“Ecja drejt vetes” i Bekim Sadikut na mëson të njohim vetveten
Libri i dytë i Bekim Sadikut, “Ecja drejt vetes”, ka dalë nga shtypi këtë javë.
Në këtë libër, shkruan shtëpia botuese Armagedoni, Sadiku niset nga një përvojë e thjeshtë dhe konkrete, nga ecja në natyrë, duke hyrë gradualisht në territoret më të ndërlikuara të qenies njerëzore dhe duke trajtuar me shembuj konkretë: frikën, paragjykimin, bindjet kufizuese, varësitë, marrëdhënien me mendjen, dashurinë, edukimin dhe meditimin. Ecja e tij nuk është thjesht lëvizje e trupit. Ajo bëhet një mënyrë për ta ngadalësuar ritmin, për të dëgjuar veten dhe për të parë më qartë atë që zakonisht humbet mes zhurmës së përditshme. Autori nuk pretendon se i ka gjetur të gjitha përgjigjet për të gjitha pyetjet që mund t’i bëhen. Librin e ndërton mbi përvojën personale, vëzhgimin dhe pyetjet që lindin gjatë një procesi të vazhdueshëm të njohjes së vetes. Takimet e rastësishme me njerëz, kujtimet, ecjet në shi, në pyll, marrëdhënia me fëmijët, përballja me zakonet dhe betejat e brendshme të tij, shndërrohen në pikënisje për reflektime më të gjëra mbi mënyrën si jetojmë.
Një nga boshtet e librit është përpjekja për t’u çliruar nga ajo që na është mësuar ta marrim si të vërtetë: frikërat, kufizimet, gjykimet dhe zërat që, me kalimin e kohës, i kemi bërë pjesë të vetes. Përballë tyre autori vendos vëzhgimin, praninë, dashurinë dhe meditimin. Në këtë kuptim, kthimi te vetja nuk paraqitet si destinacion, por si proces i përditshëm.
Sadiku përpiqet të na bindë se rruga më e gjatë është ajo që na çon te vendi më i afërt: te vetja. Dhe nëpërmjet mendimeve të tij, për dukuri të ndryshme, aftësohemi ta shohim jetën nga një kënd tjetër.
Bekim Sadiku lindi më 29 nëntor 1989 në Sojevë të Ferizajt. Është i martuar dhe baba i dy fëmijëve, Leonit dhe Tianës. Ky është libri i tij i dytë.



