrtua roli i komunave në planifikimin, organizimin dhe zbatimin e politikave dhe masave për sigurimin e banimit social dhe të përballueshëm, si dhe përgjegjësitë që rrjedhin nga dispozitat e propozuara.
Vëmendje e veçantë iu kushtua çështjes së kapaciteteve institucionale dhe financiare të komunave për përmbushjen e obligimeve të përcaktuara me këto akte.
Në përfundim, u vlerësua se diskutimi i Projekt-Udhëzimeve Administrative për banim social dhe të përballueshëm është i rëndësishëm për komunat, veçanërisht për shkak të obligimeve që parashihen për nivelin lokal.
Asociacioni i Komunave të Kosovës do të vazhdojë të përcjellë dhe të adresojë çështjet që ndërlidhen me kompetencat dhe obligimet e komunave, duke synuar që në versionin përfundimtar të Projekt-Udhëzimeve të sigurohet një përcaktim i qartë i përgjegjësive dhe kushteve të nevojshme për zbatimin e tyre.



