Zëdhënësja e Amnesty International, Nadia Boehlen, i përgjigjet veprimtarit Sali Bislimit

24 shtator 2026 | 10:54

Zëdhënësja e Amnesty International, Nadia Boehlen, i është përgjigjur veprimtarit dhe drejtorit të “Zërit Perëndimor të Kosovës”, Sali Bislimit, pasi ai i kishte dërguar një letër lidhur me qëndrimin e organizatës për dënimin e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Në përgjigjen e saj, Boehlen ka falënderuar Bislimin për letrën dhe interesimin ndaj punës së Amnesty International, duke sqaruar se artikulli i publikuar më 17 shtator nuk kishte për qëllim të trajtonte bazueshmërinë historike apo politike të kërkesës për pavarësinë e Kosovës.

Ajo ka theksuar se Amnesty International e mbron të drejtën e popujve për vetëvendosje, por ka shtuar se kjo e drejtë nuk e përjashton asnjërën palë në një konflikt të armatosur nga detyrimi për të respektuar të drejtën ndërkombëtare humanitare dhe të drejtat e njeriut.

Veprimtari Sali Bislimi kundërshton qëndrimin e Amnesty International për dënimin e Thaçit

“Krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit duhet të hetohen dhe të ndiqen penalisht, pavarësisht se cilës palë i përkasin të dyshuarit, legjitimitetit të kauzës së tyre apo rolit të tyre në konflikt”, thuhet në përgjigjen e Boehlen.

Boehlen ka sqaruar gjithashtu se Amnesty International, në përgjithësi, nuk shprehet për fajësinë apo pafajësinë e personave që ndiqen penalisht, por mbron të drejtën për një gjykim të drejtë dhe pavarësinë e drejtësisë.

Ajo ka thënë se organizata nuk pajtohet me idenë se ndjekja penale e krimeve ndërkombëtare përbën pengesë për ushtrimin e së drejtës për vetëvendosje.

Bislimi, duke reaguar pas përgjigjes së marrë nga Amnesty International, ka shkruar: “Shoh që gëzimin e madh të dënimit e kanë reduktuar.”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, ka reaguar ashpër ndaj Bashkimit…