Altin Krasniqi: Babai im mund të mos jetë gjallë kur të përfundojë dënimin 25-vjeçar
Altin Krasniqi, djali i Jakup Krasniqit, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë, e cila e ka dënuar babain e tij me 25 vjet burgim.
Altin Krasniqi tha se mosha e të atit, i cili është 76 vjeç, e bën veçanërisht të rëndë perspektivën e një dënimi të tillë.
Ai foli edhe për protestën dhe mbështetjen e qytetarëve ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke e cilësuar atë si një motiv të madh për familjarët.
“Mbështetja në protestë është një motiv i madh. Populli i ka shpallur të pafajshëm dhe ata janë në luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Momenti i vendimit ka qenë shumë i rëndë. Babain e kam vizituar dhe ai ka një vullnet të fortë. Jam shumë krenar për të dhe ne ia kemi forcuar edhe mua. Jemi krenarë për të gjithë secilin prej tyre. 25 vite janë një dënim shumë i rëndë. Babai është 76 vjeç dhe momenti kur i përfundon ky dënim mundet të mos jetë gjallë. Jemi krenarë për të, sepse kemi 20 vjet të lirë që mund të mos i kishim pa luftën e UÇK-së”, tha ai në Euronews.



