Haxhiu viziton familjen e Afrim Bunjakut në trevjetorin e rënies së tij
U. d. presidentja dhe kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, sot në Samadrexhë, ka vizituar familjen Bunjaku dhe ka bërë homazhe te varri i heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku, në trevjetorin e rënies së tij.
Ajo ka thënë se tri vjet më parë, Afrimi u nis në detyrë dhe nuk u kthye më në shtëpi.
“Në Banjskë, ai ra duke mbrojtur sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Republikës së Kosovës nga sulmi terrorist i 24 shtatorit. Për Kosovën, Afrim Bunjaku është Hero. Për familjen e tij është Afrimi që mungon çdo ditë. Bashkëshorti, babai, vëllai që për 22 vjet kishte veshur uniformën e Policisë së Kosovës dhe i kishte shërbyer vendit të vet. Familjes Bunjaku i shpreha edhe një herë respektin dhe mirënjohjen time të thellë. Afrimi ra në krye të detyrës, por atë mëngjes ai dhe kolegët e tij e mbrojtën Republikën. Për këtë, Kosova do t’i jetë përherë mirënjohëse. Lavdi heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku!”, ka shkruar Haxhiu në “Facebook”.



