NGA SA VJET PO E DËNONI LIRINË?

18 shtator 2026 | 13:29

Olta Fazliu
Nga sa vjet po e dënoni
Ademin e Hamzën?
Zahirin, Hakifin, Edmondin,
Ilirin, Adrianin,
Luanin e Shkëlzenin?
Nga sa vjet po e dënoni
Fehmiun e Xheven,
Agimin, Mujën, Salihun, Ismetin
ata që nuk e lanë
lirinë të mbetej vetëm fjalë
në gojën e një populli?
Nga sa vjet, më thoni,
po dënohet Prekazi?
Sa vite ia jepni
Adem Jasharit,
Hamëz Jasharit
dhe atyre që ranë
në oborrin ku gurët
ende mbajnë zërin e pushkëve?
Sa vite për nënat
që pritën te dera
me shpresën se djali do të kthehej,
e nata ua solli vetëm heshtjen?
Sa vite për baballarët
që u nisën në mëngjes
dhe nuk u kthyen më?
E fëmijët?
Nga sa vjet po e dënoni
një fëmijë që s’e kuptonte luftën,
por e kuptoi frikën?
Shpëtim Bogujevci
dhjetë vjeç.
Çfarë faji kishte dhjetëvjeçari
që plumbi i mësoi
atë që shkolla s’kishte aritur t’ia mësonte?
Shpendi
trembëdhjetë.
Nora
pesëmbëdhjetë.
Dafina
nëntë.
Arbëri
shtatë.
Mimoza
katër.
Emira
vetëm tre vjeçe.
Dhe sa vite
për një fëmijë
që nuk pati kohë
as të mësojë ç’është jeta?
Kujt ia numëroni vitet
kur fëmijëria u këput
para se të bëhej kujtim?
Nga sa vjet
për nënat e Mejës?
Për burrat e Izbicës?
Për njerëzit e Krushës?
Për familjet e Poklekut?
Për ata që ranë në Qyshk?
Për Reçakun,
ku mëngjesi u zgjua
me emra në vend të njerëzve?
Kush ua kthen
fëmijëve baballarët?
Kush ua kthen
nënave djemtë?
Kush ua kthen
shtëpive zërat
që nuk dëgjohen më?
Mos më pyesni
sa kushton liria.
Pyeteni tokën.
Ajo e di.
Pyeteni gurin e Prekazit.
Ai e di.
Pyeteni nënën
që ende e mban fotografinë
e djalit mbi zemër.
Ajo e di.
Pyeteni fëmijën
që u rrit pa baba.
Ai e di.
Sepse Kosova
nuk e mori lirinë dhuratë.
E pagoi me lot.
Me gjak.
Me shtëpi të djeguna.
Me varre pa moshë.
Me emra që sot
duhet t’i themi me zë,
që askush të mos thotë
“Ne nuk e dinim.”
Jo.
Ne e dimë.
E dimë për Prekazin.
E dimë për Reçakun.
E dimë për Mejën.
E dimë për Krushën.
E dimë për Izbicën.
E dimë për Poklekun.
E dimë për Qyshkun.
Dhe mbi çdo varr
që hesht në dhe,
një pyetje ende rri
Nga sa vjet po e dënoni
një popull që kërkoi të jetojë?
Nga sa vjet
po e dënoni një nënë
që kërkoi djalin?
Nga sa vjet
po e dënoni një fëmijë
që kërkoi babanë?
Nga sa vjet
po e dënoni një njeri
që kërkoi të ishte i lirë?
Mos e matni lirinë me vite.
Se vitet kalojnë.
Emrat mbeten.
Dhe sa të ketë një njeri
që i thotë emrat e tyre,
ata nuk janë harruar.
Adem.
Hamëz.
Fehmi.
Xhevë.
Zahir.
Hakif.
Edmond.
Agim.
Mujë.
Salih.
Ismet.
Dhe mijëra emra të tjerë
që nuk duhet të treten
në heshtjen e kohës.
Në emrin e tyre
kujtesa nuk gjykohet.
Në emrin e tyre
liria nuk harrohet.
Sepse Kosova
lirinë nuk e mori dhuratë.
E pagoi me jetë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka deklaruar se protesta e…