Zhbërja e Speciales, Kusari-Lila: Hapat e ardhshëm nuk duhet të jenë as të ngutshëm, as emocionalë

17 shtator 2026 | 13:42

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka folur  lidhur me raportimet për nismën e disa deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës për mbledhjen e nënshkrimeve për një seancë lidhur me zhbërjen e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Kusari-Lila është shprehur se nuk dëshiron të gjykojë për këtë nismë, por ka theksuar se, sipas saj, ekziston një mospërputhje në veprimet e PDK-së, pasi kjo parti ka kontestuar në Gjykatën Kushtetuese konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë.

“Tani unë nuk jam të gjykoj për këtë iniciativë, megjithatë ka një ndeshje të veprimeve dhe logjikës nga Partia Demokratike për arsye se ata kanë kontestuar tashmë në Gjykatën Kushtetuese edhe seancën edhe formimin e Qeverisë. Në anën tjetër është shumë e rëndësishme që të kemi institucione dhe të kemi vendimmarrje të plotë”, ka thënë ajo.

Duke folur për vendimin e djeshëm të gjykatës në Hagë dhe dënimet ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kusari-Lila ka deklaruar se vendimi ka shkaktuar tronditje dhe rëndesë të madhe, duke theksuar se hapat e ardhshëm duhet të jenë të menduar mirë dhe jo të nxituar apo emocionalë.

“Përderisa ajo çka ka ndodhur dje na ka tronditur të gjithëve në kuptimin më negativ të fjalës, në atë se sa të rënduar jemi ndjerë me peshën e dënimit që i është dhënë krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Hapat e ardhshëm nuk duhet të jenë as të ngutshëm e as emocionalë, duhet të jenë të menduar mirë dhe duhet bërë të gjithë përpjekjet maksimale edhe në aspektin institucional shtetëror por edhe partiak të të gjithëve që të sigurojmë se cila është rruga më e sigurt drejt lirimit të plotë të katër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë tutje ajo për  “Ekonomia Online”.

Kusari-Lila është shprehur se vendimi është i shkallës së parë dhe se ekziston mundësia e apelimit.

Ajo ka bërë thirrje që mekanizmi i apelit të shfrytëzohet dhe të ketë mobilizim të menjëhershëm.

“Është fat në fatkeqësi që është dënimi në shkallën e parë dhe ekziston apelimi, mekanizmi i apelit me të cilin duhet mobilizuar menjëherë”, është shprehur ajo.

Ministrja ka theksuar gjithashtu se çështja nuk duhet parë vetëm në aspektin ligjor, por edhe si çështje politike dhe shtetërore. Për këtë arsye, sipas saj, duhet të ketë koordinim dhe unitet në qëndrime.

“Ndërsa në diskutimet e tjera, prap po e thashë se çështja përveçse ligjore është edhe politike dhe shtetërore, prandaj duhet të ketë edhe koordinim edhe bashkim e unitet në qëndrime për arsye se kjo nuk është një betejë politike që do të fitojë dikush ndaj dikujt, kjo është betejë e gjithë Republikës së Kosovës”, ka deklaruar tutje ajo.

Gjykata Speciale i ka dënuar me 81 vjet burgim në total katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është dënuar me 25 vjet burgim. Gjykata e ka shpallur atë përgjegjës për krime që përfshijnë vrasje, torturë, trajtim mizor dhe ndalim të paligjshëm gjatë luftës në Kosovë.

Kadri Veseli është dënuar me 18 vjet burgim. Ai është shpallur fajtor për krime lufte, përfshirë ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen e paligjshme.

Jakup Krasniqi është dënuar me 25 vjet burgim. Gjykata e ka shpallur atë fajtor për krime lufte, përfshirë ndalimin arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen e paligjshme.

Ndërkaq, Rexhep Selimi është dënuar me 13 vjet burgim. Trupi gjykues e ka shpallur atë fajtor për krime lufte, përfshirë trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen e paligjshme.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka thirrur protestë…