Presidenti Ademi viziton kompaninë gjermane për ulëset e stadiumit të Kampit Nacional
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka bërë të ditur se federata është duke u përgatitur për procesin e sigurimit të ulëseve për stadiumin qendror të Kampit Nacional të FFK-së në Hajvali.
Ademi ka treguar se gjatë vizitës së tij në Gjermani ka vizituar një kompani në Münster, e specializuar në prodhimin e ulëseve për stadiume, të cilat, sipas tij, përmbushin standardet më të larta evropiane.
“Gjatë vizitës në Gjermani, pata mundësinë të vizitoj një kompani të specializuar në prodhimin e ulëseve të stadiumeve në Münster, të cilat përmbushin standardet më të larta evropiane.
Kjo vizitë është pjesë e përgatitjeve tona për procesin që Federata e Futbollit e Kosovës do ta nisë së shpejti për sigurimin e ulëseve për stadiumin qendror të Kampit Nacional të FFK-së në Hajvali.
Synimi ynë është që çdo detaj i këtij projekti të jetë në përputhje me standardet moderne dhe kërkesat më të larta për infrastrukturën sportive.
Vazhdojmë me përkushtim për ta ndërtuar një infrastrukturë moderne për futbollin e Kosovës”, ka shkruar Ademi.
Kampi Nacional në Hajvali është një prej projekteve të rëndësishme infrastrukturore të FFK-së, ndërsa federata synon që stadiumi dhe hapësirat përcjellëse të plotësojnë kërkesat moderne për zhvillimin e futbollit në Kosovë.



