Arabia Saudite rrit gatishmërinë pas sulmeve të Huthëve, aktivizon bashkëpunimin me Turqinë dhe Pakistanin
Arabia Saudite ka rritur gatishmërinë e saj ushtarake pas sulmeve të fundit të rebelëve Huthi nga Jemeni, ndërsa Riadi ka aktivizuar bashkëpunimin trepalësh në fushën e mbrojtjes me Turqinë dhe Pakistanin.
Krerët e shtabeve të mbrojtjes kombëtare të tre vendeve pritet të zhvillojnë një takim urgjent për të diskutuar forcimin e mbrojtjes së Arabisë Saudite pas sulmeve të lëvizjes Ansarallah, e njohur si Huthi dhe e mbështetur nga Irani.
Ministria e Jashtme saudite ka konfirmuar takimin, por nuk ka dhënë detaje mbi përmbajtjen e diskutimeve apo masat që mund të ndërmerren.
Ndërkohë, Myftiu i Madh i Arabisë Saudite, Sheikh Saleh bin Fawzan al-Fawzan, u ka bërë thirrje forcave të armatosura saudite të jenë të gatshme edhe për sakrificë në mbrojtje të vendit.
Zhvillimet kanë ngritur pikëpyetje nëse Riadi mund të shqyrtojë një përgjigje më të gjerë ushtarake ndaj Huthëve, përfshirë një operacion tokësor në Jemen në bashkëpunim me forcat e qeverisë së njohur ndërkombëtarisht, të cilën Arabia Saudite e mbështet.
Tensionet mes Riadit dhe Huthëve janë përshkallëzuar gjithashtu pas një sulmi ndaj një xhamie në jug të Arabisë Saudite, të cilin autoritetet saudite ia atribuuan lëvizjes Huthi.
Riadi e ka akuzuar së fundmi Ansarallah-un edhe për përpjekje për të sulmuar Mekën, akuzë që Huthët e kanë mohuar.
Huthët, të mbështetur nga Irani, mbeten një nga aktorët kryesorë në konfliktin e Jemenit dhe në përplasjet rajonale mes Teheranit dhe Riadit.



