Nismë për ta çuar Ligjin për Specialen në Kushtetuese, kërkesa i dërgohet Avokatit të Popullit

25 shtator 2026 | 15:17

Një grup prej 24 profesionistësh, akademikësh dhe përfaqësuesish të shoqërisë civile i kanë kërkuar Avokatit të Popullit që ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës çështjen për të sqaruar nëse mandati i Dhomave të Specializuara është zgjeruar përtej kufijve të përcaktuar me Kushtetutë.

Në kërkesë është kërkuar të sqarohet, ndër të tjera, nëse lidhja me Raportin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës është kusht i detyrueshëm për ushtrimin e juridiksionit të Speciales dhe nëse kjo lidhje duhet të dëshmohet për krimet, personat e akuzuar dhe qëllimin e pretenduar kriminal.

Nënshkruesit kanë kërkuar gjithashtu vlerësim nëse dispozitat ligjore që përcaktojnë juridiksionin e Dhomave të Specializuara janë mjaftueshëm të qarta, objektive dhe të parashikueshme, si dhe në përputhje me Kushtetutën.

Kërkesa e plotë dhe pa ndërhyrje

Kërkesë për shqyrtimin kushtetues të Ligjit për Dhomat e Specializuara

Për: Avokatin e Popullit të Republikës së Kosovës, z. Naim Qelaj

Lënda: Kërkesë për referimin në Gjykatën Kushtetuese të përputhshmërisë së dispozitave të caktuara të Ligjit nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës

Data: 24 shtator 2026, Prishtinë

I nderuar z. Qelaj,

Ne, përfaqësuesit e poshtëshënuar të organizatave të shoqërisë civile, komunitetit akademik, organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe qytetarë të Republikës së Kosovës, ju drejtohemi me kërkesë që, në përputhje me kompetencat tuaja kushtetuese, të shqyrtoni mundësinë e referimit në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës të çështjes së përputhshmërisë së dispozitave të caktuara të Ligjit nr. 05/L-053 me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Këtë kërkesë e paraqesim me respekt të plotë për pavarësinë e gjyqësorit, dinjitetin dhe të drejtat e viktimave, të drejtën e secilit person për proces të rregullt gjyqësor dhe mjete juridike efektive, si dhe parimin se pretendimet e besueshme për krime lufte duhet të hetohen dhe gjykohen në mënyrë të drejtë, të paanshme dhe profesionale.

Kërkesa jonë nuk synon shqyrtimin e provave kundër personave të akuzuar, zëvendësimin e procedurës së ankimit apo përcaktimin e fajësisë ose pafajësisë individuale. Ajo ka të bëjë me kufijtë kushtetues të legjislacionit përmes të cilit janë themeluar dhe funksionojnë Dhomat e Specializuara, si dhe me përputhshmërinë e juridiksionit dhe të formave të përgjegjësisë penale të parashikuara prej tij me Amendamentin nr. 24, të drejtat dhe liritë themelore dhe parimet kushtetuese të ligjshmërisë, sigurisë juridike, proporcionalitetit dhe përgjegjësisë penale individuale.

1. Baza kushtetuese dhe kufijtë e mandatit

Neni 162, paragrafi 1, i Kushtetutës lejon themelimin e Dhomave të Specializuara dhe të Zyrës së Prokurorit të Specializuar me qëllim që Republika e Kosovës t’i përmbushë obligimet e saj ndërkombëtare lidhur me Raportin Doc. 12462 të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, të datës 7 janar 2011. Ligji nr. 05/L-053 përcakton po ashtu se këto institucione janë themeluar për procedura lidhur me pretendimet për krime të rënda ndërkufitare dhe ndërkombëtare, të cilat lidhen me pretendimet e raportit dhe kanë qenë objekt i hetimeve nga Task Forca Hetimore Speciale.

Nga kjo rezulton se Kushtetuta nuk ka dhënë autorizim të pakufizuar për krijimin e një juridiksioni të përgjithshëm penal. Ajo ka lejuar një mekanizëm të specializuar, brenda sistemit të drejtësisë së Kosovës, për një qëllim të caktuar kushtetues dhe me lidhje të përcaktuar me pretendimet që çuan në themelimin e tij.

Përmbledhja e aktgjykimit në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit e ka bërë më të dukshme mënyrën se si janë interpretuar dhe zbatuar këto dispozita. Ajo përfshin vlerësime të gjera mbi historinë, organizimin, udhëheqjen dhe strukturat politike e ushtarake të UÇK-së, komunikatat publike, emërimet, shërbimet e inteligjencës, policinë ushtarake, zonat operative, si dhe objektivat e sigurimit të pavarësisë së Kosovës dhe vendosjes së kontrollit politik dhe institucional.

Trupi gjykues ka deklaruar se çështja nuk kishte të bënte me legjitimitetin e UÇK-së apo me qëllimin e saj për një Kosovë të pavarur. Ky sqarim është i rëndësishëm. Megjithatë, shtrirja e analizës ngre pyetjen nëse lidhja me pretendimet konkrete të Raportit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës ka funksionuar si kufizim real dhe efektiv i juridiksionit, apo si pikënisje për ushtrimin e një juridiksioni shumë më të gjerë mbi organizimin dhe veprimtarinë e UÇK-së gjatë dhe pas luftës.

Nëse shprehja “të cilat ndërlidhen me Raportin e Asamblesë së Këshillit të Evropës” interpretohet aq gjerësisht sa të përfshijë çdo krim të pretenduar, person, strukturë, politikë apo zhvillim që ka lidhje të përgjithshme historike me UÇK-në, kufizimi i nenit 6 rrezikon të humbasë efektin e vet juridik. Kjo kërkon sqarim nëse mandati është zgjeruar përtej kufijve të autorizimit të dhënë nga neni 162 i Kushtetutës.

Në këtë drejtim, kërkojmë të sqarohet nëse:

lidhja me Raportin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës përbën kusht material dhe të detyrueshëm për ushtrimin e juridiksionit në secilin rast;
kjo lidhje duhet të dëshmohet në raport me krimet konkrete, personat e akuzuar dhe qëllimin e pretenduar kriminal, dhe jo vetëm përmes një lidhjeje të përgjithshme historike ose organizative me UÇK-në;
neni 6, paragrafi 1, i lexuar së bashku me nenet 1, 7, 8, 9 dhe 12 të Ligjit, ofron kufizim mjaftueshëm të qartë, objektiv dhe të parashikueshëm të juridiksionit; dhe
një shtrirje e tillë, nëse konstatohet, është në përputhje me nenet 7, 16, 31, 33, 55, 102, 103 dhe 162 të Kushtetutës.

2. Pavarësia e Kosovës dhe qëllimi i pretenduar i përbashkët kriminal

Trupi gjykues ka deklaruar se rasti nuk kishte të bënte me legjitimitetin e UÇK-së apo me qëllimin e saj për sigurimin e një Kosove të pavarur dhe se objektivat e ndjekura nga të akuzuarit, në vetvete, nuk e bënin veprimtarinë e tyre kriminale.

Në të njëjtën kohë, përmbledhja e aktgjykimit identifikon dy objektiva të përgjithshme që, sipas trupit gjykues, ndiqeshin nga të akuzuarit dhe pjesëtarë të tjerë të udhëheqjes së UÇK-së: sigurimin e pavarësisë së Kosovës dhe vendosjen e kontrollit politik dhe institucional mbi Kosovën që shpresohej të bëhej e pavarur. Trupi gjykues më pas ka konstatuar se, gjatë përpjekjeve për realizimin e këtyre objektivave, një komponent kritik i mjeteve dhe strategjisë së pretenduar ishte shënjestrimi, eliminimi ose neutralizimi i personave të përshkruar si “Kundërshtarë”.

Në këtë mënyrë, ndonëse pavarësia e Kosovës nuk është cilësuar shprehimisht si objektiv kriminal, ndjekja e pavarësisë dhe e kontrollit politik e institucional është vendosur brenda strukturës faktike përmes së cilës është shpjeguar ekzistenca dhe funksionimi i qëllimit të pretenduar të përbashkët kriminal.

Objektivi legjitim i çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës, organizimi politik dhe ushtarak për realizimin e këtij objektivi dhe përgjegjësia penale për veprime të caktuara janë çështje juridikisht të dallueshme. Një objektiv legjitim politik ose ushtarak nuk mund të krijojë vetvetiu dashjen kriminale, sikurse pjesëmarrja në udhëheqjen, organizimin, komunikimin politik apo zhvillimin institucional të një lëvizjeje çlirimtare nuk mund ta zëvendësojë provën për kontribut të qëllimshëm në një qëllim konkret kriminal.

Prandaj, kërkojmë që Gjykata Kushtetuese të sqarojë nëse nenet 6, 12 dhe 16 ofrojnë garanci të mjaftueshme për të bërë dallimin ndërmjet objektivit legjitim të lirisë dhe pavarësisë, veprimtarisë së ligjshme politike, ushtarake dhe institucionale, dhe kontributit të qëllimshëm në krime konkrete ose në një qëllim konkret kriminal.

3. Ligjshmëria dhe parashikueshmëria e përgjegjësisë penale

Neni 12 i Ligjit nr. 05/L-053 parasheh zbatimin e së drejtës zakonore ndërkombëtare dhe të së drejtës materiale penale të Kosovës, për aq sa kjo e fundit është në përputhje me të drejtën zakonore ndërkombëtare, në formën që këto norma kanë pasur në kohën e kryerjes së krimeve të pretenduara.

Neni 16, paragrafi 1(a), përcakton përgjegjësinë penale individuale të personit që ka planifikuar, nxitur, urdhëruar, kryer ose në ndonjë mënyrë tjetër ka ndihmuar në planifikimin, përgatitjen ose kryerjen e një krimi. Përmbledhja e aktgjykimit deklaron se të akuzuarit janë shpallur përgjegjës përmes kontributit të tyre domethënës në një ndërmarrje të përbashkët kriminale.

Megjithatë, teksti i nenit 16 nuk e përdor shprehimisht termin “ndërmarrje e përbashkët kriminale”, nuk i përcakton elementet ose format e saj dhe nuk përcakton qartë kufirin ndërmjet kontributit politik ose institucional dhe kontributit në një qëllim të përbashkët kriminal. Parimi i ligjshmërisë kërkon që format e përgjegjësisë penale dhe pasojat e tyre juridike të jenë të qasshme, të qarta dhe të parashikueshme, veçanërisht kur përgjegjësia mbështetet në të drejtën zakonore ndërkombëtare dhe në praktikën gjyqësore.

Për këtë arsye, kërkojmë të sqarohet nëse:

nenet 12 dhe 16 i përcaktojnë format e përgjegjësisë penale individuale me qartësinë dhe parashikueshmërinë e kërkuar nga neni 33 i Kushtetutës dhe neni 7 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut;
neni 16, paragrafi 1(a), lejon përgjegjësi penale mbi bazën e ndërmarrjes së përbashkët kriminale kur kjo formë dhe elementet e saj nuk përkufizohen shprehimisht në Ligj; dhe
dispozitat përkatëse ofrojnë garanci që anëtarësimi në struktura politike ose ushtarake, vendimmarrja institucionale, mbështetja për pavarësinë, komunikimi politik gjatë luftës apo kontributi në organizimin e UÇK-së të mos shërbejnë, pa prova përkatëse për dashjen dhe kontributin individual, si zëvendësim për përgjegjësinë penale personale.

4. Dhomat e Specializuara brenda sistemit të drejtësisë së Kosovës

Nenet 102 dhe 103 të Kushtetutës përcaktojnë se pushteti gjyqësor është unik, i pavarur, i drejtë, apolitik dhe i paanshëm; lejojnë themelimin e gjykatave të specializuara kur është e nevojshme; dhe ndalojnë gjykatat e jashtëzakonshme.

Ligji nr. 05/L-053 e përcakton veten si lex specialis, përjashton zbatimin e legjislacionit tjetër të Kosovës përveç rasteve kur ai inkorporohet shprehimisht, u jep Dhomave përparësi brenda juridiksionit të tyre dhe krijon rregulla të posaçme për emërimin dhe caktimin e gjyqtarëve, administrimin, mbikëqyrjen, imunitetet, buxhetimin, auditimin dhe qasjen në dokumente.

Disa prej këtyre rregullimeve janë parashikuar shprehimisht nga neni 162. Megjithatë, kërkojmë të shqyrtohet nëse veprimi i kombinuar i dispozitave që rregullojnë përparësinë juridiksionale, përjashtimin e legjislacionit tjetër të Kosovës, emërimin dhe caktimin e gjyqtarëve, imunitetet, auditimin dhe qasjen në dokumente e ruan karakterin e Dhomave të Specializuara si pjesë e sistemit unik të drejtësisë së Kosovës, në përputhje me nenet 4, 16, 102, 103 dhe 162 të Kushtetutës.

5. Dallimi nga shqyrtimi paraprak i Amendamentit nr. 24

Jemi të vetëdijshëm se Gjykata Kushtetuese, në rastin KO26/15, e ka shqyrtuar propozimin për Amendamentin nr. 24 dhe ka vlerësuar se ai nuk i zvogëlonte të drejtat dhe liritë e garantuara me Kapitujt II dhe III të Kushtetutës dhe nuk cenonte frymën e Kushtetutës.

Kërkesa që propozojmë paraqet një çështje juridikisht të dallueshme. Rasti KO26/15 kishte të bënte me vlerësimin paraprak të amendamentit të propozuar kushtetues. Ai nuk përbënte shqyrtim të plotë të çdo dispozite të miratuar më pas në Ligjin nr. 05/L-053 dhe as nuk mund ta vlerësonte plotësisht mënyrën konkrete se si ato dispozita do të interpretoheshin dhe zbatoheshin në procedurat gjyqësore të viteve në vijim.

Kjo kërkesë nuk synon rishqyrtimin e kushtetutshmërisë së nenit 162. Ajo kërkon të shqyrtohet nëse dispozita të caktuara të ligjit zbatues, në formulimin dhe zbatimin e tyre konkret, kanë mbetur brenda autorizimit të dhënë nga neni 162 dhe garancive të Kapitullit II të Kushtetutës.

6. Legjitimiteti i luftës çlirimtare

Kjo iniciativë nuk duhet të interpretohet si mohim i vuajtjeve të ndonjë viktime, kundërshtim ndaj së drejtës së viktimave për të vërtetën dhe drejtësinë, apo kërkesë për imunitet të ndonjë individi.

Çdo viktimë meriton njohje, drejtësi dhe mjete juridike efektive, pa marrë parasysh përkatësinë etnike, bindjen politike apo pozicionin e perceptuar gjatë luftës.

Përgjegjësia penale duhet të mbetet personale dhe të përcaktohet mbi bazën e provave, përmes një procesi të drejtë dhe në përputhje me Kushtetutën. Ajo nuk duhet të rrjedhë nga përkatësia politike, roli historik, pozita zyrtare, anëtarësimi në një lëvizje çlirimtare apo mbështetja për pavarësinë e Kosovës.

Në themel të kësaj kërkese qëndron edhe nevoja për ta mbrojtur legjitimitetin e rezistencës së popullit të Kosovës ndaj regjimit shtypës të Slobodan Miloševićit dhe përpjekjen e tij për liri dhe pavarësi. Populli i Kosovës u përball me një regjim që i mohoi të drejtat themelore dhe ushtroi dhunë sistematike shtetërore. Në këto rrethana, rezistenca ndaj shtypjes dhe përpjekja për liri e pavarësi përbënin një aspiratë legjitime.

Kjo nuk e përjashton përgjegjësinë individuale për krime konkrete. Njëkohësisht, përgjegjësia e mundshme e individëve nuk duhet ta shndërrojë luftën çlirimtare apo përpjekjen për pavarësi në pjesë të një narrativi të përgjithshëm kriminal. Drejtësia për viktimat, përgjegjësia penale individuale dhe mbrojtja e së vërtetës historike të Kosovës mund dhe duhet të ecin së bashku.

7. Kërkesat tona

Për arsyet e paraqitura më lart, i kërkojmë me respekt Avokatit të Popullit që:

I. Të hapë, sipas detyrës zyrtare, shqyrtimin e çështjeve kushtetuese që dalin nga formulimi dhe zbatimi i Ligjit nr. 05/L-053;

II. Të konsultojë ekspertë të së drejtës kushtetuese, të së drejtës penale ndërkombëtare dhe të të drejtave të njeriut, si dhe përfaqësues të viktimave dhe grupeve të tjera të prekura;

III. Në mbështetje të neneve 113(2), 135(4) dhe 162(11) të Kushtetutës, si dhe nenit 49(5) të Ligjit nr. 05/L-053, t’ia referojë Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës çështjen e përputhshmërisë së neneve 6, 12 dhe 16 të Ligjit me Kushtetutën, veçanërisht në raport me kufijtë e juridiksionit, parimin e ligjshmërisë, parashikueshmërinë e formave të përgjegjësisë penale dhe karakterin individual të saj;

IV. Të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese të sqarojë nëse lidhja me Raportin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës përbën kufizim material, real dhe të kontrollueshëm të juridiksionit, si dhe nëse Ligji ofron garanci të mjaftueshme për ta dalluar objektivin legjitim të pavarësisë dhe organizimin e luftës çlirimtare nga përgjegjësia individuale për krime konkrete; dhe

V. Ta bëjë publik vlerësimin juridik të Institucionit të Avokatit të Popullit dhe arsyetimin e vendimit lidhur me referimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese.

VI. Të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese të sqarojë nëse qëllimi i pretenduar i përbashkët kriminal duhet të përcaktohet vetëm mbi bazën e provave bashkëkohore me veprimet përkatëse dhe jo duke projektuar në mënyrë retrospektive mbi periudhën e luftës një rezultat politik të mëvonshëm, siç ishte pavarësia e Kosovës, e cila varej nga një varg zhvillimesh, vendimesh dhe procesesh politike vendore e ndërkombëtare të pavarura nga veprimet e të akuzuarve.

Qëllimi i kësaj kërkese është mbrojtja e Kushtetutës, integritetit të sistemit të drejtësisë së Kosovës, të drejtave të viktimave dhe të drejtës së çdo personi që të gjykohet mbi bazën e një ligji të qartë, të parashikueshëm dhe kushtetutshmërisht të vlefshëm.

Kjo çështje shkon përtej një aktgjykimi dhe individëve të përfshirë në një rast të caktuar. Ajo prek kufijtë e autoritetit gjyqësor, parimin e përgjegjësisë penale individuale, karakterin e sistemit kushtetues të Kosovës dhe mënyrën se si historia e luftës çlirimtare trajtohet nga një institucion i krijuar me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës.

Besojmë se Avokati i Popullit do ta shqyrtojë këtë kërkesë në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe me seriozitetin që kërkojnë pasojat e saj kushtetuese dhe shoqërore.

Me respekt,

Në emër të nënshkruesve,

Dr.Ramadan Ilazi, udhëheqës i hulumtimeve, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS)

Emrat e nënshkruesve janë renditur sipas alfabetit

Prof. Dr. Enver Hasani, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës
Abit Hoxha, profesor asistent në Institutin për Studime Nordike dhe të Medias, Universiteti i Agderit, Norvegji
Agon Maliqi, aktivist i shoqërisë civile
Dr. Armend Bekaj, hulumtues në Departamentin për Hulumtime të Paqes dhe Konfliktit, Universiteti i Uppsalës, Suedi
Dr. Artan Mustafa, Universiteti i Prishtinës
Bajram Geci, hulumtues doktorature
Dr. Butrint Berisha, hulumtues
Dr. Fisnik Korenica, profesor i asociuar i së drejtës në Universitetin e Prishtinës
Fisnik Rexhepi, aktivist i shoqërisë civile
Ideal Zhaveli, drejtor ekzekutiv i ACTIVISM ROOTS
Ismet Kryeziu, drejtor ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI)
Jeta Loshaj, aktiviste e shoqërisë civile
Laura Kryeziu, Këshilli për Lidership dhe Zhvillim (LGC)
Leonora Kryeziu, drejtore ekzekutive e Institutit të Prishtinës për Studime Politike (PIPS)
Dr. Liridon Lika, ligjërues dhe hulumtues në Qendrën për Studime të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Departamenti i Shkencave Politike, Universiteti i Liezhit, Belgjikë
Dr. Lulzim Peci, drejtor ekzekutiv i Institutit Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED)
Naim Rashiti, drejtor i Grupit për Hulumtim të Politikave Ballkanike (BPRG)
Dr. Nevenka Tromp, ligjëruese e Studimeve Evropiane në Universitetin e Amsterdamit
Dr. Ramadan Ilazi, udhëheqës i hulumtimeve në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS)
Dr. Robert Muharremi, profesor asistent në RIT Kosovo
Senad Sabovic, aktivist i shoqërisë civile
Shenoll Muharremi, aktivist i shoqërisë civile
Shpëtim Selmani, poet
Visar Ymeri, drejtor ekzekutiv i Institutit për Politika Sociale “Musine Kokalari”

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Ambasadori i ri amerikan, Eric Wendt, ka ardhur në Shqipëri,…