Akademia e Shkencave kritikon Dhomat e Specializuara: Drejtësia duhet të jetë e barabartë dhe e paanshme
Kryetarja e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka reaguar pas aktgjykimit ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së, duke shprehur rezerva të thella ndaj Dhomave të Specializuara.
Postimi i plotë:
Vendimi i fundit ndaj katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës na obligon të reflektojmë jo vetëm mbi verdiktin gjyqësor, por edhe mbi vetë natyrën, mandatin dhe mënyrën e funksionimit të Dhomave të Specializuara.
Qëndrimi ynë kritik ndaj kësaj gjykate buron nga bindja se drejtësia, për të qenë e besueshme dhe e qëndrueshme, duhet të perceptohet si e barabartë, gjithëpërfshirëse dhe e paanshme. Çdo mekanizëm i drejtësisë që trajton periudha të ndjeshme historike duhet të jetë veçanërisht i kujdesshëm që të mos krijojë perceptimin e një drejtësie selektive apo të një trajtimi të pabarabartë të viktimave dhe përgjegjësive.
Respekti për të drejtën dhe për procedurat juridike nuk përjashton të drejtën për kritikë institucionale. Përkundrazi, në një shoqëri demokratike, legjitimiteti i institucioneve të drejtësisë forcohet pikërisht përmes transparencës, llogaridhënies dhe debatit të argumentuar publik.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës është pjesë e një kapitulli vendimtar të historisë sonë. Proceset penale ndaj individëve nuk duhet të shndërrohen në gjykim të përgjithshëm të një lëvizjeje, të një periudhe historike apo të aspiratës së një populli për liri.
Prandaj, duke respektuar të drejtën e secilit për proces të rregullt dhe të gjitha mjetet juridike në dispozicion, shprehim rezervat tona të thella ndaj mënyrës se si kjo gjykatë është konceptuar dhe perceptuar, si dhe ndaj pasojave që mund të ketë në kujtesën historike, besimin publik dhe ndjenjën e drejtësisë.
Institucioni që unë e drejtoj është gjithmonë në dispozicion për të ndihmuar proceset e hulumtimit, të kërkimit dhe të interpretimit të të dhënave dhe të fakteve lidhur me luftën në Kosovë.
Prof. dr. Justina Shiroka-Pula



