Peci mbron Gërvallën: Stop sulmeve ndaj saj

18 shtator 2026 | 16:16

Kryetari i Partisë Guxo, Faton Peci, ka reaguar pas kritikave ndaj ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, lidhur me qëndrimin e saj ndaj dënimit të krerëve të UÇK-së nga Dhomat e Specializuara.

Peci ka dalë në mbrojtje të bashkëpartiakes së tij, e cila është edhe zëvendëskryeministre e Kosovës, duke kundërshtuar kërkesën e veteranëve të UÇK-së për dorëheqjen e saj.

Përmes një postimi në “Facebook”, Peci ka thënë se Partia Guxo do t’i kundërshtojë, siç është shprehur ai, përpjekjet për “stigmatizimin, demonizimin dhe linçimin” e Gërvallës.

“Në emër të Partisë Guxo dhe si Kryetar i saj, më duhet të them dy fjalë pas protestës së sotme. UÇK ka qenë dhe mbetet e krejt kombit shqiptar, ka qenë dhe mbetet simbol e vlerë e këtij populli dhe kështu do të mbetet përjetësisht. Protesta është shenjë civilizimi dhe e drejtë e garantuar në demokraci. Si të tillë, ne e respektojmë. Mirëpo, çdo përpjekje për stigmatizimin, demonizimin dhe linçimin e Donika Jusuf Gërvallës me anën e manifestimeve të tilla, do të marrë kundërshtimin tonë më të ashpër”, ka shkruar Peci.

Ai ka theksuar gjithashtu rolin që, sipas tij, familja e Gërvallës ka pasur në historinë e sakrificës për liri, duke përmendur edhe emërtimin e një brigade të UÇK-së me emrin “Jusuf Gërvalla”.

“Në historinë tonë të gjatë të sakrificës për liri, familja e saj dhe vetë Donika Gërvalla paraqesin një kapitull të rëndësishëm dhe të ndritshëm (njëra nga Brigadat e UÇK-së është quajtur ‘Jusuf Gërvalla’) dhe është udhërrëfyes e manual se si jetohet e vdiset për atdhe. Këtë nuk e harrojmë dhe këtë nuk GUXOJMË ta harrojmë! Prandaj, stop sulmeve ndaj Donika Gërvallës!”, ka shkruar ai.

Në reagimin e tij, Peci nuk ka komentuar dënimin e krerëve të UÇK-së me gjithsej 81 vjet burgim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, ka reaguar pas zhvillimeve të…