Mustafa: Fati i ish-krerëve të UÇK-së të trajtohet në bashkëpunim me ShBA-në dhe BE-në
Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka folur për Dhomat e Specializuara në Hagë dhe zhvillimet pas aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Mustafa ka rikujtuar rrethanat në të cilat Kosova vendosi për themelimin e Dhomave të Specializuara, duke thënë se vendimi ishte marrë në kontekstin e akuzave të ngritura në raportin e Dick Martyt dhe dokumentet e Këshillit të Evropës.
Sipas tij, Kosova kishte zgjedhur përballjen me drejtësinë ndërkombëtare, duke u bazuar në besimin që kishte në sistemet juridike perëndimore.
“Dhomat e Specializuara në Hagë janë themeluar si pasojë e akuzave morbide për trafikim të organeve njerëzore, të përmbajtura në raportin e Dick Martit dhe dokumentin e Këshillit të Evropës. Kosova, e bindur se nuk qëndron as njëra as tjetra, e ka pranuar sfidën e përballjes me drejtësinë ndërkombëtare”, ka deklaruar Mustafa për “lajmi.net”.
Ai ka thënë se në atë kohë Kosovës i ishte tërhequr vërejtja nga partnerët strategjikë se, nëse nuk do ta themelonte vetë këtë mekanizëm, atëherë ai mund të krijohej nga Kombet e Bashkuara.
Mustafa është shprehur se vendimi i atëhershëm duhet të shihet në kontekstin e rrethanave të kohës, ndërsa ka vlerësuar se akuzat për trafikim të organeve dhe ato për krime kundër njerëzimit, sipas tij, kanë rënë poshtë.
“Është e nevojshme që edhe tani të sillemi në nivelin e përgjegjësisë në kontekstin e rrethanave dhe motiveve që shkaktuan themelimin e saj. Të vlerësojmë se kanë rënë poshtë akuzat për trafikim të organeve njerëzore dhe ato për krime kundër njerëzimit, që qëndronin si damkë e zezë për Kosovën dhe UÇK-në”, ka thënë ai.
Ish-kryeministri ka kërkuar që çështja e Dhomave të Specializuara të trajtohet në mënyrë juridike dhe politike, pa u udhëhequr nga emocionet. Ai ka theksuar nevojën për bashkëpunim të ngushtë të institucioneve të Kosovës me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.
“Çështja e Dhomave të Specializuara meriton trajtim joemocional, juridik dhe politik. Fati i tyre duhet të trajtohet dhe të zgjidhet në bashkëpunim të ngushtë me institucionet e BE-së dhe ShBA-ve”, ka deklaruar Mustafa.
Duke folur për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, Mustafa ka thënë se, sipas tij, institucionet e Kosovës duhet të angazhohen për të argumentuar drejtësinë e luftës së UÇK-së dhe për të mbrojtur atë që ai e konsideron si të vërtetën historike të Kosovës.
“Konsideroj se aktualisht Kosova nuk ka çështje më të rëndësishme dhe më të madhe sesa betejën për të argumentuar se lufta çlirimtare ka qenë e drejtë”, ka thënë ai.
Mustafa ka bërë thirrje që subjektet politike të bashkohen rreth kësaj çështjeje dhe të shfrytëzojnë kapacitetet juridike e institucionale vendore, si dhe ekspertizën ndërkombëtare, me mbështetje financiare nga Qeveria.
Ai u është referuar edhe protestave të qytetarëve, duke kërkuar që institucionet ta dëgjojnë zërin e tyre dhe të veprojnë në mënyrë të koordinuar.
“Subjektet politike të bëhen bashkë në këtë çështje, të shfrytëzojnë tërë kompetencën e brendshme të dijes juridike dhe institucionale si dhe atë ndërkombëtare me përkrahje të nevojshme financiare të qeverisë. Ta dëgjojnë zërin e mijëra qytetarëve që këto ditë po e shprehin qëndrimin e tyre”, ka thënë Mustafa.
Katër ish-krerët e UÇK-së u shpallën fajtorë nga Dhomat e Specializuara për disa nga pikat e aktakuzës që lidhen me krime lufte, ndërsa akuzat për krime kundër njerëzimit u rrëzuan.
Mustafa ishte kryeministër i Kosovës në vitin 2015, kur Kuvendi votoi amendamentin kushtetues që i hapi rrugë themelimit të Dhomave të Specializuara. Ai kishte prezantuar dhe arsyetuar para deputetëve këtë amendament, duke kërkuar votimin e tij si detyrim ndërkombëtar dhe duke argumentuar se kjo do të shmangte një ndërhyrje të mundshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.



