Pas vendimit të Speciales, Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” sot në orën 15:00 mban konferencë të jashtëzakonshme
Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur” do të mbajë sot, në orën 15:00, në sallën “Diamond Club” të hotelit “Swiss Diamond” në Prishtinë, konference për media, pas vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës të 16 shtatorit 2026.
Sipas njoftimit të Qendrës, vendimi i Dhomave të Specializuara ka krijuar, siç thuhet, “një gjendje të jashtëzakonshme”, duke vënë në rrezik “ardhmërinë e pavarësisë së shtetit të Kosovës”.
Përmes konferencës, organizatorët do të bëjnë publik një memorandum, përmes të cilit kërkojnë nga Presidenca, Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës “të vendosin Gjendjen e Jashtëzakonshme në Kosovë për shpërbërjen e Dhomave të Specializuara”, me arsyetimin se kjo do të shmangte rrezikun për rendin kushtetues dhe sigurinë publike.
Njoftimi është nënshkruar nga kryetari i Qendrës, Bardhyl Mahmuti, anëtari i Kryesisë Agush Buja dhe anëtarja e Kryesisë Alketa Gashi Fazliu.
Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur” ka qenë aktive në promovimin e dokumentimit dhe trajtimit publik të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.



