Delegacioni i Grupit të Miqësisë Francë – Ballkani Perëndimor në Prishtinë, diskutohet përpjekja e Kosovës për anëtarësim në BE dhe NATO

21 shtator 2026 | 14:04

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Ardian Gola, ka pritur në takim një delegacion të Grupit të Miqësisë Francë – Ballkani Perëndimor të Senatit të Republikës së Francës, të kryesuar nga senatorja Marta de Cidrac, presidente e këtij grupi.

Në përbërje të delegacionit ishin edhe senatorët Laurence Harribey, Alain Milon dhe Arnaud Bazin, si dhe përfaqësues të Ambasadës së Francës në Kosovë, ambasadori Jean-François Huchet dhe këshilltari i parë, Mar Ivarra, ndërsa delegacioni shoqërohej edhe nga administratori i Senatit, Guillaume Renaudineau.

Fillimisht nënkryetari Gola u shprehu mirëseardhje anëtarëve të delegacionit, duke vlerësuar marrëdhëniet dhe bashkëpunimin e mirë ndërmjet Kosovës dhe Francës.

Ai shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Francës ndaj Kosovës, që nga intervenimi i NATO-s, procesi i shtetndërtimit, e deri te mbështetja në rrugën euroatlantike.

Në këtë kuadër, Gola vlerësoi mbështetjen e Francës për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, si dhe theksoi rëndësinë e heqjes së masave të vendosura ndaj Kosovës në vitin 2023.

Nënkryetari Gola theksoi se prioritet i Kosovës mbetet përpjekja për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në NATO, duke vlerësuar se integrimi euroatlantik i Kosovës do të kontribuonte në forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë.

Në këtë kontekst, ai shprehu shqetësimin e tij lidhur me deklaratat e fundit nga zyrtarë të lartë serbë, si ajo e ministres Paunoviq për spastrimin etnik të Kosovës, retorikën e papranueshme politike të Vuçiçit përkitazi me integritetin territorial të Republikës së Kosovës e deri te ceremonitë shtetërore në varrimin e kriminelit të dënuar për krime kundër njerëzimit, Ratko Mladiq.

Gola theksoi gjithashtu rëndësinë që Kosova i kushton anëtarësimit në Këshillin e Evropës, tani, siç tha ai, edhe për një arsye të re, për të pasur mundësinë për më shumë qasje në mekanizmat evropianë të drejtësisë, siç është Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeritut, ashtu që administrimi i proceseve të drejtësisë nga Dhomat e Specializuara në Hagë, të jetë në përputhje të plotë me standardet e drejtësisë.

Duke folur për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, senatorja Marta de Cidrac falënderoi nënkryetarin Gola për mikpritjen dhe theksoi se Franca ka qenë, është dhe do të vazhdojë të jetë pranë Kosovës në rrugën e saj euroatlantike.

Ajo rikujtoi shkëmbimet e mëhershme ndërmjet dy grupeve të miqësisë dhe theksoi rëndësinë e vazhdimit të kontakteve dhe shkëmbimeve ndërparlamentare ndërmjet Kosovës dhe Francës, si një mundësi për të thelluar bashkëpunimin dhe për të avancuar objektivat e përbashkëta.

Në shenjë miqësie dhe respekti, senatorja de Cidrac i dhuroi nënkryetarit Gola Medaljen e Shën Adrianës.
Nënkryetari Gola vlerësoi vizitën e delegacionit francez dhe theksoi se bashkëpunimi ndërmjet grupeve të miqësisë do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Grupi i Miqësisë Francë- Ballkani Perëndimor në Senatin francez përbëhet nga 30 senatorë dhe ka për fokus forcimin e marrëdhënieve ndërparlamentare, diplomacinë parlamentare dhe bashkëpunimin me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Eman Rrahmani, ka dhënë…