Dushi: Në shënjestër nuk janë vetëm individët, por themelet e shtetësisë
Nënkryetari i Komunës së Prishtinës nga radhët e LDK-së dhe ish-zëvendësministri i Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Florian Dushi, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Speciale ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Dushi ka thënë se Kosova, si shtet dhe demokraci e re, gjithmonë ka synuar t’i arrijë standardet më të larta ndërkombëtare të drejtësisë, duke theksuar se edhe vendimet që merren në emër të drejtësisë duhet t’u nënshtrohen të njëjtave standarde.
“Kur udhëheqësit e një lufte çlirimtare dënohen mbi një konstruksion të përgjegjësisë së përbashkët, bazuar në dëshmi individuale të pakonfirmuara, atëherë debati nuk mund të mbetet vetëm te fati individual i katër njerëzve.
Ai prek mënyrën se si po shkruhet dhe interpretohet vetë historia e luftës çlirimtare të Kosovës.
Dhe këtu qëndron rreziku më i madh: që, përmes gjykimit të individëve, gradualisht të ndërtohet një narrativë që e zhvendos luftën e Kosovës nga konteksti i saj historik – lufta për liri nga Serbia – dhe të goditet vetë themeli historik, politik dhe juridik mbi të cilin u ndërtua shteti i Kosovës.
Drejtësia duhet të dënojë krimin kur ai provohet, por nuk duhet të shndërrohet në instrument për rishkrimin e historisë së një populli.
Sepse, kur vihet në pikëpyetje lufta për liri, nesër mund të vihet në pikëpyetje edhe shteti që lindi prej saj”, ka shkruar Dushi në reagimin e tij.



