Hekurudha e së ardhmes, një vizion strategjik për Kosovën 2035

22 shtator 2026 | 13:22

Safet Gërxhaliu

Të debatohet në këto kohë të mungesës së stabilitetit politik dhe të funksionimit normal të institucioneve për projekte strategjike është paksa utopike. Por ardhmëria e Republikës së Kosovës është më e gjatë sesa e kaluara dhe duhet të kemi objektiva dhe strategji zhvillimore në interes të shtetit dhe qytetarëve të saj.
Krahas digjitalizimit dhe Inteligjencës Artificiale, investimet në infrastrukturën rrugore, ajrore dhe hekurudhore duhet të jenë prioritet. Shqyrtimi i Masterplanit Hekurudhor të Kosovës deri në vitin 2035, të hartuar si një vizion strategjik për transformimin e Kosovës në një shtet me një sistem hekurudhor modern dhe të integruar, duhet të analizohet dhe të pranohet si një mundësi strategjike, në shumë dimensione, në interes të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të Kosovës.
Masterplani propozon ndërtimin dhe modernizimin e rreth 600 kilometrave të infrastrukturës hekurudhore deri në vitin 2035, të organizuar rreth këtyre shtyllave:
• Lëvizshmëri kombëtare me frekuencë të lartë, sipas modelit zviceran, që lidh qytetet kryesore të Kosovës brenda 30 – 60 minutave;
• Lidhje ndërkombëtare me shpejtësi të lartë drejt Tiranës, për 2 orë; Shkupit, për 1 orë; si dhe drejt Stambollit dhe Evropës Qendrore;
• Integrimi i Kosovës me Korridoret 8, 5c dhe 4;
• Zhvillimi i lidhjes hekurudhore me Aeroportin e Prishtinës, i portit të thatë, zonave të lira ekonomike dhe qendrave industriale e logjistike;
• Lidhje hekurudhore shumë efikase me Shqipërinë dhe me hapësirën më të gjerë shqiptare;
• Hekurudha turistike që lidhin destinacionet kryesore malore të Kosovës; dhe
• Investime mbështetëse të sistemit hekurudhor në energji, infrastrukturë digjitale dhe pasuri të paluajtshme.
Objektivat kryesorë janë që infrastruktura hekurudhore:
• Të shndërrohet në një instrument të fuqishëm të zhvillimit ekonomik, i cili të mundësojë një rritje deri në 5% të nivelit të PBB-së, me ndikim të qëndrueshëm vjetor;
• Të forcojë kohezionin territorial;
• Të mundësojë integrimin strategjik kombëtar de facto;
• Të nxisë rritjen e produktivitetit dhe të investimeve;
• Të krijojë një treg kombëtar të integruar të punës; dhe
• Ta pozicionojë Kosovën si një qendër rajonale të transportit, industrisë dhe logjistikës.
Masterplani është konceptuar në kuadrin e një vizioni më strategjik dhe makro, me qëllim të forcimit të rolit udhëheqës të Shqipërisë dhe Kosovës në rajon.
Dokumenti është konceptuar si një kornizë strategjike për diskutim me Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe me partnerët e mundshëm ndërkombëtarë, institucionalë dhe financiarë. Aktualisht, po diskutohet ky dokument me disa institucione të rëndësishme amerikane, përfshirë USTDA-n, USDFC-n dhe Departamentin Amerikan të Shtetit.
Do të ishte dëm i madh për ardhmërinë e Republikës së Kosovës që të mos shfrytëzohet edhe kjo mundësi që ofron ky Masterplan.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Diplomaci aktive, sovranitet institucional dhe bashkëpunim i barabartë me partnerët…