Dënimi i liderëve të UÇK-së, Hamza: Do të takohem me liderët e partive politike
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, është deklaruar para medieve pas mbledhjes së Kryesisë së kësaj partie, ku është diskutuar situata pas vendimit të djeshëm të Gjykatës Speciale në Hagë.
Hamza ka theksuar se në PDK ekziston një konstatim i përgjithshëm se vendimi është i padrejtë dhe i pabazuar në fakte, duke e cilësuar atë si të dëmshëm për Kosovën.
“Sot, PDK-ja ka diskutuar situatën pas vendimit të djeshëm të Gjykatës në Hagë. Është një konstatim i përgjithshëm se vendimi është i padrejtë, është i paqëndrueshëm, i pabazuar në fakte, është një vendim i cili e dëmton historinë, të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës. Një vendim i një gjykate e cila e ka devijuar komplet drejtimin e saj në raport me atë se çka është votuar në Kuvend”, është shprehur Hamza.
Ai ka deklaruar se PDK-ja do të ndërmarrë të gjitha përpjekjet e nevojshme për të komunikuar me subjektet e tjera politike, duke e cilësuar situatën si të ndjeshme dhe serioze.
“PDK-ja do t’i bëjë të gjitha përpjekjet e nevojshme që të jemi në komunikim për shkak të ndjeshmërisë së situatës, seriozitetit, situatës ku ndodhet vendi, sepse kjo situatë i jep një mundësi që në të ardhmen, shteti agresor që ka qenë në Kosovë, Serbia, ta përdorë për dëmtimin e Kosovës. Unë besoj se do të takohem me të gjithë liderët e subjekteve politike, sepse kjo nuk është më çështje që i takon vetëm një subjekti politik”, ka thënë Hamza.



