Angela Kosta nderohet me çmimin prestigjioz “Rita Levi-Montalcini” në Romë
Promovuesja shqiptare Angela Kosta është nderuar me çmimin prestigjioz “Rita Levi-Montalcini”, në kuadër të eventit “L’Eccellenza è Donna – Ekselenca është Grua”, të zhvilluar në Romë.
Në këtë ceremoni morën pjesë Alessandro Della Posta, president i Akademisë Kulturore Internacionale Cartagine 2.0, Prof. Luca Alfieri, drejtor i Departamentit të Shkencave Humane në Universitetin Guglielmo Marconi, si dhe përfaqësues të institucioneve partnere.
Eventi pati mbështetjen e Radio Studio 107 Milano dhe TV Lombardia, të drejtuar nga Dr. Sabrina Morelli.

“L’Eccellenza è Donna – Ekselenca është Grua” synon të shndërrohet në një takim vjetor ku shkenca, kultura, arti, informacioni dhe kërkimi shkencor bashkohen rreth vlerës së dijes dhe talentit.
Për Angela Kostën, marrja e çmimit “Rita Levi-Montalcini” përbën një tjetër etapë në rrugëtimin e saj kulturor ndërkombëtar, duke sjellë një prani të rëndësishme shqiptare në një ceremoni të zhvilluar në emër të Rita Levi-Montalcinit, një prej grave shkencëtare më të njohura të Italisë, nobeliste dhe senatore.



