Kurti falënderon Britaninë për mbështetjen ndaj Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë me dije se sot është takuar me të Dërguarën e Posaçme të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Dame Karen Pierce.
Sipas Kurtit, gjatë takimit është diskutuar për zhvillimet politike dhe të sigurisë, marrëdhëniet Kosovë – Serbi, shqiptarët në Luginën e Preshevës, si dhe perspektivën euroatlantike të Kosovës.
Kurti ka thënë se e ka falënderuar Pierce për qëndrimin e Mbretërisë së Bashkuar kundër glorifikimit të kriminelëve të dënuar të luftës, ndërsa ka vlerësuar mbështetjen britanike për sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës.
“Shpreha shqetësimin për dënimet e rënda dhe të padrejta ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së në shkallën e parë të Dhomave të Specializuara. Procesi nuk ka përfunduar dhe presim që në apel të adresohen padrejtësitë dhe mangësitë e këtij aktgjykimi”, ka shkruar Kurti.
Në takim, sipas tij, është diskutuar edhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, statusin e vendit kandidat për Bashkimin Evropian dhe thellimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
Kurti ka theksuar se Kosovën dhe Mbretërinë e Bashkuar i lidh historia e çlirimit dhe shtetndërtimit, si dhe perspektiva e përbashkët euroatlantike.
Në fund të takimit, Kurti ka bërë të ditur se i ka uruar paraprakisht ditëlindjen Dame Karen Pierce, e cila feston ditëlindjen të enjten, duke i dhuruar edhe një kujtim nga Republika e Kosovës.



