Pas 16 shtatorit nga reagimi te veprimi shtetëror

16 shtator 2026 | 23:28

Shkruan: Ethem Çeku

Sot ishte një ditë e rëndë për Kosovën dhe kombin shqiptar. Dënimet e shqiptuara ndaj katër drejtuesve të UÇK-së, të cilat i konsideroj drakonike, duhet të na bëjnë të reflektojmë jo vetëm për atë që ndodhi sot, por mbi të gjitha për atë që duhet të bëjmë nga nesër.

16 shtatori duhet të shënojë kalimin nga reagimi emocional në veprim të organizuar shtetëror.

Faza e apelit kërkon punë të jashtëzakonshme profesionale nga ekipet e mbrojtjes. Por krahas betejës juridike, Kosova ka përpara edhe një sfidë institucionale, diplomatike dhe të komunikimit ndërkombëtar. Kjo nuk mund t’u lihet iniciativave individuale apo shoqatave që veprojnë të shkëputura nga njëra-tjetra.

Qeveria duhet të ndërtojë një plan të qartë veprimi dhe një mekanizëm koordinues, ku të përfshihen njerëz me kredibilitet, diplomatë, juristë, ministra e deputetë me përvojë ndërkombëtare. Kosova ka njerëz që kanë kaluar sfida të mëdha diplomatike dhe politike dhe që kanë krijuar lidhje të rëndësishme ndërkombëtare. Sot duhet t’u krijohet hapësirë që këtë përvojë ta vënë në shërbim të Republikës.

Është gjithashtu koha për afrim të subjekteve politike. Pozita dhe opozita nuk kanë nevojë të mendojnë njësoj, por për një çështje të kësaj peshe duhet të jenë të afta të ndërtojnë një minimum të përbashkët shtetëror.

Diplomacia duhet të përqendrohet në qendrat ku Kosova historikisht ka pasur mbështetjen më të fuqishme. Çelësat duhet t’i kërkojmë në Uashington dhe Londër, duke intensifikuar njëkohësisht komunikimin me Berlinin, Parisin, Romën, Ankaranë, Brukselin dhe partnerët e tjerë. Ambasadat dhe diaspora shqiptare duhet të veprojnë brenda kësaj strategjie, me argumente, dokumente dhe komunikim profesional me institucionet, qarqet juridike, akademike dhe mediat ndërkombëtare.

Edhe Shqipëria duhet të ketë rol në këtë angazhim. Kryeministri Edi Rama dhe institucionet shqiptare mund të kontribuojnë përmes kanaleve të tyre diplomatike dhe komunikimit me partnerët ndërkombëtarë.

Ekipet e mbrojtjes duhet ta zhvillojnë betejën juridike me të gjitha instrumentet që ofron apeli, ndërsa shteti duhet të bëjë detyrën e vet në diplomaci dhe komunikim ndërkombëtar.

Pas 16 shtatorit nuk mjaftojnë deklaratat. Kosova duhet të organizohet, të bashkojë kapacitetet e saj dhe të hyjë në fazën që vjen e përgatitur si shtet.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Avokati i ish-kreut të PDK-së, Kadri Veseli, Rodney Dixon, në…