Hamza takohet me drejtuesit e OVLUÇK-së: Më 1 tetor, të gjithë në shesh kundër padrejtësisë
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka zhvilluar sot një takim me udhëheqësit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, me të cilët ka diskutuar për sfidat me të cilat po përballet vendi.
Hamza ka thënë se në takim është diskutuar për rëndësinë e ruajtjes së dinjitetit, të së vërtetës për luftën dhe të vlerave për të cilat, sipas tij, janë sakrifikuar breza të tërë.
“Veteranët e UÇK-së bartin mbi supe pjesën më të rëndësishme të historisë së vendit tonë. Ata qëndruan në ditët më të vështira dhe sakrifikuan për lirinë”, ka shkruar Hamza në “Facebook”.
Ai ka bërë me dije se më 1 tetor, në orën 16:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, do të marrin pjesë në tubimin e paralajmëruar së bashku me veteranët, studentët dhe qytetarët.
“Të gjithë bashkë kundër padrejtësisë!”, ka shkruar Hamza.



