Dogana zbulon katër ‘Rolex’ të padeklaruar në Vërmicë, vlera 33 mijë euro
Dogana e Kosovës ka parandaluar një tentativë për shmangie të detyrimeve doganore përmes mosdeklarimit të mallrave, gjatë kontrolleve rutinore në Pikën e Kalimit Kufitar në Vërmicë.
Gjatë kontrollit në hyrje të territorit të Kosovës, zyrtari doganor ka ndaluar për kontroll një automjet, i cili kishte hyrë me shpejtësi të lartë në territorin e Kosovës.
Pas pyetjes së zyrtarit doganor nëse udhëtari kishte mallra apo vlera monetare për të deklaruar, shtetasi i huaj nuk kishte deklaruar asnjë mall.
“Bazuar në dyshimet e ngritura gjatë kontrollit fillestar, automjeti është orientuar në vijën e dytë për kontroll të detajuar. Gjatë kontrollit të automjetit, zyrtarët doganorë kanë zbuluar katër (4) orë dore të markës Rolex, me vlerë të përafërt prej 33,000 euro”, thuhet në njoftimin e Doganës.
Sipas Doganës, mallrat janë ndaluar përkohësisht në Pikën e Kalimit Kufitar në Vërmicë, ndërsa rasti është duke u trajtuar në përputhje me procedurat dhe legjislacionin në fuqi, deri në përfundimin e procedurave doganore.
Dogana e Kosovës thekson se udhëtarët kanë obligim të deklarojnë mallrat kur vlera e tyre tejkalon kufirin e përcaktuar ose kur ato janë për qëllime tregtare.





