Gursel dhe Bajram Sylejmani: Një rrugë që nuk përfundoi në Jezerc
Prof.dr. Sylë Ukshini
Ka rrugë që mbarojnë atje ku ndalet jeta, por ka edhe rrugë që vazhdojnë përtej saj – në kujtesë, në ideal dhe në gjurmët që mbeten pas. E tillë ishte rruga e Gursel dhe Bajram Sylejmanit. Ajo nisi në Sadovinën e Jerlive, në një familje ku dashuria për vendin dhe etja për dije u përcollën brez pas brezi; vazhdoi në bankat e shkollës, në formimin e tyre intelektual e politik, në rezistencën ndaj shtypjes dhe, më në fund, në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Më 28 shtator 1998, kjo rrugë i solli të dy vëllezërit në Jezerc, në të njëjtën betejë dhe në të njëjtin fat. Aty u ndërpre jeta e tyre, por jo rruga e tyre.
Prandaj, edhe në këtë shtator, si edhe në shtatorët që ikën, ndiejmë obligim të bëjmë nderime dhe homazhe për njerëzit e lirisë, për ata që mposhtën errësirën serbe dhe për ata që bënë kthesë historike për të ardhmen e Kosovës, për Gursel dhe e Bajram Sylejmanin.
Duke vënë në dukje kontributin historik të vëllezërve Gursel dhe Bajram Sylejmani, kjo Akademi është dëshmi gjithashtu se në ç’drejtim duhet studiuar këto dy personalitet të shquara në të ardhmen.
Njerëzit e mëdhenj punojnë jo vetëm për kohën e vet, por edhe për të ardhmen. Pikërisht këtu qëndron madhështia e kontributit të dëshmorëve të kombit Gursel dhe Bajram Sylejmani.
Dy vëllezërit Sylejmani gjithmonë ishin të pandashëm, ishin përherë afër njëri-tjetrit, edhe atë ditë kur u vranë në frontin e luftës çlirimtare, në Epopenë e Jezercit, ishin afër, aty gjetën vdekjen.
Dy vëllezërit e pesë motrave u flijuan në frontin e luftës, në Jezerc.

Rrethanat në të cilat u vranë Gurseli e Bajrami, më 28 shtator 1998, janë një material i mjaftueshëm për krijimin e eposit heroik, i cili do t´u përcillet gjeneratave të ardhshme.
Më 28 shtator 1998, në Jezerc, u ndërpre jeta e Gurselit dhe Bajram Sylejmanit, por jo rruga e tyre. Ajo vazhdoi në lirinë e Kosovës, në kujtesën e brezave dhe në fëmijët e tyre, të cilët, secili në mënyrën e vet, e çuan më tej me përkrahjen e bashkëshorteve të tyre, Alijes dhe Lumnijes, atë që etërit nuk patën kohë ta përfundonin.
Frymëzimi që buron nga jeta dhe veprimtaria e Gurselit dhe Bajram Sylejmanit nuk përfundoi me rënien e tyre në Jezerc. Ai mori një kuptim të ri në vazhdimësinë e trashëgimisë familjare, te fëmijët e tyre, të cilët, secili në mënyrën e vet, ruajtën dhe zhvilluan pasionet, talentet dhe vlerat e etërve. Te fëmijët e Gurselit – Pranvera, Kaltrina dhe Dielli, kjo vazhdimësi është veçanërisht domethënëse. Pranvera, përmes artit, vazhdoi aty ku u ndërpre pena dhe peneli i të atit, duke e shndërruar trashëgiminë e tij krijuese në një urë ndërmjet brezave.

Po kështu, trashëgimia e Bajramit gjeti vazhdimësi te fëmijët e tij. Gentriti, në fushën e inxhinierisë softuerike, dhe Lirjona, përmes muzikës dhe karrierës profesionale në fushën e muzikës, mishërojnë në forma të reja pasionet, talentin dhe përkushtimin e të atit. Kjo merr një simbolikë të veçantë te Lirjona, e cila, si oficere, drejton Orkestrën Frymore të Forcës së Sigurisë së Kosovës: buçima e instrumenteve të orkestrës që ajo drejton sot mund të lexohet simbolikisht si jehonë e largët e krismave të pushkës së Bajramit dhe bashkëluftëtarëve të tij — por tashmë në një Kosovë të lirë, ku tingulli i armëve është zëvendësuar nga tingulli i muzikës. Kështu, rruga e Gurselit dhe Bajramit nuk përfundoi në Jezerc; ajo vazhdoi te brezi që erdhi pas tyre, në art, dije, muzikë dhe shërbim ndaj vendit.
Lufta e UÇK-së hapi të gjitha mundësitë që shqiptarët për herë të parë të ndihen plotësisht të lirë dhe të kenë mundësi që të në formësimësojnë identitetin e tyre politik evropian.
Emri i vëllezërve Sylejmani nga Sadovina e Jerlive mbetet pikë referimi për të gjithë ne si themeltar i lirisë dhe të shtetësisë sonë. Sakrifica e tyre si dhe e shumë dëshmorëve nga Zona Operative e Nerodimes, ndryshoi historinë e Kosovës. Gurseli dhe Bajrami ishin ndër figurat kyçe dhe më me ndikim radhët e UÇK-së. Ata ishin njerëzit më largpamës në historinë tonë bashkëkohore.
Me rolin e Gurselit dhe të Bajramit lufta e UÇK-së u bë ma përmbajtjesore, më kuptimplote, sepse ata arritën të bashkojnë njerëzit nga të gjitha viset e Kosovës dhe jashtë saj.
Pa asnjë mëdyshje, Gurselin dhe Bajramin mund ti quajmë luftëtarët më të devotshëm të UÇK-së, dhe kjo është një vlerë, të cilën duhet të afirmuar dhe jetësuar në shkencë, në art dhe në përditshmërinë tonë. Kjo do të ishte sa në funksion të njohjes të kaluarës sonë historike, aq edhe në funksion të emancipimit tonë si shoqëri.
Ky është kuptimi përparimtar i një epoke historike që është i lidhur me emrin e UÇK-së dhe të gjithë atyre që luftuan për ndërtimin e një Kosove evropiane.
Gurseli dhe Bajrami janë figura historike që tejkalojnë kufijtë e Kosovës. Janë personalitete që luftuan kundër vullneteve të errëta të historisë.
Trashëgimia e tyre historike dhe e gjithë luftës së UÇK-së u bë shtrati kryesor për zhvillimin e shtetit të Kosovës dhe në të njëjtën kohë një orientim strategjik, që pati rol në emancipimit politik dhe kombëtar.
Kalimi i Gurselit dhe Bajram Sylejmanit nga rezistenca politike në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duhet parë edhe në kontekstin e objektivit politik që artikulonte vetë UÇK-ja. Publicistët francezë Alain Brossat dhe Jean-Yves Potel vërejnë se ajo “u themelua për pavarësinë e një Kosove demokratike”, ndërsa rikujtojnë se në një nga komunikatat e saj të hershme konflikti i armatosur në Kosovë përkufizohej si “luftë çlirimtare” dhe jo si konflikt ndëretnik apo fetar. Në këtë kuptim, angazhimi i vëllezërve Sylejmani në UÇK nuk përbënte shkëputje nga bindjet e tyre të mëparshme politike, por kalimin në një fazë të re të së njëjtës përpjekje për liri, çlirim dhe vetëvendosje.
Rasti i Gursel dhe Bajram Sylejmanit duhet vendosur edhe brenda një dukurie më të gjerë politike të viteve 1998–1999: kalimit të një pjese të veprimtarëve dhe mbështetësve të LDK-së drejt rezistencës së armatosur. Brossat dhe Potel vërejnë se, sidomos pas masakrave serbe në Drenicë, shumë anëtarë të LDK-së iu bashkuan UÇK-së, të bindur se hapësira për një zgjidhje tjetër po ngushtohej. Në këtë transformim ndikoi edhe zhgënjimi i krijuar pas Marrëveshjes së Daytonit të vitit 1995, ku çështja e Kosovës mbeti jashtë zgjidhjes së konfliktit jugosllav. Studiuesi amerikan Henry H. Perritt Jr. Në librin e tij “Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, këtë moment e konsideron të rëndësishëm në dobësimin e besimit te strategjia e rezistencës paqësore dhe në rritjen e kredibilitetit të UÇK-së. Për një pjesë të shqiptarëve të Kosovës po forcohej bindja se bashkësia ndërkombëtare mund të reagonte vetëm atëherë kur kriza nuk mund të shpërfillej më.
Ky transformim nuk mund të shkëputet nga dinamika e represionit serb gjatë vitit 1998. Përshkallëzimi i operacioneve të forcave serbe, veçanërisht në Drenicë, dhe dhuna ndaj popullsisë civile ndikuan në zgjerimin e bazës shoqërore të rezistencës së armatosur. Në këto rrethana, UÇK-ja fitoi mbështetje edhe në shtresa që deri atëherë kishin mbështetur forma të tjera të rezistencës politike.
Kështu, kufiri ndërmjet rezistencës paqësore dhe asaj të armatosur ishte në praktikë shumë më poroz sesa paraqitej shpesh në diskursin politik të kohës. Në këtë sfond duhet kuptuar edhe zgjedhja e vëllezërve Sylejmani: jo si mohim i angazhimit të tyre të mëparshëm politik, por si ndryshim i mjeteve të rezistencës në kushtet e përshkallëzimit të dhunës shtetërore serbe. Përvoja e vëllezërve Sylejmani dëshmon njëkohësisht karakterin gjithnjë e më plural të mobilizimit rreth UÇK-së. Në radhët e saj u bashkuan njerëz që vinin nga tradita dhe përvoja të ndryshme politike, përfshirë edhe veprimtarë që më parë kishin qenë të lidhur me LDK-në. Pikërisht kjo ndërthurje ndihmon të shpjegohet shndërrimi gradual i UÇK-së nga një strukturë fillimisht e kufizuar në një lëvizje më të gjerë të rezistencës së armatosur.
Ky zgjerim i bazës shoqërore të UÇK-së përputhet edhe me analizën e Henry H. Perritt Jr., sipas të cilit zhvillimi i saj ndoqi në shumë aspekte dinamikën karakteristike të lëvizjeve kryengritëse: ajo u konsolidua paralelisht me zgjerimin e mbështetjes popullore dhe me rekrutimin e luftëtarëve në kushtet e shtimit të represionit të regjimit serb. Në këtë kuptim, hyrja e veprimtarëve me prejardhje të ndryshme politike në radhët e UÇK-së nuk ishte një dukuri periferike, por pjesë e procesit përmes të cilit rezistenca e armatosur fitoi një bazë gjithnjë e më të gjerë shoqërore.
Paradoksi i vitit 1998 qëndronte pikërisht këtu: përdorimi gjithnjë e më i gjerë i forcës nga autoritetet serbe, i menduar për ta dobësuar rezistencën e armatosur, kontribuoi njëkohësisht në zgjerimin e bazës së saj shoqërore. Për një numër gjithnjë e më të madh shqiptarësh, përshkallëzimi i represionit e ngushtoi hapësirën e alternativave politike dhe e bëri rezistencën e armatosur një zgjedhje gjithnjë e më të pranishme.
Në ato vite të rënda nëpër të cilat po kalonin shqiptarët e Kosovës, kur shqiptarët po luftonin për të gjetur lirinë e tyre, vëllezërit Gursel dhe Bajram Sylejmani morën vendimin për të ngritur njësitet e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në rajonin e Ferizajt.
Këto dy personalitete nga Sadovina e Vitisë, me idetë, vizionin dhe luftën e tyre bënë bazamenti më i mirë i lirisë së Kosovës. Lufta e UÇK-së ishte një shans i madh përpara popullit shqiptar të Kosovës. Historia ka treguar shumë herë se jo çdo luftë, sado heroike të jetë, e sjell një shans të tillë. Dhe shanse nuk përsëriten kaq lehtë. Prandaj, Gurseli dhe Bajrami ishin të bindur se ky shans vendimtar që nuk duhej lëshuar. Zgjerimi i luftës gjatë vitit 1998, përshkallëzimi i represionit serb dhe kriza humanitare e vendosën Kosovën gjithnjë e më shumë në agjendën ndërkombëtare. Çështja e Kosovës po kalonte kështu nga një problem që Beogradi përpiqej ta trajtonte si çështje të brendshme, në një krizë me dimension të qartë ndërkombëtar, e cila kërkonte angazhim gjithnjë e më të madh të fuqive perëndimore dhe të NATO-s.
Ndërkombëtarizimi i çështjes së Kosovës nuk ishte vetëm pasojë e përshkallëzimit të konfliktit. Henry H. Perritt Jr. tërheq vëmendjen edhe te aftësia e UÇK-së për ta paraqitur çështjen e Kosovës në opinionin ndërkombëtar, si dhe te roli i diasporës shqiptare në financim, rekrutim dhe mobilizim politik. Sipas Perritt, zërat e diasporës arritën të dëgjoheshin edhe në qendrat kryesore politike perëndimore, përfshirë Kongresin amerikan, Parlamentin britanik dhe Bundestagun gjerman. Në këtë mënyrë, dimensioni i brendshëm i rezistencës ndërthurej gjithnjë e më shumë me dimensionin ndërkombëtar të çështjes së Kosovës.
Të gjithë këta elementë flasin që vetëdija historike prodhon vetëbesim, dhe vetëbesimi prodhon forcë dhe një popull i vjetër sikurse populli i Kosovës duhet ta kërkojë forcën edhe në historinë e tij. Lufta e UÇK-së ka qenë projekti më madhor në shekullin në 20, ajo ka qenë shpresa jonë dhe Kosova është bërë e pavarur sepse ju në këtë sallë dhe gjithë qytetarët e Kosovës kanë besuar në këtë dhe në këtë shpresë.
Edhe kontributi i Gurselit dhe e Bajramit si dhe e të gjithë përfaqësuesve tjerë më të rëndësishëm të UÇK-së është dhe mbetet përgjithmonë pikë referimi për të gjithë ne dhe njerëzit liridashës, të cilët tek vëllezërit Sylejmani shohin themeltarët e lirisë sonë dhe simbolin e vlerave të larta politike dhe kombëtare.
Kjo trashëgimi historike është një vlerë e veçantë edhe për historinë më të re të Kosovës; ajo është pjesë e kujtesës sonë historike dhe e identitetit tonë evropian.



