“Putini është në pozitë të vështirë”, Rutte paralajmëron për kërcënimet ruse

25 shtator 2026 | 08:38

NATO-ja është e përgatitur të reagojë ndaj incidenteve të sabotimit, sulmeve me dronë dhe kërcënimeve të tjera hibride në Evropë, ka deklaruar të enjten Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte.

Duke folur në Nju-Jork gjatë një aktiviteti për përkujtimin e sulmeve të 11 shtatorit 2001 në SHBA, Rutte tha se Rusia po ndërmerr gjithnjë e më shumë veprime në fushën kibernetike dhe në forma të tjera të luftës hibride.

“NATO-ja është gati për këtë”, ka thënë Rutte, duke shtuar se aleanca ka në dispozicion opsione të ndryshme reagimi ndaj kërcënimeve hibride.

Rutte deklaroi gjithashtu se rritja e incidenteve hibride në vendet anëtare të NATO-s tregon, sipas tij, se presidenti rus Vladimir Putin ndodhet në një pozitë të vështirë lidhur me luftën në Ukrainë.

Ai u bëri thirrje vendeve anëtare të NATO-s që të rrisin mbështetjen për Ukrainën, duke theksuar se aleanca është e gatshme të përdorë “çfarëdo që të jetë e nevojshme” në rast të incidenteve apo sulmeve hibride.

Deklaratat e Rutte vijnë pasi inteligjenca daneze paralajmëroi për rritje të rrezikut nga veprimet ushtarake ruse ndaj vendeve të NATO-s, përfshirë sulmet hibride.

Ndërkohë, mediat spanjolle raportuan se inteligjenca amerikane kishte paralajmëruar disa vende evropiane për një operacion të mundshëm rus me dronë, që mund të synonte Spanjën, Francën ose Italinë.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Komisioni Evropian po shton presionin ndaj Ukrainës për përshpejtimin e…