Gjykata Speciale vazhdon ta mbajë në listën e zezë Artan Behramin
Dhomat e Specializuara në Hagë kanë marrë një vendim të ri lidhur me vizitat te ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Gjykata ka hequr ndalesën për gjashtë persona, por ka vendosur që ndalesa për vizitat jo të privilegjuara të vazhdojë për katër persona: Artan Behramin, Blerim Shalën, Ismail Sylën dhe Vllaznim Kryeziun.
Sipas vendimit, vizitat e këtyre katër personave ndaj Thaçit vazhdojnë të jenë të ndaluara, ndërsa për gjashtë personat e tjerë kufizimi është hequr, me vizitat e tyre që do të monitorohen.
Artan Behrami është ndër zërat që e kanë kundërshtuar publikisht Gjykatën Speciale që nga ditët e para të arrestimit të krerëve të UÇK-së.
Që në vitin 2020, Behrami e kishte kritikuar Specialen dhe kishte mbrojtur publikisht UÇK-në dhe krerët e saj.
Qëndrimet e tij kritike ndaj Gjykatës Speciale kanë vazhduar gjatë gjithë këtyre viteve.



