A e dini se çfarë ndodh me makinat elektrike pas 150 mijë kilometrash? Do të habiteni me studimin e ri!

25 shtator 2026 | 12:15

Një studim i bërë në Britaninë e Madhe po sfidon idenë se një makinë elektrike me shumë kilometra në kroskot është domosdoshmërisht më e konsumuar apo më problematike. Analiza e 47.4 milionë kontrolleve teknike MOT tregon se, ndërsa rriten kilometrat, automjetet elektrike kanë në disa kategori më pak dështime se makinat me benzinë të së njëjtës moshë dhe kilometrazh.

Studimi u realizua nga organizata kërkimore New AutoMotive, duke përdorur të dhëna zyrtare të DVSA. Analiza u përqendrua te kontrollet MOT dhe krahasoi automjetet sipas moshës dhe kilometrave të përshkuara. Rezultatet tregojnë se diferenca mes makinave elektrike dhe atyre me benzinë bëhet më e dukshme pas rreth 60 mijë miljesh. Te makinat 3 deri në 8 vjeç që kishin përshkuar 90-120 mijë milje, rreth 16.5% e makinave elektrike dështuan në MOT, krahasuar me 22.1% të makinave me benzinë. Kjo do të thotë se, në këtë kategori, makinat elektrike kishin rreth 25% më pak gjasa të dështonin në kontrollin teknik sesa automjetet me benzinë të së njëjtës moshë dhe kilometrazh.

Diferenca bëhet edhe më e madhe mbi 120 mijë milje, rreth 193 mijë kilometra. Në këtë grup, 16% e makinave elektrike dështuan në MOT, ndërsa te makinat me benzinë norma ishte 23.5%. Në kilometrat më të ulëta, diferenca është shumë më e vogël. Për shembull, në intervalin 20-40 mijë milje, dështuan 12% e makinave elektrike dhe 11.7% e atyre me benzinë.

Një nga shpjegimet e mundshme lidhet me konstruksionin mekanik të makinave elektrike. Ato nuk kanë motor me djegie të brendshme, sistem shkarkimi, katalizator, sistem furnizimi me karburant dhe një sërë komponentësh të tjerë që mund të konsumohen ose të krijojnë defekte me kalimin e kohës. Studimi zbuloi gjithashtu se nuk ka prova që pesha më e madhe e makinave elektrike të përkthehet automatikisht në më shumë probleme me amortizatorët apo sistemin e pezullimit.

Megjithatë, një pikë e dobët e makinave elektrike janë gomat. Analiza gjeti më shumë defekte të gomave te ato, ndërsa faktorë si pesha mund të ndikojnë në konsumimin e tyre. Edhe sistemi i frenimit paraqet një situatë interesante. Frenimi rigjenerues bën që frenat mekanike të përdoren më pak në një makinë elektrike, çka mund të reduktojë konsumimin e tyre.

Studimi gjeti se makinat elektrike me kilometrazh të lartë kishin dukshëm më pak probleme me frenat. Nga ana tjetër, te makinat elektrike më të vjetra që përdoren pak, përdorimi i rrallë i frenave mekanike mund të favorizojë korrozionin e disqeve dhe komponentëve të tjerë. Rezultatet e studimit nuk do të thonë se një makinë elektrike me 150 apo 200 mijë kilometra ka domosdoshmërisht një bateri në gjendje të shkëlqyer. MOT mat përshtatshmërinë e automjetit për qarkullim, jo shëndetin e baterisë. Kontrolli nuk mat drejtpërdrejt kapacitetin e mbetur të baterisë, degradimin elektrokimik apo performancën e karikimit.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Çlirim Haziri, njëri nga organizatorët e protestave në sheshin “Skënderbeu”…