Bushati i reagon Bildt: S’duhet barazuar ata që luftuan për çlirim me shtetin që luftoi kundër një popullsie
Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, ka reaguar pas vendimit dënues të Speciales ndaj krerëve të UÇK-së, duke theksuar se nuk duhet të ketë përpjekje për të krijuar një ekuivalencë morale apo për të barazuar sjelljen e atyre që luftuan për çlirimin me atë të një shteti që zhvilloi luftë kundër një popullsie.
Bushati ka përsëritur deklaratën e kryetarit të trupit gjykues të Speciales, duke theksuar se, siç është shprehur ky i fundit, “UÇK-ja nuk ishte në gjyq, as qëllimi i saj për një Kosovë të pavarur”.
“Nuk duhet të ketë asnjë përpjekje për të krijuar një ekuivalencë morale apo për të barazuar sjelljen e atyre që luftuan për çlirimin me atë të një shteti që zhvillon luftë kundër një popullsie. Siç theksoi dje Kryetari i Trupit Gjykues, UÇK-ja nuk ishte në gjyq, as qëllimi i saj për një Kosovë të pavarur”, ka shkruar ai.
Bushati ka reaguar ndaj ish-kryeministrit dhe ish-ministrit të Jashtëm të Suedisë, Carl Bildt, i cili përmes një postimi ka deklaruar se “emocionet janë të larta në Ballkan këto ditë”.
“Emocionet janë të larta në Ballkan këto ditë, pas funeralit skandaloz të Mlladiqit në Beograd dhe reagimeve në Kosovë dhe Shqipëri ndaj dënimit të Hashim Thaçit. Zgjedhjet janë gjithashtu të afërta si në Bosnje dhe Hercegovinë, ashtu edhe në Serbi. Më shumë për të ardhur…”, ka shkruar Bildt.




