‘France 24’: Hashim Thaçi nga ‘George Uashingtoni i Kosovës’ te i dënuari i Hagës
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i dënuar të mërkurën me 25 vjet burgim për krime lufte, prej kohësh është parë në Kosovë si hero i luftës guerile dhe simbol i përpjekjes për pavarësi.
Thaçi është shpallur fajtor nga një gjykatë speciale në Hagë për krime lufte të kryera nga luftëtarët guerilë, përfshirë vrasjen, arrestimin dhe ndalimin arbitrar, trajtimin mizor dhe torturën, shkruan “France 24”.
Ai udhëhoqi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), e cila luftonte për pavarësi, gjatë luftës së viteve 1998–1999 me Serbinë.
58-vjeçari, i cili shërbeu edhe për më shumë se shtatë vjet si kryeministër, përjetoi një rritje të ndjeshme të popullaritetit kur ndihmoi në drejtimin e procesit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.
Megjithatë, imazhi i tij u njollos nga një raport i Këshillit të Evropës i vitit 2010, i cili ngrinte pretendime për lidhje me krimin e organizuar dhe abuzime të rënda të kryera gjatë luftës dhe menjëherë pas saj.
Kritikët e akuzuan gjithashtu ish-udhëheqësin dhe partinë e tij për korrupsion dhe përqendrim të pushtetit te aleatët politikë.
Por, sipas “France 24”, ishin akuzat që lidheshin me periudhën e luftës ato që ia ndërprenë papritur mandatin presidencial dhe e çuan në paraburgim në Hagë.
Në vitin 2020, ndaj tij u ngrit aktakuzë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ai akuzohej se mbante përgjegjësi për vrasje, torturë, ndalim të paligjshëm dhe zhdukje me forcë gjatë dhe pas konfliktit.
“Këto nuk janë momente të lehta për mua dhe familjen time, si dhe për ata që më kanë mbështetur dhe kanë besuar tek unë gjatë tri dekadave të fundit të përpjekjes sonë për liri, pavarësi dhe shtetndërtim”, kishte deklaruar Thaçi në vitin 2020, kur njoftoi dorëheqjen dhe dorëzimin e tij në gjykatë, shkruan “France 24”.



